E Diel, 1 Nëntor 2026

Grid Rroji rrëfen sekretet e Kryeministrit Berisha

Drejtori i Informacionit në Kryeministri, Grid Rroji, zbulon në një intervistë për "Shqip" disa nga sekretet e vitit 2007 të Kryeministrit Berisha dhe shpalos prioritetet e shefit të tij gjatë këtij viti. Pas një "heshtjeje" të drejtpërdrejtë dhe të gjatë prej 7 muajsh, ku ka munguar komunikimi i tij me opinionin publik si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Kryeministrit, përveç deklaratave në nivel zyrtar, Grid Rroji vendos të tregojë ato që deri dje nuk janë thënë nga godina e Kryeministrisë për mediat. Një rast i tillë ka të bëjë me vizitën e Presidentit të SHBA-së në Tiranë, Xhorxh Bush, i cili shoqërohej nga arkitekti i fushatës elektorale të Presidentit të vendit më të pushtetshëm të botës, Karl Rove. Megjithëse prezenca e Rove nuk u vu re nga mediat shqiptare, konfirmimi i ardhjes së tij në Shqipëri, madje edhe pjesëmarrjes së tij në konferencën e përbashkët Berisha-Bush, ka ardhur vetëm 6 muaj pas vizitës më të bujshme të 2007-ës për Shqipërinë. Njeriu më i pushtetshëm i Amerikës, me këtë veprim nuk e ka humbur shansin të marrë me vete kuruesin e imazhit të tij në botë, edhe në një vend të vogël me 3 milionë banorë si Shqipëria. Dy muaj më vonë, në gusht të vitit të kaluar, Rove jep dorëheqjen nga stafi i Presidentit amerikan. Një tjetër sekret i zbuluar në mënyrë indirekte është edhe fakti që Kryeministri Berisha i shkruan vetë deklaratat e shpeshta në komunikimet zyrtare që bën me publikun dhe fjalimet në Parlamentin e Shqipërisë. Njeriu që kujdeset për imazhin e kreut të qeverisë, Sali Berisha, dhe për pasqyrimin e punës së administratës së Kryeministrisë, ka treguar në intervistën e tij të parë, pas 7 muajsh si drejtor informacioni në Kryeministri, disa nga vizitat surprizë dhe çështjet më thelbësore të shefit të qeverisë gjatë vitit 2008. Takimin e parë dypalësh në nivel diplomatik, Kryeministri Berisha do ta realizojë në fillim të muajit shkurt në Japoni, ku do të takohet me kreun e qeverisë japoneze.

Zoti Rroji, jeni prezantuar në maj të vitit 2007 nga Kryeministri Berisha si njeriu që do të ridimensionojë komunikimin e qeverisë më të gjithë aktorët mediatikë. Departamenti i informacionit është një ndër sektorët që është ndryshuar tri herë në dy vjet nga Kryeministri Berisha. Si funksionon aktualisht ky departament në diferencë nga puna e mëparshme që është bërë prej paraardhësve tuaj?

Fakti që ky departament ka ndryshuar më shumë se një herë nuk më duket negativ. Përkundrazi. Komunikimi me publikun kërkon gjithmonë ide të reja dhe kjo është ajo çka Kryeministri Berisha kërkon gjithmonë. Për këtë arsye, qeveria në programin e saj është zotuar të sigurojë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për të gjitha aktet dhe veprimtaritë e qeverisë dhe Kryeministrit. Në përmbushje të këtij zotimi, në maj 2007 u krijua një strukturë e re, e cila ka si qëllim jo vetëm të shërbejë si zyrë shtypi e Kryeministrit, por edhe si një njësi informuese për të gjithë veprimtarinë e qeverisë. Departamenti i informacionit dhe marrëdhënieve me publikun është nyja që, nëpërmjet mediave dhe instrumenteve të tjera informuese koordinon dhe lehtëson informimin e publikut për aktivitetet e Këshillit të Ministrave e të ministrive, me qëllim që ky informim të jetë sa më i plotë dhe transparent. Thënë ndryshe, departamenti i informacionit dhe marrëdhënieve me publikun e afron qytetarin me qeverisjen dhe i shërben ndërgjegjësimit të publikut për punën e qeverisë.

