E Diel, 1 Nëntor 2026

Trishtimi i zonjës Shuteriqi

Nga sytë blu, nën qerpikë, një lot rrokulliset mbi fytyrën e mbuluar nga ca rrudha të lehta, teksa zonja Shuteriqi hap derën që të çon në bibliotekën e së shoqit. Në atë apartament të mbushur me libra, kujtimet e lëndojnë trupin e mbajtur me kujdes të kësaj zonje, për të cilën kjo hapësirë është gjithçka. Mbi tavolinën e drunjtë, ku ajo ka vendosur në një pjatë ca biskota që i ka gatuar vetë për festë, dikur ai (i shoqi) vendoste fletët e bardha, mbi të cilat punonte deri mbrëmjeve vonë...

Dikur ajo ka hyrë më e re në këtë hapësirë. Atëherë kur rrudhat ende nuk kishin prekur fytyrën dhe supet e tij ishin më të fuqishëm, ajo hapte lehtë këtë portë, duke e ndjekur me ëndje teksa ai punonte aq qetësisht...

Por vitet e fundit, edhe pse e hap këtë portë më shpesh, ajo nuk e gjen më atë aty, as në karrigen e drunjtë, por vetëm në raftet e pafundme të librave, ku në çdo kapak të tyre, asaj i shfaqet një histori...

Ǒështë vetmia për një grua? "Mungesa e dashurisë" do të shprehej Mynever Shuteriqi. Por çfarë ishte Dhimitri për të? "Shkëmbi ku mbështetesha dhe gjeja sigurinë, supi ku pushoja dhe merrja kënaqësi. Tani gjej ngushëllim te vepra e tij", shkruan ajo në parathënien e një libri me kujtime, kushtuar jetës pranë shkrimtarit dhe bashkëshortit Dhimitër Shuteriqi.

Libri ka vetëm pak ditë që ka dalë në treg nga shtëpia botuese "Dituria". Në të Mynever, kjo grua që mbart aq shumë dashuri brenda saj, ka rrëfyer me gjuhën që ia mësuan librat, jetën e saj pranë një burri jo të zakontë. Në këtë libër nuk shfaqet vetëm dashuria e bukur e dy njerëzve që ditën ta ruajnë të tillë edhe atëherë kur vitet rënduan mbi ta, por dhe Shqipëria e atyre viteve, të cilët ata i kushtuan jetën me bindjet dhe besimin se i dhanë ndihmesën në mënyrën e tyre... Mynever ka rrëfyer gjithçka, e bindur se çdo rrëfim do t‘u tregojë diçka brezave që do të vijnë, se ajo jetë që tashmë i orvatet në mëndje përmes kujtimeve, është një histori që s‘duhet të mbetej vetëm brenda saj...

Ju keni hedhur në një libër kujtimet e jetës pranë një shkrimtari si Dhimitër Shuteriqi. Si lindën këto kujtime, çfarë kërkoni të tregoni përmes tyre?

Në parathënien e këtij libri unë shkruaj se kurrë nuk më kishte shkuar ndër mënd se një ditë do të shkruaja kujtime, dhe ca më pak një libër, sepse nuk e kisha atë prirje, por edhe sepse jeta jonë, me të bukurën dhe të veçantën e saj, është hedhur me dhjetëra e dhjetëra grimca në veprën letrare të Dhimitrit. Por kur ai u largua nga jeta, unë u ndjeva aq e trishtuar sa kisha filluar të ngurtësohesha, aq sa më dukej se asgjë brenda meje e trupit tim nuk funksiononte më nga dhembja. Por ekrani i trurit filloi të më riprodhonte me intensitet të habitshëm, pareshtur e me besnikëri, copëza nga vitet e gjata të jetës sonë. Kjo qe shtysa spontane që më nxiti të hedh në letër kujtimet e jetës sonë. Kështu, fletë pas flete, shkrova ato kujtime që ishin aq të dashura, të gjashtëdhjetë viteve jetë. Kur vajzat e mia i lexuan ato çfarë kisha shkruar, të habitura nga çfarë kishin lexuar më thonë: "Mami i ke shkruar bukur këto kujtime, vazhdo të shkruash pasi dhe ne kemi nevojë të dimë më shumë për jetën tuaj...". Dhe kështu vazhdova të shkruaj, duke besuar se këto kujtime do të jenë si një lloj trashëgimie shpirtërore, jo vetëm për fëmijët e mi, por edhe për nipat tanë të dashur, që i kemi çmuar përherë si thesarin më të vyer të jetës sonë.

