PAVARESIA E KOSOVES DHE MAQEDONIA
Duke shpejtuar që në kohë të duhur të mbërrijmë në Prishtinë, nuk kisha kohë shumë që të merrem me percepcione për Kosovën. Por, përkundrazi, kishim synim që pa hezitim të ndiqnin ngjarjen madhështore, të takojmë njerëzit që me dekada të tëra, gati se tërë jetën time ankoheshin, protestonin dhe në fund me luftën e armatosur luftuan për shtetin e tyre.
Tanimë një dekadë ishim thuajse të detyruar që të dëgjonim rrëfime etnike dhe trauma të realizuara me një regji të përkryer dhe një përpunim manipulativ medial. Terrori medial dhe politik që u aplikua një dekadë të tërë, për fatin tonë kolektiv këto ditë ka gjasa serioze që të shmanget dhe përfundimisht të thyhet, duke paralajmëruar një të ardhme më të mirë nga përditshmëria jonë, përditshmëri apo realitet mbushur përplot me manipulime, premtime politike dhe qeverisje, më saktësisht plaçkitje të arkës së shtetit nga pozicioni i funksionarit shtetëror. Përse, përse tani duhet që punët të jenë më ndryshe, më të mira dhe më të sigurta?
Ekzistojnë shumë arsye që në mënyrë dramatike ndikojnë te zhvillimet e ardhshme shtetërore, shoqërore dhe rajonale.
Arsyeja e parë: Shteti i ri ballkanik me emrin Kosova tashmë u lind.
Arsyeja e dytë: Rusia humbi edhe një luftë në territorin ballkanik SHBA-të, që konsiderohet si perandoria bashkëkohore romake.
Arsyeja e tretë: Ridefinimi i plotë i të gjithë elitave politike dhe liderëve në rajon, për shkak të përfundimit të vlerës së tyre të përdorimit.
Arsyeja e katërt: Krijimi i aleancave të reja dhe partneriteteve strategjike rajonale.
Arsyeja e pestë: Marrëveshja politike e Versajës përfundimisht përfundoi.
E tërë ajo e përmbledhur më sipër më rrotullohej në kokë, një ditë para shpalljes zyrtare të Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës nga Parlamenti i atjeshëm.
Si arsye plotësuese që më nxiti të ndez makinën dhe të nisem drejt Prishtinës ishin konkretisht edhe dy miqtë e mi, Suat Saqipi dhe Naser Pajaziti, pronarë të INA - Agjencisë së Lajmeve Iliria, të cilët më çanë kokën me insistimet e tyre që së bashku të jemi të pranishëm në Prishtinë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
OK, më në fund vendosa dhe të përgatitur u nisëm drejt Prishtinës për në Qendrën Mediale në hotelin "Grand" për të ndjekur tërë zhvillimet dhe konferencat "live" për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Më në fund u hamenda dhe vendosa që të mos lëshoj shansin për të qenë i pranishëm në vendngjarje, që për një qytetar ballkanik që i përket gjeneratës sime, nuk ndodh dy herë në jetë. Pavarësisht se a na kanë pëlqyer tërë këto që i kemi dëgjuar, lexuar apo janë plasuar, nëse do të kishim pak guxim, integritet njerëzor dhe si të them më thjesht nja 20 litra dizel për makinën, vetëm se një i çmendur do të lëshonte rastin për të mos marrë pjesë në lindjen e shtetit të ri.