Shumë shpejt bëhet një vit që ju punoni pranë Kryeministrit Berisha. Cili ka qenë momenti më i vështirë dhe momenti më i bukur për ju gjatë këtyre shtatë muajve në funksionin e drejtorit të departamentit të informacionit pranë Kryeministrisë?

Momenti më i vështirë ishte ai i fillimit, sepse departamenti ishte relativisht i ri dhe duheshin krijuar struktura koordinuese me ministritë, në mënyrë që të përmbushej funksioni i ri i departamentit. Por, në të njëjtën kohë, aktivitetet ishin shumë të ngjeshura, siç edhe vazhdojnë të jenë në fakt. Besoj se eksperienca në OKB, si dhe mbështetja që gjeta në kabinetin e Kryeministrit dhe të gjitha instancat e administratës më ndihmuan që ta kaloj këtë moment fillestar. Ndërsa momenti më i bukur i këtyre muajve është pa dyshim vizita e Presidentit Bush në Shqipëri. Pata nderin dhe kënaqësinë të takohem me Presidentin e parë amerikan në detyrë që vizitoi Shqipërinë, duke pasur edhe fatin të përjetoj nga shumë afër këtë moment historik. Sigurisht që gjatë përgatitjeve për vizitën nuk ke kohë të mendosh për dimensionin historik të ngjarjes, por jam shumë i lumtur që m‘u dha rasti të jap kontributin tim për mbarëvajtjen e një vizite tejet të suksesshme për kombin shqiptar.

Viti 2007 ishte një vit i ngarkuar dhe i vështirë politikisht për qeverinë, ku mund të kujtoj që për një moment vendi u rrezikua të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Mund të na zbuloni disa nga detajet më pikante të shefit të qeverisë gjatë vitit 2007, qoftë edhe nga takimet e tij me homologët e huaj?

Ajo që unë di me siguri është se situata politike që kaluam gjatë vitit 2007 nuk e cenoi aspak axhendën diplomatike të Kryeministrit Berisha. Kryeministri ka pasur dhe ka një axhendë intensive takimesh frytdhënëse me homologë të huaj. Ajo që të bën përshtypje, që në fillim, është vlerësimi pozitiv për zhvillimin e Shqipërisë. Të gjithë shprehen të mahnitur se gjejnë një Shqipëri dinamike, një vend ku krimi i organizuar dhe korrupsioni po luftohen seriozisht, një vend që ka rifituar besimin e investitorëve të huaj. Sigurisht që ka ende punë për të bërë, por qeveria ka demonstruar një vullnet të qartë për të vazhduar reformat deri në integrimin e plotë të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Anëtarësimi në NATO dhe BE përbëjnë dy qëllimet kryesore të shqiptarëve në këtë shekull. Është një detyrë e rëndësishme për departamentin që unë drejtoj, që ta përcjellim sa më mirë punën e bërë deri tani nga qeveria, duke i shërbyer kështu edhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.

Viti 2008 është cilësuar si vit sfide për qeverinë shqiptare. Përveç Samitit të Bukureshtit, që pritet të mbahet në prill, ju, si njeriu i afërt i Kryeministrit, mund të na zbuloni disa nga surprizat që pritet të ofrojë kryeministri gjatë 2008-ës, duke iu referuar axhendës së tij. Cilat janë vizitat më të rëndësishme për këtë vit në nivel diplomatik?

