E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia sjell me pranga në Tiranë vrasësin e Vishajt

Italia sjell në pranga vrasësin e nënës së këngëtares Elsa Lila. Albenc Ago, 40 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e Eva Vishës, është ekstraduar dje nga Milano, ku ishte i izoluar që në gusht të vitit 2006, kur u arrestua nga policia e shtetit fqinj. Pikërisht më 26 gusht të vitit 2006, Albenc Ago, vrasësi i nënës së këngëtares Elsa Lila, Eva Vishës, është kapur në Padova të Italisë. Në atë kohë, Ministria e Brendshme e konfirmoi faktin e arrestimit të 37-vjeçarit, i cili tashmë është dënuar në mungesë me 20 vjet heqje lirie dhe deklaroi që ka qenë një kombinim i punës mes dy shteteve, të cilat kanë çuar në prangosjen e tij. Pas marrjes së informacioneve, drejtësia shqiptare i ka dërguar këto informacione në Itali dhe pas verifikimit të kryer nga agjentët e antikrimit, policia italiane ka lokalizuar zonën ku ndodhej i kërkuari Ago. Sipas informacioneve, Ago fshihej në shtetin fqinj me emër të rremë. Vendimi i dënimit për të është dhënë tri vite më parë nga gjyqtari Gjin Gjoni në mungesë të të pandehurit, për shkak të mosgjetjes së tij. Ndërkohë, edhe kërkesa e prokurorit ishte e njëjtë. Për veprën penale të vrasjes, prokurori Granit Shahu kërkoi dënimin me 20 vjet burg dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, dënimin me 3 vjet e 6 muaj burg. Përfundimisht, gjykata dha dënimin me 20 vjet heqje lirie. Bazuar në hetimet e kryera, në momentin e vrasjes viktima ka qenë e shoqëruar nga Albenc Ago, që shërbente si shofer vullnetar në Partinë Socialiste. Sipas dokumenteve zyrtare, familjarët e Eva Vishës kanë deklaruar se 37-vjeçarja ka qenë e punësuar si kameriere në lokalin "Juna" në Tiranë dhe kishte njohje me autorin e vrasjes. Eva Vishaj u gjet e vrarë në vitin 1997. Në datën 23 maj të atij viti, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, kilometri 29 në fshatin Gracen, shoferi i një furgoni i quajtur Astrit Hasa, ka gjetur trupin e një gruaje. Pasi e ka marrë në makinën e tij, shoferi është nisur menjëherë në spital, duke e dërguar në morg. Vetëm këtu është vërtetuar se ishte Eva Vishaj. Në morg, trupi i viktimës është njohur nga dëshmitarët Ardian Resuli dhe Gaz Demi. Eva Vishaj ka punuar në maj të vitit 1997 si kameriere në lokalin "Juna". Ndërsa në datën 23 maj 1997, rreth orës 16:00, Eva Vishaj ka qenë në palestrën e shkollës "Hoxha Tahsim". Pikërisht ky ka qenë edhe vendi ku viktima është marrë me makinë nga i pandehuri Albenc Ago dhe një person tjetër, për të cilin nuk thuhet se kush është. Këtë fakt e vërtetojnë drejtoresha e shkollës "Hoxha Tahsim" dhe mësuesja e aerobisë, Shpresa Thëngjilli. Sipas kësaj të fundit, në këtë datë dhe orë, Eva Vishaj ka dalë nga dera e shkollës dhe ka hipur në makinën tip "Mitsubishi". Prokuroria ka thënë se Eva Vishaj para se të qëllohej me një plumb në syrin e djathtë, është keqtrajtuar. Gjithashtu, është thënë se Albenc Ago kishte një njohje të gjatë me Vishajn, e cila ra pre e dhunës së tij. Në trupin e saj u vunë re në atë kohë shumë hematoma, që vërtetojnë ushtrimin e dhunës. Vrasja është bërë duke përdorur qitjen me puthitje në syrin e djathtë. Sipas të dhënave, krimi është kryer në një makinë "Mitsubishi". Gaz Demi, së bashku me Ardian Resulin, i kishin kërkuar një makinë Andrea Laçit, për të ndihmuar në fushatën e Partisë Socialiste. Makina tip "Mitsubishi" me targa TR1509D, i ishte dhënë Albenc Agos. Me këtë makinë është kryer edhe krimi. Pas ngjarjes, makina i është shitur një fondacioni arab. Megjithatë, Albenc Ago ka deklaruar se do t‘i sqarojë këto rrethana kur të përballet me drejtësinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›