E Diel, 1 Nëntor 2026

Voten tone falna sot

Avazi i votimeve të parregullta duket se do të na ndjekë deri në frymën e fundit. Them "votime", pasi "zgjedhje" ende nuk quhet se janë bërë në Shqipëri. Nga ‘46-a (kur u votua me kokrra) e deri në ‘91-shin ka fituar me 99.99 për qind e vetmja parti në vend. Duke qenë tek pullë, me hir a me pahir, nuk kishe kë tjetër të votoje. Nëse të shkonte ndërmend të mos votoje fare, të pinte e zeza me soj e sorollop. Pra, desha të them: Në ato votime s‘kishte as zgjidhje as zgjedhje, pra as vota, as procesi dhe as rezultati nuk kishin ndonjë vlerë.

Brez pas brezi u mboll ideja që zgjedhjet janë një havalè, një e diel e çuar dëm, ku ty të marrin në rresht si figurant për t‘i thënë botës se "diktatura e proletariatit është demokracia e vërtetë". Si një ditë Bajrami, që pa gdhirë kërciste lodra që thërriste miletin në "xhamitë" e votimit. Sa herë ka votuar, shqiptari i çdo sëre e ka ndjerë thellë e më thellë se sa i pavlerë është ai vetë, sa i papërfillshëm vullneti i tij politik dhe sa bosh kuptimi i termit "zgjedhje". Për dreq, kjo shpërfillje e shtetit ndaj votës dhe votuesit u përcoll edhe pas mbarimit të komunizmit. Dhuna, vjedhjet dhe manipulimet janë pasqyruar edhe në raportet e të huajve, të cilët kanë këmbëngulur që të reformohet sistemi, e që për hir të së vërtetës ende nuk është formuar, pale të reformohet.

Nejse, si shumë punë të tjera, edhe reformën e zgjedhjeve ne do ta bëjmë nga zori, se kështu na do bota. Puna është se ç‘sistem na pëlqen: vota për partinë apo për njeriun?

Zgjodha njerinë

Duke iu kthyer historisë, le të mbajmë parasysh që ne ende nuk jemi ndarë plotësisht nga elementët feudalë të ekonomisë, politikës, organizimit shoqëror e familjar, mënyrës së jetesës dhe kulturës. Vetë diktatura e proletariatit qe organizuar mbi këta elementë, pra të bindjes ndaj të parit, zëvendësimi i ligjit me urdhra, shfrytëzimi i pushtetit për të bërë ndere apo për të prishur punë, nëpërkëmbja e dinjitetit dhe personalitetit të njeriut. Në po këto themele u ngrit edhe pluralizmi ynë, ku një parti sundon e tjetra pret radhën për të sunduar.

Duke qenë vend i vogël, jo fort i zhvilluar dhe me një trashëgimi të fortë bajraktarizmi, mjaft të kapësh parinë e zonës për të pasur të sigurt votën, sepse në qytetet e vogla e sidomos nëpër fshatra, ligjin e bëjnë pikërisht bejlerët, ose më shqip: të fortët me pushtet dhe të fortët me para. Në fund të fundit, me këta i kanë hesapet votuesit e gjorë, ndaj edhe këta të fortët janë të zotët të kërrejnë vota me shumicë, sidomos në komunitete të vogla. Kjo është edhe arsyeja që Tirana, për shembull, ndryshon e para. Jo prej kulturës më të gjerë, por sepse gjetiu e kanë më të vështirë të çlirohen.

Pikërisht nga këto bashkësi të vogla e të mbyllura kanë mbirë mostrat më të famshme të Kuvendit tonë. Sistemi mazhoritar, domethënë ku kandidati që mbledh më shumë vota shkon në Parlament, nuk bën gjë tjetër veçse mban gjallë dhe kalit të njëjtën palcë feudalizmi të trashëguar në shekuj në këtë vend. Pjesë e kësaj trashëgimie është edhe besimi naiv se, deputeti ka detyrën dhe fuqinë të zgjidhë hallet e gjithë banorëve të zonës së tij, duke filluar nga rrugët e pusetat e deri te të drejtat e studimit, futja në punë, nxjerrja nga burgu... Dhe në fakt, nuk është se deputetët tanë janë shumë larg këtij përfytyrimi: është ky përfytyrim shumë larg detyrave të një ligjvënësi në një sistem demokratik.