Nga i nisët kujtimet?

I nisa nga ditët më të bukura, nga fillimet e jetës sonë. Dhe këto fillime janë koha kur ne jemi njohur. Në fakt, unë Dhimitrin e kam njohur që 14 vjeç. Nuk e kam njohur fizikisht që në atë moshë, por si letrar. Më kujtohet se më ra në dorë një revistë e njohur e asaj kohe "Bota e re" dhe aty pashë disa krijime të tij që më tërhoqën vëmendjen. Më pëlqyen shumë tregimet dhe në mendjen time, autorin që i kishte shkruar ato, fillova ta imagjinoja si një shkrimtar të vjetër. Poezitë që ishin botuar në atë revistë kishin si subjekt dhembjen, varfërinë e njerëzve. Dhe në mendjen time si adoleshente, shkrimtarët që shkruanin për këto tema duhet të ishin të vjetër, të pjekur, ndërsa të rinjtë duhet të kishin më shumë gëzim në krijimet e tyre, më shumë shpresë për jetën. Kështu lindi fillimisht tek unë imazhi për Dhimitrin, deri atë ditë kur për herë të parë u ndesha me të.

Si ishte ajo ditë?

Kjo ditë erdhi pesë vjet më vonë pas atij "takimi" letrar. Ndiqja vitin e fundit të shkollës Normale të Elbasanit. Një ditë, ndërsa po bëheshim gati të largoheshim nga shkolla, sepse kishim dy orë të lira, kujdestari i klasës, Andon Pano, na thirri të mblidheshim sërish në klasë. Disa prej shokëve tanë kishin ftuar profesorin e ri, Dhimitër Shuteriqi, të sapokthyer nga Franca për të na mbajtur një bisedë mbi Revolucionin Borgjez të vitit 1789. Për çudinë time, në katedër zuri vend një djalë i ri, me një paraqitje që më tërhoqi menjëherë vëmendjen dhe që e regjistrova në kujtesë në mënyrë krejt të pavetëdijshme, por tepër besnike: flokë të zinj, pak të valëzuar, fytyrë e bardhë, e fisme, muzë mishtore, me pjesën e poshtme disi të varur. Ndërsa në syzet e vogla me një rreth ari të hollë, që nuk më lejonin t‘i shquaja ngjyrën e syve, arrita të dalloj gjithsesi vështrimin e tij të vëmendshëm, që m‘u duk se më drejtohej mua, e ulur siç isha në bankë.

Pastaj nisa ta shihja shpesh shëtitjeve që ai bënte në atë rrugën e njohur të qytetit të Elbasanit, i veshur në një mënyrë krejt të veçantë. E shihja me ëndje shëtitjen e profesorit tek ecte i vetëm me një pallto të lehtë në ngjyrë të errët dhe katrorë të çelët me rripin varur paksa mbrapa. Por ato çka na bënin përshtypje të gjithëve, gati deri në habi, ishin bereta dhe llulla, me të cilat e shihnim përherë...