Vendkalimi kufitar Bllacë ishte një befasi për ne i mbërthyer si një shkretëtirë dhe pa tollovi kufitare. Normalisht në këtë pikë kufitare në pasaportë vendoset një vulë e UNMIK-ut, me të cilën nuk mund të futesh në Serbi, për shkak se Republika e Serbisë nuk e njeh këtë vendkalim kufitar. Kjo do të thotë se nëse vula e UNMIK-ut do të jetë e vulosur në pasaportë në ndonjë vendkalim kufitar të Kosovës me vende tjera, për Beogradin nuk vlen. Kjo logjikë, budallallëk dhe politikë kundërproduktive e Serbisë rreth çështjeve kufitare më rrotullohej kokës deri në momentin kur hasëm në urën e re në Grykën e Kaçanikut, ku ishin vendosur pa shije një numër i madh i flamujve, normalisht flamuj shqiptarë, që më rikujtuan se sot është dita që për shumë vite e prisnin fqinjët tanë, Ditën e Pavarësisë së tyre. Aha, po, pas tërë atij dajaku, represioni. Por, tani gjithçka është normale sa i përket teprimit të zbukurimit dhe gëzimit, sepse është një ditë e madhe për ta, ndërsa ne vazhdonim rrugëtimin.
Diçka e çuditshme, në çastin kur shikoja numrin e madh të flamujve kombëtarë shqiptarë m‘u rikujtua se para dhjetë minutave kaluam vendkalimin kufitar të Bllacës, vendkalim që në vitin 1999 ishte përplot me oshtima, vajtime, njerëz të rraskapitur dhe të qelbosur, gra dhe fëmijë masivisht të poshtëruara të lënë si kafshë në një rrethoje hekuri pa kushte elementare. Por atëherë shumë punë nuk i kisha të njohura, shumë miq dhe shokë të mi akoma nuk ekzistonin, shumë rrëfime dhe të vërteta i kisha të pakuptuara, ndërsa poshtërimin dhe viktimizimin e tillë masiv e perceptoja krejtësisht ndryshe, gabimisht apo me një dozë budallallëku. Më kujtohet se sa mediat në atë periudhë të vitit 1999 me frikësonin dhe më vrisnin mendjen, kujtohem dhe hidhërohem me vetveten se si ato media të çoroditura patën sukses që të më frikësonin, të më nxitnin mëdyshjen se fëmijët dhe gratë në rrethojën e hekurt, pa ujë dhe letër tualeti do të më vidhnin atdheun tim, Republikën e Maqedonisë. Më kaploi nervozë, mungesa e vetëdijesimit tim e mbërthyer me naivitet dhe frikë të rrejshme që tani nga distanca e//////////////// kohorë duket tejet komike.
Derisa po kalonim urën e ndërtuar dhe të stolisur para Kaçanikut, m‘u kujtua, se shqiptarët janë adhurues të flamujve dhe armëve, po, po, harrova! Gegët janë të njohur për krenari dhe agresivitet. Vazhduam rrugëtimin nëpër magjistralen katastrofale që çon drejt Prishtinës, e cila me dëshpërim vajton për t‘u rregulluar ose pse për të mos u ndërtuar me dy kahje. Menjëherë pasi kaluam urën, ja Kaçaniku, sikur Kaçaniku pra, i vendosur në një gropë nën rrugën kryesore. Në një moment u përqendrova për të vërejtur diçka të re, diçka në kontekst të ditës së madhe, por nuk pati gjë befasuese apo nuk vëreja asnjë ndryshim nga vera e kaluar kur fluturimthi kaloja duke pasur si destinacion udhëtimi bregdetin e Adriatikut në Kroaci. Por, vetëm disa minuta më vonë, disa minuta fluturimthi rrugës për në Prishtinë më erdhi një lehtësim i çuditshëm gjatë vozitjes, isha i habitur për numrin jashtëzakonisht të vogël të makinave në këtë rrugë më të frekuentuar të rajonit.
Nuk doja të besoja se të gjithë tanimë kanë mbërritur në Prishtinë për të festuar dhe për t‘u gëzuar, dhe për këtë shkak këto vendbanime dukeshin të boshatisura. Prandaj i habitur nga kjo, mora një përgjigje shokuese, normalisht nga Suati dhe Naseri, të cilët nuk ishin të sigurt, por i prerë ishte Rusi, vëllai i Suatit që më njoftoi se kryetarët e komunave të Kaçanikut, Ferizajit dhe komunave të tjera kishin dhënë urdhër për ndalesë në komunikacion në drejtim të Prishtinës për makinat me targa të Kosovës. Madje kishin përgatitur shpallje, thirrje, ku u bëhej me dije qytetarëve të Kosovës të festojnë festën e pavarësisë në vendbanimet e tyre. Kjo informatë e re më shtangu, jo për atë se ishte miratuar, por më shtangu, sepse me sytë e mi vërejta se ajo respektohej me përpikëri.
