E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në banesë, vdes 86-vjeçarja e paralizuar

Një grua e moshuar, e cila ishte e paralizuar prej kohësh, ka humbur dje jetën, pasi banesa ku ajo jetonte u përfshi nga flakët. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Tiranë, ndërkohë që policia ka vënë re se viktima 86-vjeçare, Adile Stepa, kishte lënë ndezur një rezistencë, e cila i kishte vënë flakët batanijes dhe më pas ishte djegur edhe e moshuara. "Shkaku i zjarrit, me pasojë vdekjen e 86-vjeçares Adile Stepa, ka qenë djegia e batanijes me të cilën ishte mbuluar në reflektorin e përdorur për ngrohje. Në mungesë të aftësisë së saj për të lëvizur, ajo është djegur në shkallë të lartë, duke sjellë vdekjen e saj të menjëhershme", bëri të ditur policia e Tiranës. Ngjarja ndodhi në orën 05:00, në Rrugën e Barrikadave, e njohur ndryshe si zona e 9-katësheve. Edhe familjarët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të moshuarën, pavarësisht se ndodheshin aty. Menjëherë në vendngjarje, të njoftuar nga familjarët, shkuan forcat policore dhe shërbimi shëndetësor, por pa mundur dot ta shpëtojnë të moshuarën Stepa, e cila kishte pësuar djegie të rënda në trup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›