Sa ndikon politika e Beogradit në Kosovë
Analisti britanik, Tim Judah, tha dje për BBC-në se rënia e qeverisë së Serbisë ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e Serbisë si dhe situatën në Kosovës. "Për Serbinë, rënia e qeverisë do të thotë shumë, sepse tani me siguri zgjedhjet do të mbahen më 11 maj dhe do të vendoset në çfarë drejtimi do të shkojë fati i Serbisë, në drejtim të Bashkimit Evropian apo siç ka thënë Presidenti Tadiç, Serbia të izolohet, jo përgjithmonë, por me siguri për disa vite", shtoi Judah. Analisti i njohur tha se tani pritet që të shihet nëse zgjedhjet e Serbisë do të mund të mbahen edhe në vendbanimet serbe në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, kur dihet që edhe më parë udhëheqësit kosovarë nuk kanë dashur që votimet serbe të zhvillohen edhe në territorin e Kosovës.
"A do të interpretohet kjo si një sfidë e vërtetë për sovranitetin e shtetit të ri, nëse po, si do të zgjidhet kjo çështje, mendoj se ky do të jetë një problem i ndërlikuar", tha ai. Judah shprehet se në planin afatgjatë për Serbinë do të ketë shumë rëndësi nëse qeverinë e re do ta udhëheqin radikalët apo forcat properëndimore.
Ai thotë se ngjarjet në Serbi mund të ndikojnë në situatën në Kosovë, në varësi se cili do të udhëheqë qeverinë e Serbisë në të ardhmen. "Nëse është një qeveri më pro-evropiane, ka shumë më pak gjasa që të jenë aktivë në destabilizimin e Kosovës se sa për shembull një qeveri e udhëhequr nga radikalët, sepse ata do të hiqnin dorë nga Bashkimi Evropian dhe nuk do të çanin kokën nëse do të akuzoheshin për destabilizimin e Kosovës dhe prishjen e marrëdhënieve me EULEX-in dhe misionin e Bashkimit Evropian", thotë analisti britanik Judah. Ai shtoi se Beogradi nuk mund ta rrezikojë funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur në pjesët ku institucionet vendore kanë pushtet, por, sipas tij, Kosova Veriore, e banuar me shumicë serbe, do të mbetet edhe për një kohë në kontroll të Serbisë.
"Problemi është se si do të jenë marrëdhëniet e enklavave në veri të Kosovës me shtetin e ri", tha Judah. Ai shprehet pesimist lidhur me mundësinë që autoritetet e Kosovës të mund të shtrinin pushtetin e tyre në komunat veriore të banuara me serbë, ku Prishtina zyrtare nuk ka pasur qasje që pas përfundimit të luftës në vitin 1999. As Bashkimi Evropian, sipas tij, nuk do të mund të ushtrojë autoritetin e tij në këtë pjesë të Kosovës në të ardhmen e afërt. "Nëse do të ketë një qeveri pro-evropiane (në Serbi), ajo nuk do të dëshirojë që të rrezikojë misionin e BE-së në ato zona, por nëse në Serbi do të ketë një qeveri që nuk i intereson fare për Evropën, atëherë me siguri Bashkimi Evropian nuk do të kthehet në veri", tha analisti britanik Tim Judah.