E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ethet zgjedhore "çmendin Beogradin"

Ethet zgjedhore në Serbi për Presidentin e ardhshëm, kanë futur vendin në një atmosferë gjithnjë e më shumë antiperëndimore. Miratimi disa ditë më parë i rezolutës së Parlamentit serb kundër pavarësisë së Kosovës, me përkrahjen e partisë së Presidentit Tadiç, është shoqëruar me qëndrime edhe më ekstremiste nga një drejtues i partisë së Kryeministrit Vojisllav Koshtunica. Ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiç, ka shkuar deri atje sa ka bërë thirrje për pezullimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian, nëse Brukseli do të dërgojë misionin civil në Kosovë.

Samarxhiç vlerësoi se me angazhimin e misionit të BE në Kosovë "do të rrëzohej Marrëveshja e Stabilizim Asocimit" të Serbisë me Bashkimin Evropian. "Në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit në mënyrë eksplicite të dy palët janë nënshkruese Serbia dhe BE, të cilat obligohen se do të respektojnë Kartën e OKB. Rezolutën 1244 dhe Aktin përfundimtar të Helsinkit. Të gjitha këto dokumente bazike absolutisht garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë në kufijtë e tashëm ndërkombëtarë", thuhet në deklaratën e Samarxhiçit. Ministri, drejtues i lartë i Partisë Demokratike Serbe të Koshtunicës ka sulmuar ashpër edhe qëndrimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana, se dërgimi i Misionit të BE nuk paraqet shkelje të të drejtës ndërkombëtare. Sipas fjalëve të Samarxhiçit, një qëndrim i tillë mund të thotë se për Solanën e drejta ndërkombëtare fare nuk ekziston. "Paralajmërimi se Këshilli i Ministrave të BE-së më 28 janar mund të marrë vendim formal për dërgimin e misionit të BE jo që paraqet shkelje të rëndë të drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244, por me këtë vendim do të rrëzohej Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit", theksoi ministri për Kosovën.

Rupel

Ndërkaq, nga ana e drejtuesve politikë të Evropës kanë ardhur mesazhe qetësuese. Miratimi i rezolutës për Kosovën në Parlamentin e Serbisë duhet parë si "pjesë e atmosferës parazgjedhore në Serbi", tha ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, vendi i të cilit më 1 janar 2008 merr drejtimin e Presidencës së Bashkimit Evropian. "Shumica e veprimeve politike në Beograd është për përdorim të brendshëm parazgjedhor", tha Rupel. Ai shtoi se Beogradi duhet të pyesë veten se si mund të "mbijetojë një shtet në afat të gjatë duke qenë i rrethuar nga vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe vetë të mos jetë pjesë e këtij Unioni". Sllovenia merr nga 1 janari kryesinë 6-mujore të Bashkimit Evropian. Ministri i Financave të Sllovenisë, Andrej Bajuk, duke komentuar presidencën sllovene tha se "vendet e vogla nuk kanë fuqinë të imponojnë qëndrimet e tyre mbi të tjerët, por mund të jenë më efikase në kërkimin dhe gjetjen e konsensusit".

SHBA

Ndërkaq, nga Uashingtoni kanë ardhur mesazhe kërcënuese për Beogradin se mund të izolohet nga bota nëse nuk pranon realitetin. "Serbia dhe shtetet e tjera duhet të ballafaqohen me realitetin e ri, pas përcaktimit të statusit të Kosovës. Ne të gjithë pajtohemi se është koha për vendosjen e marrëveshjes mbi statusin e Kosovës, pasi çdo tentim i deritashëm për ta arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar", ka thënë zëdhënësi i qeverisë amerikane, Tom Kejsi, në konferencën e fundit për shtyp të departamentit amerikan për këtë vit. Në konferencën për shtyp, zëdhënësi i qeverisë amerikane tha se Kosova për një kohë të gjatë është një çështje e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa ritheksoi qëllimin për ecje drejt zbatimit të planit Ahtisari. "Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe dëshirojnë që populli i saj të arrijë disa nga objektivat euroatlantikë", tha Casey, i cili kërcënoi indirekt Beogradin kur tha se këto synime euroatlantike nuk do të avancoheshin po qe se Serbia edhe vepron ashtu siç po deklarojnë disa nga udhëheqësit e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›