Pastaj, gati dy vjet më vonë, në verën e vitit 1944, kur Lufta Nacionalçlirimtare ishte në kulmin e vet, unë kisha dalë në mal për të marrë pjesë në Brigadën e 17-të Sulmuese që do të përurohej së shpejti...Por ndërsa shokët e mi u nisën nëpër vendet e caktuara, mua me thërret sekretari i partisë së Elbasanit, Zihni Muço, e më tha se isha caktuar të punoja në bazën e re ilegale të shtypit të partisë, së bashku me shokun Dhimitër Shuteriqi. Unë refuzova menjëherë, pasi si mund të bashkëpunoja me profesorin dhe shkrimtarin unë që nuk isha marrë kurrë me punë shkrimesh dhe tani po më kërkohej të shkruaja lajme, artikuj e komente? Por ai ishte një urdhër dhe unë u binda. Ishte një mëngjes i bukur, një vjeshtë e bukur, përmes gjithë atij gjelbërimi, ku ne shkuam në një fshat shumë të thellë, Stërstani, ku do të vendosej baza e re e shtypit. Aty u takuam për herë të parë. Ishte një kasolle fshatarësh ku u vendosëm. Në një pjesë të kasolles ishin dhitë dhe bagëtitë që flinin, në pjesën tjetër, e ndarë me një gardh, ishim ne. Kishim ato makinat daktilografike, dhe fshatarët me...

Kur erdhi nata, ata i thonë Dhimitrit që kjo shoqja të vijë të flejë në konakun e grave, por Dhimitri u thotë se kjo shoqja do të rrijë këtu, pasi dhe natën ne do të regjistrojmë ato çfarë japin radiot e huaja. Do të dëgjonim emisionet e lajmeve të cilat kapeshin në orët e vona, do t‘i redaktonim, daktilografonim, e shumëfishonim gjatë natës, në mënyrë që në mëngjes të niseshin e të shkonin në destinacionet përkatëse. E kuptova se më priste një punë e vështirë, për të cilën nuk kisha fare njohuri, gjë që ma rëndoi ankthin e shqetësimin. Ai e kuptoi në çast druajtjen time, më vuri dorën në sup miqësisht dhe më tha "këtë punë do ta bëjmë së bashku shoqja Mynever". U çudita që ma dinte emrin... Kështu punuam tre muaj deri në çlirimin e Elbasanit.

E kujtoni momentin kur ai ju shprehu dashurinë?

Ishte një natë nëntori, të cilën ai e ka hedhur në një nga poezitë e tij. Të gjithë shokët e shërbimit ishin shpërndarë dhe vetëm ne të dy kishim mbetur aty, dhe megjithëse ishte nëntor këta fshatarët na kishin sjellë shumë dru. Ne ishim transferuar nga kasollja në një nga ambientet më të mira të fshatarëve, në dhomën e pritjes, siç i thoshin ata. Ne kishim bërë një zjarr të madh, ku flaka ngjitej deri lart. Në këtë natë mbaj mend që po ndiqnim me qetësi lojën e flakëve. Ndërkohë gjylet e topave ndjeheshin shumë afër. Brofa tek dritarja frëngji për të dëgjuar më mirë krismat dhe shpërtheva në gëzim: dëgjo, dëgjo shoku Dhimitër, kjo më duket se është përleshja e fundit, çlirimi është punë ditësh! Ai nuk m‘u përgjigj, por pas pak dëgjova të thotë: "A thua se do të ndahemi e nuk do të shihemi më? Unë nuk e dua këtë. Dua të jemi gjithnjë e përngaherë bashkë". Shikimet tona u ndalën mbi sytë e njëri-tjetrit për t‘i dhënë përgjigje këtij pohimi; sytë e mi, edhe me habinë e rastit, kurse të tijtë, duke shprehur një lloj përmallimi, që kohët e fundit nuk më kishte shpëtuar pa e vënë re. Nuk arrita të përgjigjem, ndjeva një përqafim të vrullshëm. Në moment, mendova se unë këtë njeri e paskam dashur që në fillim, kur e pashë për herë të parë. Më kishte bërë shumë përshtypje ai vështrimi i parë në klasë, të cilin e kisha regjistruar aq mirë në kujtesën time dhe kur ia tregoja Dhimitrit këtë gjë, ai çuditej.