Jo, jo, a thua vallë është e mundshme se pas 50 viteve grumbullim të mjeteve nga emigracioni, jetë nëpër baltën e rrugëve të fshatrave dhe qyteteve të paasfaltuara, jetë pa punë, dhunë e ushtruar nëpër sheshe, demonstrata dhe më në fund luftë e armatosur me forcat ushtarake dhe policore serbe, njerëzit që përcollën gratë dhe fëmijët e tyre në rrethojat e hekurta dhe kampe, sot festojnë nëpër shtëpitë e tyre. Nuk mund të besoj për këtë. Andaj, dy-tre herë shikoja shtëpitë dhe oborret e tyre për të parë dhe për të kuptuar diçka, kërkoja diçka logjike, por prapë asgjë. Heshta, u mblodha duke vlerësuar se është e drejtë që njerëzit në ditën e pavarësisë të demonstrojnë rend, zhvillim dhe qëllim të fuqishëm për të ndërtuar shtetin e tyre, duke qenë të përgatitur për sakrificën e fundit, viktimizimin e individualizimit për qëllime kolektive. Pra, kam kuptuar frymën kolektive të gegëve.
Bravo, në fillim më dukej diçka e pakuptueshme, por sikur një rrufe më shndriti logjika e viktimizimit dhe demonstrimi i vendosmërisë për të bërë shtet. Të gjithë të huajt sikur unë, më se dhjetëra mijëra gazetarë, politikanë dhe aktivistë të sektorit joqeveritar nga gjithë bota sot do të marrin pjesë në prezantimin masiv me të gjitha viktimat dhe energjinë e jashtëzakonshme për të realizuar qëllimin kolektiv të kosovarëve për të shpallur pavarësinë e tyre. Ashtu duke menduar, nuk arrita të vërej se hyjmë në Prishtinë aq shpejt dhe lehtë. Konkluzioni im ishte vetëm një urim me mesazhin "i lumtë", sepse "apeli i kryetarëve të komunave na kreu punë". Derisa të gjithë në kor qesheshin, unë shikoja një tabelë me numrin 92 km, që tregonte largësinë e kryeqytetit të Kosovës nga atdheu im.
Atëherë duke shikuar këtë largësi rruge për të arritur në Prishtinë, m‘u rikujtua se një rrugëtim të njëjtë e bëja kur shkoja në shtëpizën time në Mavrovë. Zoti na ruajt dhe të na mbrojë, a thua aq jemi çoroditur, shpallet pavarësia e një shteti të ri evropian, që nuk ka nevojë të hyjë në NATO, sepse po kjo NATO kryen funksionin e ushtrisë së Kosovës, ndërsa ne, mendoj për maqedonasit mendojmë se ky proces është shumë i largët, se Kosova është larg nesh dhe duhet të shpifim dhe të taktizojmë. Eh, vërtet jemi budallenj, më saktësisht është e vërtetë se politikanët në Maqedoni na konsiderojnë budallenj neve 2 milionë banorëve. Madje, kam dëgjuar analiza që u ngjajnë sallatave të kafeneve dhe që shiteshin si masturbime të niveleve të larta intelektuale se Rusia do të bllokojë këtë, atë, se Serbia do të bëjë luftë, ndërsa rusët do të jenë logjistikë. Më në fund me vetveten qeshesha.
