Kosova Kreshnike te tre tenorët
Më e veçanta e koncertit të sivjetshëm "Tre tenorët", një eveniment i përvitshëm që po shndërrohet në traditë tashmë e që mban "copyright"-in e një prej protagonistëve, Kastriot Tusha, ishte një krijim i ri, enkas për Kosovën, këto kohë kur po diskutohet pavarësia e saj. "Kosova kreshnike" ishte prurja e koncertit të madh që mbante firmën e vëllezërve Tikuqi, Davidit si kompozitor e Gencit si interpretues, që erdhi nga Franca, apostafat për koncertin e së dielës. "Kosova Kreshnike" solli emocione të jashtëzakonshme në sallë, aq më tepër dhe që dhe repertori kishte shumë krijime shqiptare si "Për ty atdhe" apo "Shqiponja e lirë". Përfshirja e interpretimeve të tilla në një koncert të përmasave të tilla, i jep një tjetër dimension krijimtarisë së mirëfilltë shqiptare. Dhe është për t‘u evidentuar një fenomen pozitiv, që interpretues me emër të skenës sonë, po u rikthehen këngëve të dikurshme, me kualitetet të lartë artistik, në të gjitha komponentët, duke i ringjallur si modele të një cilësie të lartë me firmat e krijuesve më të mirë ndër vite. Në këtë linjë është për t‘u përgëzuar dhe rikthimi i një krijimi kushtuar Kosovës, që kishte munguar në skenat shqiptare, ndoshta që nga periudha e luftës më 1999. Dhe jo vetëm, kaq, por interpretimi për herë të parë i një krijimi të tillë në koncertin "Tre tenorët", shton si vlerat e krijimit, si të koncertit e si të vëllezërve artistë David e Henc Tukiqi.