Në atë moment e përcaktova se ky ishte njeriu që unë doja. Ky ishte momenti i bashkëshortit që unë kisha bërë në inkoshiencën time.

Si rrodhi jeta juaj më pas, pas çlirimit të vendit?

Dhimitri në kohën e lirë të atyre muajve më njohu me disa nga krijimet e tij, mes të cilave ishte dhe një prozë poetike "Suzana dhe flutura", e cila dukej qartë se i kushtohej një dashurie të viteve studentore në Francë, dhe që ai nuk e botoi kurrë. Dhe më kërkonte mendimin mbi ato çfarë kishte shkruar. Unë në fakt kisha shumë ndrojtje për t‘i dhënë mendim, pasi mendoja se nuk isha e aftë për të gjykuar një vepër letrare. Më vonë e pyes se përse insistonte atëherë aq shumë që unë të jepja një mendim për ato çfarë ai kishte shkruar. Ai më thotë: "Që prej ditës kur u shkëputa nga aventurat e rinisë, formova bindjen se gruaja ime duhet të ishte dhe shoqja e vërtetë e jetës sime, që më shumë se askush tjetër, duhet ta kuptonte dhe ta mbështeste pasionin tim prej letrari". Dhe kishte të drejtë. Gjatë jetës me të kuptova se të jetoje me një shkrimtar duhet jo vetëm ta kuptoje, por dhe t‘i krijoje kushtet për lirinë e tij me të shkruarin.

Pas çlirimit punuam bashkë në gazetën "Shkumbini" në Elbasan, dhe kur Dhimitrin e transferuan në Tiranë, ai u kujdes që unë të zija një punë shumë pranë zanatit të tij. Fillimisht punova në Agjencinë Telegrafike të Lajmeve dhe më pas u vendosa në Komitetin Qendror ku isha inspektore për shtypin dhe botimet. Kështu kam qenë gjithnjë afër profesionit të tij...

Cili ka qenë një moment i vështirë në jetën tuaj?

Sigurisht që jeta jonë ka pasur dhe vështirësitë e kohës, një prej të cilave ka qenë pas Pleniumit të Katërt, ku Dhimitri u shkarkua nga posti në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve si liberal. Për mua, ky vendim ishte disi absurd, pasi Dhimitri kryesisht në veprimtarinë e tij shkencore, është marrë me traditat e kulturës kombëtare, ndërsa në letërsi është marrë me temën historike dhe shumë pak me atë aktuale. Ai /////////////////////është një nga autorët më të lidhur me traditën në krijimtarinë e tij. Është autori i shkrimeve shqipe, e cila është një vepër kolosale, gati një jetë e tërë punë, që tregon historinë e shkrimit shqip që në fillesat e tij. Natyrisht që vendimin e Plenumit nuk e pritëm mirë, dhe ka qenë një moment i vështirë në jetën tonë, të cilën e përballuam me besimin që pavarësisht asaj çfarë ndodhi, Dhimitri nuk do të shkëputej nga pasionet e tij siç ishte letërsia, shkenca, historia, dhe kultura në përgjithësi.

Ju duhet të jeni një nga lexueset më të mira të tij. Cilin nga librat që bashkëshorti juaj ka shkruar pëlqeni më shumë?

Dhimitri ka shumë tregime të bukura, një pjesë e të cilave u përfshinë në një vëllim të botuar në vitin 1999, me titull "Buka dhe thika". Në këtë vëllim ai ka mbledhur tregimet që i vlerësoi më shumë, por nuk pati mundësi të zgjidhte më shumë, pasi vetë hapësira e një vëllimi me tregime ishte e tillë. Në një nga ditarët që ai shkruan, kam gjetur këtë shënim "Më vjen keq që në këtë përmbledhje nuk përmblodha pjesën më të mirë të krijimtarisë sime, pasi aq ishte vëllimi".