Po, po, tani më rikujtua intervista me ish-kryeministrin e "qetë" të Kosovës, Bajram Rexhepi, që e kisha realizuar në vitin 2003, më kujtohet biseda me Ramush Haradinajn, i cili shumë pak fliste dhe llafazanin e vjetër Mahmut Bakalli në restorantin "Tifani" menjëherë te stadiumi i Prishtinës. Më kujtohen reagimet e zotëriut Bakalli, dukshëm i shqetësuar duke më bindur me qëllimin e mirë për pavarësinë dhe më thoshte "Ovaj ovde" duke aluduar në Ramushin "ke ide u Hag za nezavisnu Kosovu". Duke u kthyer kah Ramush Haradinaj për të parë reagimin e tij pas fjalëve të veteranit të ndjerë të politikës kosovare, shikoja moshën e tij të re dhe syzet e reja, i cili me buzëqeshje dhe ngritje të gotës më përshëndeti me "Gëzuar". Më vonë, pas disa viteve kam parë që ai i njëjti njeri, pra Ramush Haradinaj vullnetarisht nga pozicioni i Kryeministrit shkoi në Hagë. Nga kjo nuk munda që të mos respektoj qëllimin e kosovarëve për të ndërtuar shtetin e tyre të pavarur dhe të mëvetësishëm. Më kujtohen vërejtjet shpirtërore të zotëriut Bakalli, i cili me një serbishte të rrjedhshme bisedonte për temat në javoren e atëhershme START, e cila tani nuk ekzistonte. Ai më thoshte "Jeli be Palço, pisi tamo da mi Albanci nismo Arapi".
Ai më sqaronte se në Kosova ka presione të mëdha nga qarqe të dyshimta financuese që përdoreshin për qëllime fetare. Më sqaronte se në pasaportat e ardhshme të Kosovës nuk do të jetë fjala "Shqip", por "e Kosovës", se po ndërtohet një nacionalitet i ri, një shtet i ri, të cilin, sipas tij, ende nuk e kuptonin kosovarët, por duke qenë i bindur se ai shtetet shumë shpejt do të ndërtohej dhe do të jetë një realitet evropian.
Plaku Bakalli më sqaronte edhe për zgjidhjet dhe mendimet për flamurin e ri të Kosovës, për të cilën derisa po shpejtonim për të hyrë në Prishtinë për ditën e pavarësisë, nuk kisha asnjë mendim se si do të dukej. Plaku i urtë më vërtetonte se të gjitha propozimet dhe zgjidhjet sillen rreth shtetit të lashtë të Dardanisë, mbretit të saj Bardhylit, periudhën e hershme të katolicizmit mes gegëve, për ngjyrën e kaltër, pamjen moderne. Duke parë mosnjohjen time me historinë e tij, ai shkurtimisht aq sa mundej më sqaroi me një fjali se "Flamuri patjetër duhet të tregojë dhe ne patjetër duhet të tregojmë se armiqtë tanë që i frikësojnë popujt e Ballkanit me shtrigën e ashtuquajtur Shqipëri e Madhe nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe nuk na duhen. Neve kosovarëve nuk na duhet Shqipëria e madhe, ne jemi të pranishëm kudo në Evropë, Amerikë. Kosova është shteti im".
Atëherë në periudhën e largët të vitit 2003, nuk isha krejtësisht i sigurt në sinqeritetin dhe qëllimet e mira, sidomos kur dëgjoja punë serioze dhe konkrete nga politikanë me përvojë dhe të dalluar siç ishte plaku Bakalli dhe aftësia e tij për të manipuluar me gazetarët dhe mediat. Sot i besoj, por fatkeqësisht, nuk mund ta pranoj para tij. Duke rikujtuar bisedat në restorantin "Tifani" gjatë 2003, tanimë arritëm para hotelit "Grand", duke u koncentruar për të parkuar makinën dhe shkarkimin nga bagazhi i makinës të teknikës për të mbuluar ngjarjet lidhur me shpalljen e pavarësisë.
