E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapedani ekspozon vetveten

Aktori vlonjat, Albert Verria, ka hapur një ekspozitë fotografike në ambientet e teatrit "Petro Marko", ku janë paraqitur të gjitha personazhet që ai ka luajtur në kinema e teatër. Albert Verria ka luajtur rreth 40 role në filma e dyfishin e tyre në teatër. Dhe gjithnjë ka shënuar kulme. Tipologjia e tij, stili i veçantë i ndërtimit të karaktereve, e ka bërë Verrinë që të jetë ndër aktorët më të shquar shqiptarë dhe gati të pakrahasueshëm në profilin e tij. Kemi parasysh këtu, rolin e xha Sulos te "Kapedani". Ai rol për shumë e shumë arsye mbetet një ndër majat e rekordet e kinematografisë shqiptare. Maja në kuptimin e nivelit të lartë artistik me të cilin është gatuar personazhi e rekord, sepse Albert Verria, ka luajtur me 40 vjet për ta skalitur atë rol; ka qenë 30 vjeç dhe ka arritur të realizojë në mënyrë aq perfekte një 70-vjeçar. Ndaj dhe fotografia e xha Sulos, është ndër më kryesoret mes 70 të tillave që përbëjnë ekspozitën. Role të paharrueshme të Albert Verrisë do të mbeten dhe Sollë Lili te "Agimet e stinës së madhe", Kaporal Pelegrini te "Në fillim të verës", Nuri beu te "Koncert në vitin 36", apo ai i ballistit te "Shtigje lufte". Albert Verria i përket atij brezi të artë që vunë themelet e artit skenik dhe atij kinematografik në Shqipëri. Ai dhe sot vijon të jetë aktiv në karrierën profesionale, i angazhuar pranë teatrit të qytetit të tij. Ekspozita me foto nga rolet që ka luajtur në kinema, teatër është një iniciativë e vet aktorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›