Homazhe Pirro Cakranit, një prej artistëve më të mëdhenj vlonjatë
Këngëtari i njohur i këngës qytetare vlonjate, Pirro Cakrani, ka ndërruar jetë të hënën. Këngëtarit të njohur, e një nga artistët më të vlerësuar të qytetit të Vlorës, i janë bërë dje homazhe nga qytetarë, kolegë dhe dashamirës. Në sallën e Teatrit "Petro Marko" në Vlorë, dashamirës të Cakranit i kanë dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave që ka bërë një kapitull të tij në muzikën vlonjate. Cakrani ka marrë titullin "Qytetar Nderi" i Vlorës dhe njëkohësisht atë "Naim Frashëri" nga Presidenti i Republikës. Në karrierën e tij 40-vjeçare numërohen rreth 250 këngë të kompozuara prej tij, për fëmijë e të rritur, disa tablo muzikore e koreografike, një pjesë e të cilave janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Ai ka drejtuar ansamblin "Labëria", "Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve të rrethit". Pirro Cakrani nuk e ndali punën, madje deri pak javë më parë ai ishte pjesë e koncerteve të organizuara nga Pallati i Kulturës, apo qendra kulturore në qytet. Gjithashtu një kontribut të veçantë Cakrani ka dhënë për përgatitjen e brezave të rinj të muzikantëve, në shkollën artistike "Naim Frashëri" të Vlorës. Ai ka qenë i pari i diplomuar në muzikë në qytetin e bregdetar, me diplomë të marrë nga studimet e tij në Sofje.
Dje artisti është përcjellë për në banesën e fundit. Në homazhe nuk munguan figura politike të qytetit, si kreu i bashkisë Gjika, kryetari i qarkut Sharra, deputeti Bujar Leskaj, si dhe drejtues institucionesh. Qyteti i Vlorës dhe kolegët do të kujtojnë një nga themeluesit e këngës popullore qytetare vlonjate.