E Hënë, 2 Nëntor 2026

PARIS – Siria, SHBA-ja dhe Franca bisedime ‘të sinqerta’, kërkojnë suksesin e tranzicionit të Sirisë

PARIS, 25 korrik /ATSH/- Ministri i Jashtëm i Sirisë zhvilloi sot bisedime të sinqerta dhe produktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francën, në të cilat ata nënvizuan rëndësinë e sigurimit të suksesit të tranzicionit politik, unitetit dhe integritetit territorial të Sirisë, sipas “Reuters”.

Ministri i Jashtëm sirian, Asaad Al-Shibani, ministri i Jashtëm francez, Jean Noel Barrot dhe i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Thomas Barrack u takuan sot në Paris, disa ditë pas armëpushimt që ndaloi gjakderdhjen në provincën jugore të Sirisë, Sweida.

Qindra njerëz u raportuan të vrarë në përleshjet midis luftëtarëve Druze, fiseve beduine sunite dhe forcave qeveritare, dhe Izraeli kreu sulme ajrore për të parandaluar atë që e quajti “vrasje masive të Druzëve.

Në një deklaratë të përbashkët, zyrtarët sirianë, amerikanë dhe francezë thanë se kishin zhvilluar një takim shumë të sinqertë dhe produktiv në një moment kritik për Sirinë.

Duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të shpejtë për të siguruar suksesin e tranzicionit politik të Sirisë pas rënies së presidentit Bashar al-Assad, ata thanë se kishin rënë dakord për nevojën për të siguruar që fqinjët e Sirisë të mos përbënin një kërcënim dhe që Siria të mos ishte kërcënim për fqinjët e saj.

“Ata gjithashtu ranë dakord për të vënë përballë përgjegjësisë personat përgjegjës për dhunën”, thuhet në deklaratë.

Përplasjet e javës së kaluar nxorën në pah sfidat me të cilat përballet presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa në stabilizimin e Sirisë dhe ruajtjen e sundimit të centralizuar, pavarësisht lidhjeve të ngrohta me SHBA-në dhe kontakteve në zhvillim e sipër të sigurisë të administratës së tij me Izraelin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›