Rama: Materiali prej 16 mijë faqesh për Ballukun nuk është provë, por iluzion propagandistik

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se, Prokuroria ka kërkuar arrest pa gjyq për Belinda Ballukun.
Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi edhe rastin e kryetarit të bashksië së Tiranës, Erion Veliaj.
“Fatkeqësisht, nuk është rasti i parë, por fatmirësisht nuk është as rasti më i vështirë, sepse ndryshe nga sa ka ndodhur, për shembull, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, prezumimi i pafajësisë së të cilit nuk ka ekzistuar as përpara se ai të merrej për herë të parë në pyetje. Gjyqi mediatik ndaj të cilit ishte një tjetër masakër, me gurësh dhe përshtypje, ishte një libër shtëpie i denjë për mesjetën, jo për një shoqëri europiane”, tha Rama.
Rama u shpreh se Kushtetua ia jep në këtë rast Kuvendit të vendosë.
“Në këtë rast, thashë fatmirësisht, sepse vjen tek ne, na e jep ne Kushtetuta të drejtën të gjykojmë mbi dëshirën, nevojën dhe argumentet e prokurorit për të kërkuar një arrest pa gjyq, sepse kjo është ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët për të kuptuar pozicionin tonë. Pozicionin tim. Arrest pa gjyq, asgjë më shumë, asgjë më pak. Dhe kështu na e jep Kushtetuta mundësinë që as mos e humbim nga sytë, as të mos kemi fuqi ta ndihmojmë viktimën më të madhe deri më sot të reformës në drejtësi”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se viktima më e madhe deri më sot e reformës në drejtësi është parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Që në të ngremë dorën për të votuar kërkesën e arrestit për Belinda Ballukun, me kartonin që na kanë dhënë socialistët dhe mbështetësit tanë, përfshi dhe ata të kryeqytetit të socialistëve në Fier, na duhet të kemi të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë”, tha Rama.
“Nuk po them të kemi skenë krimi, të kemi kushte flagrante, apo të kemi qoftë edhe një provë bindëse për tentativë arratisje apo prishje të provave, të cilat janë normalisht arsye “sine qua non” për paraburgimin, sepse sjellin një dëmtim relativ të parimit të prezumimit të pafajësisë. Por po them të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë”.
Rama rikujtoi dy rastet e mëparshme kur është votuar pro dhënies së autorizimit për arrestim për kreun e PD, Sali Berishën dhe ish-kryeministrin Arben Ahmetaj.
“Në kujtesën time qysh prej reformës në drejtësi, ne kemi votuar për dy arreste: njëri për shkelje të përsëritur të vendimit të gjykatës, pra një votim automatik pa nevojë për ndonjë diskutim, tjetri për plot të zeza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, gjëra që na krijuan bindjen se kërkesa e prokurorit ishte e përligjur. Në këtë rast nuk kemi asgjë nga këto”, tha Rama.
Rama u shpreh se problem është edhe materiali prej 16 mijë faqesh që shoqëron kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun.
“Ndërkohë, kam dhe një problem tjetër. Materiali shumë voluminoz që e shoqëron kërkesën, sic u tha edhe nga prokurori, 16 mijë faqe, është në fakt tregues i dobësisë së madhe që ka kërkesa, sepse ato 16 mijë faqe janë kolpo e bukur propagandistike për t’u dhënë shqiptarëve të etur për drejtësi një iluzion voluminoz me vjedhje”, tha Rama.
Në fakt, shtoi kryeminsitri, “ato janë studime, janë projektime, janë prokurime, janë vendime, janë urdhëresa, janë arkiva e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë drejtimit të Belinda Ballukut, e marrë me kamion dhe e futur në dosje”.
“Nëse kjo përbën provë për diçka, është prova më e fortë e punës së madhe serioze të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë; të tjerat janë dokrra”, theksoi Rama.
“Unë nuk jam ndonjë njohës i procedurave të Kuvendit, por personalisht ia kam thënë dhe shokëve të Këshillit të Mandateve: po të isha një nga ata, unë do t’i ktheja mbrapsht ato 16 mijë faqe si një qasje jo serioze, për mua ofenduese, por unë mbase ofendohem lehtë, e përfaqësuesit të pushtetit të pavarur gjyqësor ndaj përfaqësisë së pushtetit të pavarur legjislativ”, tha Rama.
“Dhe pikërisht si iluzion optik. I mbani mend kur keni qenë fëmijë ato pasqyrat e thyera që kapnin diellin dhe ia përplasnin syve dikujt, një gjë e vogël që duket sikur është gjithë dielli përballë? Ashtu janë ato 16 mijë faqe”, u shpreh Kryeministri.
“Ulsi Manja më ka shpjeguar njëherë fenomenin e volumeve të mëdha të kërkesave të prokurorëve me fjalët e nderuara të Stavri Çecos, profesor i nderuar i Fakultetit të Drejtësisë, i cili thoshte: “Kur s’ka prova bindëse, shkruhet gjatë; kur ka prova bindëse, shkruhet shkurt, se flasin provat”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për parqitjen e një incizimi nga prokurori special.
“Por, më e rëndësishmja, sipas meje, në vajtjen e prokurorit pranë Kuvendit është një diçka tjetër: paraqitja e një incizimi të një bisede mes një të pandehure dhe një bashkëbisedueseje, ku e pandehura, sipas prokurorit, na qenkësh kërcënuar. Sipas shokëve të Këshillit të Mandateve, në atë procesverbal nuk përmendet asgjëkundi Belinda, ministrja, titullarja apo ndonjë kërcënim real”, tha Rama.
“Tani, besojeni ose jo, unë vetë as nuk e kam dëgjuar, as nuk kam ndërmend ta dëgjoj këtë kërcënim të incizuar apo të lexoj procesverbalin. I kam tmerr këto forma, por drejtësia ka detyrën e vetë t’i përdorë. Kjo, sipas prokurorit, e ka shtyrë atë të marrë gjithë atë volum dhe të vijë të kërkojë nga Parlamenti i Shqipërisë arrestimin e një deputeteje, e cila, një kujtesë e vogël këtu, është prind i vetëm i një vajze minorene”, theksoi Rama.
/gj.m/a.f/