E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretendimi, banda e Aldo Bares "kërkon" gjyqtarë

Grupi prej shtatë të pandehurish, që akuzohen si anëtarë të Bandës së Lushnjës, rrezikon të mbetet pa trup gjykues dhe madje në vështirësi për të gjetur një të tillë. Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë seancës së radhës të procesit ndaj të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka (Agur Musaku) dhe Rexhep Gina, avokatët mbrojtës kanë kërkuar largimin e trupit gjykues të drejtuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Arsyeja e kësaj kërkese lidhet me faktin se disa nga anëtarët e trupit gjykues kanë marrë pjesë edhe në gjykimin e çështjes së një tjetër anëtari të Bandës së Lushnjës, çështja e të cilit ishte ndarë për shkak të përfundimit të afateve të hetimit. Në këtë mënyrë, avokatët kanë deklaruar dje se gjyqtarët mund të jenë të ndikuar nga vendimi që kanë marrë më përpara dhe nuk do të jenë të drejtë në gjykimin e çështjes së pjesës tjetër të grupit të të akuzuarve.

Dy ditë më parë, pikërisht ditën e mërkurë, Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin për dënimin e Enver Boriçit, njërit nga anëtarët e Bandës së Lushnjës. Ky person kishte nisur të gjykohej bashkë me pjesën tjetër të grupit prej shtatë të akuzuarish, por gjykata nuk pranoi zgjatjen e afateve hetimore edhe për tre muaj të tjerë dhe në këtë mënyrë prokuroria u detyrua të vazhdonte çështjen dhe të niste për gjykim dosjen. Në këtë mënyrë, gjykimi përfundoi më shpejt dhe në përfundim të tij trupi gjykues, i drejtuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, dha vendimin e fajësisë duke e dënuar Enver Boriçin me 12 vjet heqje lirie.

Pikërisht nisur nga fakti që disa nga gjyqtarët që dhanë këtë vendim janë anëtarë të trupit gjykues, që është duke shqyrtuar çështjen ndaj shtatë të akuzuarve të tjerë, ndër të cilët edhe vëllai i Enver Boriçit, Arbeni, ka bërë që mbrojtja të kërkojë përjashtimin e këtij trupi gjykues. Megjithëse ende nuk është dhënë vendimi lidhur me këtë kërkesë të bërë nga mbrojtja, mendohet se gjërat mund të vështirësohen edhe më tej, nisur nga fakti që pothuajse të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet kanë gjykuar, ose janë duke gjykuar çështje që lidhen me këtë bandë. Kështu, aktualisht në këtë gjykatë janë duke u shqyrtuar tri çështje me të pandehur drejtuesit apo anëtarë të Bandës së Lushnjës. Kjo e bën edhe më të vështirë gjetjen e gjyqtarëve, të cilët mund të konsiderohen si të painfluencuar nga pala mbrojtëse. Burime jozyrtare nga Gjykata e Krimeve të Rënda thanë dje se avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë propozuar një zgjidhje disi të pazakontë për këtë rast. Ata kanë kërkuar që gjyqtarët e rinj, që do të gjykojnë këtë çështje, të caktohen nga KLD-ja në mbledhjen e radhës së këtij organi. Ende nuk dihet nëse kërkesa e avokatëve do të merret parasysh, pasi për këtë do të duhet të pritet më parë vendimi për largimin e trupi gjykues aktual, i cili ka zhvilluar deri tani 16 seanca në procesin ku të pandehurit janë akuzuar për veprat penale të "vrasjes me paramendim", "krijimit dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale", "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" etj., të parashikuara nga nenet 333/2, 78, 118, 151/1, 151/2, 278/2, 333 dhe 78 të Kodit Penal.

proceset

Gjyqet e Bandës së Lushnjës

Aktualisht, në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë duke u shqyrtuar 3 çështje që lidhen me aktivitetin e Bandës së Lushnjës. Ndërsa për shkak të mungesës së përgjigjeve të letër-porosive të gjykatës nga autoritetet italiane dhe turke, ka mbetur i bllokuar procesi ndaj dy drejtuesve të bandës, Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, duket se një tjetër proces ndaj këtij të fundit është duke përfunduar. Kërkesa e të pandehurit për gjykim të shkurtuar e ka çuar drejt fundit procesin ndaj Dondollakut. Në seancën e fundit, prokurori dha pretencën, duke kërkuar burgim të përjetshëm për numrin dy të bandës, duke i lënë radhën mbrojtjes për konkluzionet përfundimtare e më pas gjykatës të thotë fjalën e fundit. Procesi i tretë është ai ndaj shtatë anëtarëve të tjerë të bandës, në të cilin mbrojtja ka kërkuar largimin e trupit gjykues. Tri ditë më parë, një tjetër proces që lidhej me këtë bandë u mbyll në gjykatë, Enver Boriçi u dënua me 12 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›