Një nga veprat e tij që unë e çmoj më shumë është romani "Sytë e Simonitës", një roman që u botua disi me vonë nga koha që Dhimitri e shkroi. Ai e shkoi këtë roman në vitet 1983-1984 dhe e botoi në vitin 1999. Kjo pasi miqtë e tij që ia kishin lexuar në dorëshkrim i kishin thënë se nuk ishte i përshtatshëm me kohën kur e kishte shkruar. Mendoj se është një roman tepër i bukur dhe i shkruar mirë.

Pastaj, nga krijimtaria e tij mund të veçoj dhe tregimet historike si tepër të bukura. Ato nuk janë të bukura vetëm se flasin për një periudhë tepër të rëndësishme të jetës së popullit tonë, por edhe për forcën artistike që gjen në to. Diku në ditarët e tij ai shkruan për romanin "Sytë e Simonidës" se "Më vjen keq që kjo vepër shkoi pa shumë jehonë".

Çfarë shkroi vitet e fundit të jetës?

Dhimitri vitet e fundit të jetës nuk shkroi gjë, por u mor më shumë me artikuj. Një nga veprat kryesore të Dhimitrit është "Shkrimet shqipe", të cilat ishin ribotuar katër herë, i kishte botuar dhe Kosova, por Dhimitri e pasuroi këtë vepër me zëra të rinj, që bëjnë pothuajse një vepër të re. Kjo vepër u botua në vitin 2004. Një tjetër vepër e rëndësishme është edhe "Moti i madh", vepër të cilën e botuam ne. Është një vepër historike ku përmblidhen dokumente të mbledhura nga arkivat e vendit dhe ato të huaja...Një libër që i ka ngrënë shumë kohë.

A mendoni se iku i lumtur nga kjo jetë?

Ai e ka shkruar në një nga ditarët e tij se "jam i kënaqur pasi bëra atë që mund të bëja për vendin tim, dhe pata një familje të mirë. Saktësisht shkruan kështu: "Punova shumë gjatë gjithë jetës sime, gjatë gjithë jetës kam qenë me kalem e libër në dorë. Nuk dua të mburrem, nuk dua të tregoj krenari me këtë, se të tjerë mund të kenë punuar më pak nga unë, por mund të kenë dhënë vlera më shumë nga unë".

Mynever e dashur,

Prej disa ditësh jam në Budapest, dhe shpresoj që nga data 15-të të jem aty pranë jush. Kësaj radhe nuk po të shkruaj gjë për këtë qytet të bukur, sepse të kam folur tjetër herë, por për diçka që për mua qe një surprizë e bukur fort. Ti e di tanimë huqin tim për të rrëmuar kudo që jam në rrënjët e qytetërimit shqiptar. Duke ditur se në shekullin e XVIII në Evropën Qëndrore dhe Danubiane patën emigruar shqiptarë, shumica e tyre voskopojarë, kërkova ndihmën e arkivit të këtushëm për të gjetur ndonjë gjurmë shqiptare të kësaj kohe. Ato më çuan në fshatin Rackovë, ku në kishën e fshatit zbulova një mbishkrim ku shënohej se pjesën jugore të tempullit e kish pikturuar e gdhendur në dru në vitin 1771, shqiptari Theodhor Grundi! S‘të them dot ç‘gëzim ndjeva, aq më tepër se punimet e Grundit m‘u dukën prej dore mjeshtri dhe besoj që ai të mos jetë shqiptari i vetëm që pikturoi në viset austro-hungareze. Më fal Mynever, që s‘të pyeta për shëndetin, fëmijët, por ti e di si rrëmbehem unë në këto raste, ç‘gëzim e krenari ndjej. Sidoqoftë do të shihemi shumë shpejt e do të flasim për shumë gjëra dhe besoj se do të më kuptosh e s‘do të vijë keq që këtë letër e nisa dhe e bitisa me fshatin Rackovë të Hungarisë.

Të puth fort-yti Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›