Çka u vlen serbëve Kosova?
Fjala më e shtrenjtë serbe - Kosova - përfundimisht mori çmimin. Asgjë tragjike. Ta shesësh atë që veç është në pronësi të tjetërkujt, është vetëm fakt i rritjes së kombit. Së këndejmi, dikur kam besuar se humbja e Kosovës për çdo serb paraqet diçka simbolik. Cili serb do të pranonte ta shkoqje...? Sot i shoh në radhë para peshores. Rrinë serbët, duke mbajtur në duar veshkat e bardha. Pyesin për çmimin. Kur gjithçka dhe secili në Serbi ka çmim, asgjë dhe askush nuk ka vlerë. Nuk është tamam kështu. Ia vlen të shitet Kosova. Dy janë arsyet.
E para, bota do stabilitet në Ballkan, tash dhe menjëherë, edhe pse nuk e di si. Kështu që secila ofertë kompensuese do të jetë më e keqe për ne.
E dyta, serbët masovikisht gënjejnë se e duan Kosovën. Po të ishte ajo vërtet "piemont" i serbizimit, "tokë e shenjtë serbe", "djep" i Evropës, "më e shtrenjta" fjalë serbe - serbët nuk do të shkonin gjysmë shekulli nga Kosova. Jo vetëm që e kanë braktisur, jo vetëm që nuk dëshironin të ktheheshin, por pas luftës 100- ditëshe, kjo ushtri serbe dhe kjo polici serbe, të vetmet në histori, e kanë lënë Kosovën duke kënduar, duke treguar tre gishta dhe pa e fshehur gëzimin që po shkojnë e që janë gjallë. Kanë qarë vetëm ata që kanë lënë shtëpinë, pasurinë dhe varret. As ata s‘kanë qarë për manastiret, as për Car Llazarin dhe Gazimestanin. Sikur në Knin, askush nuk refuzoi urdhrin për tërheqje, askush nuk mbeti në Kosovë që të vdiste për politikën e gënjeshtrës, të mashtrimit dhe haluçinacioneve të fakirëve të nacionalistëve të shthurur, të njerëzve të pamoralshëm dhe langonjve.
Racionale. Madje, trimëruese. Në dekadën e kaluar janë shpenzuar të gjitha mitet nacionale. Për trimërinë dhe burrërinë, për bashkësinë serbe prej Plitvicës deri në Shkup, për vëllazërinë me malazezët, për fitoret në luftë dhe humbjet në paqe, për Kosovën. Faleminderit Sllobë, që tash më nuk kemi në çka të besojmë. Faleminderit edhe ne të gjithëve që tash jemi kombi i shpenzuar dhe i përgatitur për të marrë pjesë në varrimin e vetvetes. Nëse ka ardhur koha që të fillojmë prej zeros, zeros si faturë të historisë, zeros si rezultat i bilancit kombëtar të këtij mijëvjeçari, do ta bëjmë këtë si komb - që ende s‘e kemi bërë, si njerëz të rritur - që ndoshta do të jemi.
Kjo qeveri serbe nuk duhet ta zgjedhë rolin e saj në Kosovë; as të Llazarit, as nënës së jugoviçëve, aq më pak të Brankoviqit. Bëjeni atë që e ka lënë në testament Gjingjiqi. Bëni tregti me botën, pranojani shqiptarëve që e mbajnë shumicën e paketës së aksioneve të Kosovës, copëtohuni sa të mundni për enklavën ortodokse, kërkoni që të sigurohet një rrugë e shkurtër për në Evropë, kërkoni pakon stimulative të rëndësishme për mbajtjen e stabilitetit ballkanik, trimërisht ballafaqohuni me refugjatët dhe pranojeni se rrejshëm po kultivoni shpresën për kthimin e ushtrisë sonë në Kosovë, apo për kthimin e tërësishëm të serbëve atje nga janë nisur.
Secila qeveri e ardhshme do të fitojë më pak se ju, çdo ofertë tjetër për serbët do të jetë edhe më ofenduese se sa kjo. Këtë mund ta durojmë, duke marrë parasysh se cila është alternativa. Asgjë! Kësaj qeverie i takon që së paku, njëherë në politikën e saj, të jetë shtetërore e jo "kontrabanduese". Për këtë, kanë arsyetim. Shqiptarët, si këmbësori e NATO-s, sado që ishin në "teh", e rrëmbyen Kosovën. Janë të gatshëm që të vdesin edhe disa dhjetëra mijëra për atë që ata besojnë. Sa jemi ne në gjendje të paguajmë, me jetë, atë çka ne besojmë dhe çka na takon? Në këtë përllogaritje fillon misteri se çka do të kemi në fund të kësaj decenie në kufirin e shqiptarëve të bashkuar, hegjemonisë së ardhshme të Ballkanit? Të demonizuar, të izoluar, të sanksionuar, të bombarduar, të ndjekur, të varfëruar, të pakësuar, serbët apatikë - përveç betejës për të mbijetuar - radikalisht u bie interesimi për Kosovën.
Rasti i fundit i madh u lëshua në vitin ‘93, kur Zimerman i ofroi Çosiqit të tretën e Kosovës. Atë kohë Jovici dhe Millosheviqi kërcënuan se do ta vrasin Dobricën në Terazije, nëse u jep shqiptarëve diçka prej tokës sonë të shenjtë. Super. Çka do të jepnin sot serbët për një ofertë të tillë. Shpirtin? Atë çka nuk e bëri mençuria serbe do ta bëjë - si zakonisht - pafuqia serbe. A është i mundur kthimi i shqiptarëve në kuadër të Serbisë? Nuk bëhet fjalë. Cili serb i mençur, me një parahistori të tillë, dëshiron të jetojë në bashkësi me shqiptarët, të cilët për një të katërtën e shekullit do t‘i tejkalonin serbët me numër dhe do të arrinin deri në Nish. Konfederatë? Nuk besoj. Për ketë arsye, pika zero e fillimit të krijimit të ardhmërisë serbe është përjashtimi i Kosovës prej politikës së brendshme të Serbisë. Çka është kjo, pos pranim i gjendjes faktike?
Në vend që të kërkojmë statusin përfundimtar të Kosovës le të argëtohemi me formimin përfundimtar të Serbisë. Ata mund të presin, sepse po krijohen. Ne nuk kemi kohë, sepse po zhdukemi. Tash për tash, i përfunduar është vetëm definicioni i raportit të serbëve dhe Kosovës. Ajo çka është Kosova për ne, ne moti nuk jemi për të. Pikë. Kështu Kosova bëhet betim i rrejshëm, të cilin qeveria e frikësuar për çdo ditë po e vendos para kombit dhe i kërcënon me dajak ata që guxojnë të "shesin" interesat kombëtare. Ndërkohë, zgjidhja "përfundimtare" ekziston vetëm për shqiptarët - një pavarësi e shkallëzuar, çka do që do të thotë ajo. Për serbët mbesin vetëm përrallat, në të cilat besojnë njerëzit, mëkati i të cilëve i vetëm është se kanë jetuar në periferinë e serbizmit, në kohën kur Beogradi ndërtohej në mënyrën e vet, një qytet-shtet antik. Kjo është një dhuratë shumë e fortë që na bën bota, për të gjitha sprovat të cilave nuk kishim mundur t‘u bëjmë ballë.