Me sistemin proporcional zvogëlohet mjaft mundësia e fabrikimit dhe përjetësimit të këtyre pashallarëve të vegjël. Meqenëse edhe modeli i sotëm i qeverisjes i jep përditë e më shumë fuqi pushtetit vendor, bie edhe teoria që, deputeti duhet të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli, që të përfaqësojë sa më mirë interesat e tij. Unë nuk e mbaj mend Kuvendin të ketë votuar ndonjë ligj a dekret për udhët a krojet e ndonjë fshati, meqë aksh deputet e ka ngritur si problem, ama di se ku ka kryetar bashkie a komune të hajrit, zgjidhjet gjenden me më pak mundim.

Në këta shtatëmbëdhjetë vite pluralizmi asnjëra nga partitë e mëdha nuk arriti të bëhet përfaqësuese e interesave të një shtrese, klase apo grupimi specifik. Boshti i programeve politike të të dyja forcave janë reformat dhe integrimi, ose më saktë integrimi që ka si kusht reformat. Për sa i përket ekonomisë, edhe ajo ecën nën mbikëqyrjen e rreptë dhe diktimit prej institucioneve të huaja. Për rrjedhim, asnjëra nga partitë nuk ka nga e luan bishtin. Mbështetur kryesisht në kërkesat dhe kushtet e të huajve, politika jonë, edhe për mjaft kohë, nuk duket se do të ndahet në bazë të përfaqësimit të grupeve apo interesave në vend. Në këto kushte, partive dhe Kuvendit i shkojnë më mirë politikanë karriere dhe të përzgjedhur nga kontributi brenda partisë, sesa gjela katundi, që siç hyjnë dalin nga Kuvendi, e më tej nga politika.

Shtatëmbëdhjetë vitet kanë shembuj boll të deputetëve anonimë, të zgjedhur me votën e ndershme, apo të vjedhur, apo të blerë të popullit, që as dihet nga erdhën e s‘dihet ku shkuan. Premtimet, paratë dhe nderet në fushatë e lidhin në mënyrë thuajse kriminale të zgjedhurin, i cili, pas marrjes së mandatit, detyrohet ose të shpërblejë militantët dhe sponsorët në mënyrë të paligjshme, ose ta paguajë me turpin e gënjeshtrave të shpërndara në fushatë.

Pse proporcionali?

Perëndimi i kësaj epoke principatash mund të nisë pikërisht me heqjen e mundësisë për t‘u bërë kapo i zonës, pra që nga Jugu në Veri të votojnë për alternativën që besojnë dhe jo për njeriun, i cili ka dëshmuar që nga koha e Adamit se është mëkatar i lindur, i tundueshëm nga veset. Me këtë formulë, të gjitha partitë do shtrohen të shkruajnë dy rreshta program që të ndryshojë pak nga të tjerët. Kur të ketë alternativa dhe përfaqësim të vërtetë interesash, atëherë qytetari nis të zgjedhë ose përndryshe, meriton të quhet zgjedhës. Me proporcionalin, në vend që të rendë kandidati të blejë vota poshtë e përpjetë, rendin gjithë anëtarët e partisë, me program në dorë, tek ata që besojnë se i përfaqësojnë. Në këto përpjekje e konkurrencë del mbi ujë dhe ajka e partisë, që meriton pastaj të zërë vendin në Kuvend dhe të mbrojë aty idetë dhe alternativën e grupit që përfaqëson.

Në ka një lloj përçmimi ndaj partive të vogla sot dhe zhvleftësimi të rolit të tyre, kjo vjen edhe prej deformimit që i ka bërë sistemi mazhoritar përfaqësimit politik. Të detyruara t‘u vijnë pas avazit "mëmave", shpesh ato janë kthyer në seksione a degë si të PD-së, ashtu edhe të PS-së. Një sistem proporcional do të shtonte alternativat në treg, si dhe do të seleksiononte ata që vegjetojnë më kot në politikë, do të shtonte personalitetin e të gjithë faktorëve dhe do të ndihmonte në qërimin e politikës, të paktën nga trashëgimia bajraktariste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›