Marrja e ftesës për Samitin e Bukureshtit është një nga objektivat e mëdha të qeverisë. Shqipëria është një demokraci funksionuese. Qeveria ka bërë çdo përpjekje për të përmbushur çdo detyrim të saj për të merituar këtë ftesë. Kjo do të thotë që muajt e parë të këtij viti do të jenë të ngjeshura me takime shumë të rëndësishme. Mes tyre do të veçoja pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, përkrah shumë udhëheqësve dhe personaliteteve botërorë. Gjithashtu do të doja të përmendja edhe vizitën që Kryeministri Berisha do të zhvillojë në Japoni. Kjo është vizita e parë zyrtare e një Kryeministri shqiptar në këtë vend, i cili renditet ndër të të shtetet me ekonomi të zhvilluar në botë. Kryeministri Berisha ka planifikuar ta zhvillojë këtë vizitë në fillim të muajit shkurt me ftesë të homologut të tij japonez. Një tjetër çështje madhore në axhendën e kryeministrit, por kjo nuk është surprizë, është angazhimi i tij për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Zoti Rroji, punoni pranë një qeverie që deri dje është vetëcilësuar si një qeveri në dietë, nga ana tjetër, pjesa më e madhe e drejtorëve të kabinetit ka një moshë mesatare rreth 35 vjeç, me çfarë syri e shikoni institucionin për të cilin ju punoni. A jeni ju kritikues për rezultatet e arritura deri tani, apo mendoni se kritikat për selinë e kryeministrisë nuk kanë vend?

Në fakt, do të doja t‘ju korrigjoja në pyetjen tuaj. Qeveria nuk është vetëcilësuar si qeveri në dietë. Në këto dy vjet, ashtu siç edhe ka premtuar në programin e saj, qeveria ia ka arritur me shumë sukses të shkurtojë dhe të mbajë nën kontroll shpenzimet operative. Vetëm në 2007-ën si rezultat i mirëmenaxhimit të fondit të pagave dhe shpenzimeve operative të marra së bashku, janë shpëtuar nga abuzimet 2.3 miliard lekë. Dhe ky është një tregues i qartë i qeverisjes se mirë. Si një 33-vjeçar, që punoj për qeverinë, mua më vjen mirë që shoh të tilla arritje në Shqipëri. Besoj se këtë provojnë edhe kolegët e tjerë, pavarësisht moshës së tyre. Sa për kritikat, që ju më pyesni, natyrisht që për to ka vend në çdo shoqëri demokratike. Megjithatë, nuk më duket se rezultatet që citova lënë vend për kritika.

Lufta ndaj korrupsionit ka rikthyer PD në pushtet, ndërkohë që për 2 vjet qeveria në axhendën kryesore ka pasur tolerancë zero ndaj korrupsionit. Me gjithë këtë betejë të bërë deri tani, korrupsioni vazhdon të ngelet një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Raportet ndërkombëtare rendisin Shqipërinë me një nivel të lartë korrupsioni. Si qytetar i thjeshtë, si e perceptoni këtë situatë?

Qeveria, jo vetëm ka pasur, por edhe vazhdon të ketë në programin e saj luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit. Kjo ka bërë që në këto dy vjet Shqipëria të përmirësojë renditjen në indeksin që mat shkallën e korrupsionit të një vendi. Sigurisht, që korrupsioni është një kancer, që kërkon luftë të vazhdueshme dhe angazhim maksimal. Nga 2005-a në 2007-ën, unë, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë, kam parë se vendi po bën progres, cka reflektohet edhe ne raportet e Transparency International, ku Shqipëria është ngjitur nga niveli 2.3 në nivelin 2.9 të perceptimit të korrupsionit.

Keni përballuar një vizitë të rëndësishme në Shqipëri, siç qe ajo e Presidentit të SHBA-së, George Bush. Mund të na thoni kush e hartoi deklaratën përfundimtare për shtyp: Ju apo zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Mund të tregoni detaje të këtyre momenteve protokollare?

Në të tilla raste nuk ka deklaratë të përbashkët. Siç e patë edhe në konferencën e shtypit, Presidenti Bush dhe kryeministri Berisha shprehën vlerësimet e tyre për takimin dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Personalisht, pata fatin që të bashkëpunoj nga afër me stafin e ngushtë të Presidentit Bush, përfshirë zëdhënësen e Shtëpisë se Bardhë, Dana Perino. Jam gjithashtu shumë i kënaqur sepse gjatë vizitës së Presidentit Bush më ra rasti të takoj edhe një nga legjendat e politikës amerikane, arkitektin e dy fushatave të Presidentit Bush, zotin Karl Rove.

