PS: Shëndetësia, jashtë standardeve. Ministria reagon
"Fëmijët shqiptarë nuk duhet të sëmuren në dimër. E mira do të ishte që të mos sëmureshin fare, por në një kohë kur shëndetësia shqiptare është në hapat e njohjes së vetvetes, fëmijët do të ishte korrekte të sëmureshin në stinët e tjera". Ky ka qenë sugjerimi i nënsekretarit për programin politik në Partinë Socialiste, Ilir Beqja. Sipas tij, mazhoranca ka kuptuar se shëndetësia shqiptare është jashtë standardeve, vetëm pas 30 muajve qeverisje. "Një adoleshente shqiptare humbi jetën, pasi keqpërdori dozën e pesticideve për të luftuar parazitët. Një kryefamiljar nuk arriti i gjallë në spital, sepse mungonte autoambulanca. Një shqiptar nuk e bëri dot operacionin që do t‘i shpëtonte jetën, sepse në spital mungonte gazi. Edhe në kushtet kur reforma e Ministrisë së Shëndetësisë duket se është përqendruar vetëm në QSUT, aty prej 5 ditësh nuk bëhet asnjë analizë mjekësore", tha dje Beqja. Sipas tij, drejtuesit e shëndetësisë nuk janë në gjendje të menaxhojnë në kohë ndërhyrjet përmirësuese në QSUT. "Si pasojë e rikonstruksionit, pediatria nuk ka shtretër në dimër, në kulmin e stinës së sëmundjeve. Pasi të gjitha qeveritë në 17 vjet, përfshi edhe këtë të sotmen, i kanë shtrënguar fëmijët tanë të shkojnë në shkollë me turne, qeveria e sotme po i detyron fëmijët shqiptarë të sëmuren me turne. E vetmja zgjidhje që kanë prindërit sot, është t‘i luten Zotit që fëmijët të mos sëmuren në dimër", përfundoi Beqja. Nga ana tjetër, akuzat e tij i ka hedhur poshtë zyrtarisht drejtoria e spitalit "Nënë Tereza". "Tenderët për blerjen e aparaturave janë zhvilluar në QSUT në përputhje të plotë me ligjin për prokurimet publike dhe si rezultat i zbatimit rigoroz të rregullave të përcaktuara në të, këto tendera nuk janë realizuar. Shkaku kryesor për mosrealizimin e këtyre procedurave të prokurimit ka qenë mospërmbushja e kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktor, nga ana e shoqërive pjesëmarrëse", sqaron zyra e shtypit të spitalit. Sipas të njëjtave burime zyrtare, objekti i këtyre procedurave janë aparatura mjekësore specifike (si skaner, koronarografi), lëvrimi i të cilave kërkon një kohë të caktuar dhe pezullimi i afateve, për shkak të ankesave të paraqitura, bëri që të mos realizohen në kohë këto procedura.