Më falni, që ju ndërpres, por ju po thoni se Karl Rove ka qenë në Tiranë gjatë vizitës së Presidentit Bush? Si ka mundësi që kjo nuk është bërë publike?

Karl Rove jo vetëm që ka qenë në Tiranë, por ai ka ndjekur nga afër edhe konferencën e shtypit të Presidentit Bush me kryeministrin Berisha, që përbënte edhe zhvillimin më kulmor politik të vizitës në Shqipëri. Mund t‘ju them qe gjatë konferencës, Karl Rove, ishte ulur në rreshtin e dytë të personaliteteve që merrnin pjesë dhe unë isha ulur përbri tij. Kjo më dha mundësinë që me zotin Rove të shkëmbenim përshtypjet për vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri.

Prej një viti ju jeni i dubluar nga zëdhënësja zyrtare e qeverisë Majlinda Bregu. Gjatë përvojës tashmë një vjeçare a e keni ndjerë veten në hije, apo keni bashkëpunim të frytshëm mes njëri-tjetrit?

Po të keni qenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve, do të kishit kujtuar momentin kur unë jam prezantuar. Në atë kohë, Majlinda kishte rreth një muaj që kishte marrë detyrën e zëdhënëses së qeverisë. Dhe kështu që është fare e qartë se nuk ka vend dhe nuk është me vend fjala "dublim". Bashkëpunimi me Majlindën jo vetëm që është efikas, por për shkak të komunikimit të përditshëm, them se marrëdhëniet tona shkojnë përtej komunikimit zyrtar.

Zyra e shtypit e Kryeministrit shqiptar, sipas përvojës tuaj sa ngjan me një zyrë shtypi perëndimore, p.sh me atë të OKB-së ku ju keni punuar?

OKB-ja është një organizatë shumëkombëshe dhe ka një strukturë të ndryshme nga ajo e një qeverie, prandaj krahasimet e drejtpërdrejta janë të pamundura. Ngjashmëri gjej tek profesionalizmi i stafit dhe përkushtimi i plotë ndaj punës.

Ju ka qëlluar të hartoni ndonjë deklaratë të Kryeministrit apo është zoti Berisha që e shkruan atë nga e para?

Siç ju shpjegova në fillim Departamenti që unë drejtoj nuk ka për funksion hartimin e deklaratave, por përcjelljen e tyre tek publiku.

Sa kohë të lirë ka drejtori i informacionit në kryeministri, dhe çfarë bëni ju gjatë kohës së lirë? Si e menaxhoni kohën e lirë?

Nuk më mbetet shumë kohë e lirë. Do të doja të bëja më shumë sport. Jam shumë i pasionuar pas basketbollit, por, tani, më duhet të kënaqem duke e ndjekur atë në televizor, madje edhe këtë e bej pas mesnatës.

Jeni zotërues i katër gjuhëve të huaja, ndërkohë që keni njohuri fillestare me hebraishten. Çfarë e lidh Grid Rrojin me këtë gjuhë?

Me hebraishten më lidhi ambienti ku unë kam studiuar. Kolegji që frekuentoja në Nju-Jork është i vendosur në një lagje të banuar nga një komunitet i madh hebre dhe si i tillë shumë prej miqve të mi janë hebrenj. Në këtë mënyrë u njoha me historinë, kulturën dhe traditat e tyre, duke krijuar edhe afeksion për to. Kështu që vendosa të merrja një kurs semestral hebraishteje, i bindur se duke mësuar gjuhen e tyre, mund të eksploroja më mirë dhe më nga afër kulturën e lashtë hebraike. Sigurisht që u përballa me një gjuhë krejt të re dhe shumë të ndryshme nga gjuhet indo-evropiane që njihja, anglishtja, frëngjishtja, italishtja apo spanjishtja. Kur nisa të marr njohuritë e para në hebraisht, çuditërisht zbulova edhe një gjë tjetër tek vetja; se nga 4 gjuhët që flas, spanjishtja është ajo që më pëlqen më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›