Duke kërkuar vendparkim, më tërhoqi shikimin busti madhështor i një ish-luftëtari dhe heroi të UÇK-së, i ashtuquajturi Pajaziti. Menjëherë pasi që dolëm nga makina, Rusi, vëllai i Suatit, i njohur si ish-pjesëtar i UÇK-së, u vendos për t‘u fotografuar para këtij busti, ndërsa ne duke bërë fotografitë dukeshim sikur turistët japonezë në Diznilend. Duke bërë foto para heroit Pajaziti, na tërhoqi vëmendjen turma e madhe e njerëzve të gëzuar, të cilët lëviznin shpejt drejt nesh duke valëvitur flamujt kombëtarë shqiptarë dhe ata amerikanë dhe duke brohoritur Hashim, Hashim, Thaçi, Thaçi etj.
Menjëherë nxorëm kamerën dhe nuk më besohej se 15 minuta pas mbërritjes në Prishtinë do të mund të përballeshim me Kryeministrin e Kosovës. Turma me flamujt e valëvitur, njerëz të gëzuar dhe euforikë lëviznin nga hoteli "Grand" në drejtim të Parlamentit ku në afërsi gjendej edhe i busti i njohur i Gjergj Kastriot -Skënderbeu. Isha i befasuar se menjëherë pas mbërritjes në Prishtinë do të isha i pranishëm në një simbolikë të tillë ku Kryeministri ecte lirshëm në drejtim të Parlamentit, pa makina të blinduara dhe me një numër të vogël policësh, sidomos në mbledhjen më të rëndësishme, në ditën më të rëndësishme të jetës së tij. OK, shkëlqyeshëm! - Kjo nënkupton demonstrimin e lirisë dhe pavarësisë, kur Kryeministri ecën lirshëm drejt Parlamentit edhe atë 30 minuta pa filluar mbledhja ku do të miratohej deklarata për pavarësinë e Kosovës.
Menjëherë pas këtij rasti, sidomos për mua si maqedonas, ne u drejtuam drejt Qendrës së Mediave në hotelin "Grand", ku me një procedurë lehtësuese u akredituam për ndjekjen e ngjarjeve. Gjithçka ishte në nivel, interneti i shkëlqyer Wi-fi, reklamimi i provajderit Kosova net, broshura të mjaftueshme dhe axhenda e ngjarjeve. Por ajo që më befasoi më së shumti ishte prania e një numri të konsiderueshëm të gazetarëve, pra isha i befasuar nga 1500 gazetarët e akredituar në këtë vend. Koha e shkurtër pasoi me një shëtitje të vogël nëpër Prishtinë, një drekë të shkëlqyer dhe ashtu kaloi dita, kur pikërisht në orën 18 filloi konferenca me gazetarët në të cilën morën pjesë Presidenti Sejdiu, kryeparlamentari Krasniqi dhe Kryeministri Thaçi. Politikanët kosovarë u shfaqën menjëherë derisa xhiruesit e mediave të huaja po përgatiteshin dhe po vendosin kamerat e tyre. Në ato momente për herë të parë vërejta flamurin e ri të Kosovës, por në të njëjtin moment më nxiti një ngjashmëri duke e ndërlidhur me drekën e punës në "Tifani", duke rikujtuar Dardaninë, ngjyrën e kaltër dhe u shtanga kur para syve të mi doli kombi i ri KOSOVAR.
Atëherë kuptova se Shqipëria e Madhe vërtet është një shtrigë për fëmijë, për të cilën armiqtë e Kosovës me dekada i kishin rrahur shqiptarët kudo që i takonin dhe në çdo rast. Tanimë u binda se dreka në "Tifani" në Prishtinë dhe pohimet serioze u bënë realitet evropian. Derisa po shkruaja këtë përjetim timin për Kosovën e pavarur, derisa merakosem se sa do të më fyejnë bashkëkombësit e mij nëse e lexojnë këtë që e kam shkruar, derisa më rikujtohen rrëfimet e gjyshit tim se mbiemrin tim Palevski e kam nga origjina ime nga fshati Palivodenicë në afërsi të Kaçanikut, më së shumti më shqetëson se a do të kenë sukses maqedonasit e mi të kundërshtojnë manipulimet dhe inxhinjeringun medial kundër kosovarëve, për çka po harxhohen shumë para në më të dashurën time Maqedoni. Me shpresë për një të ardhme shumë shekullore dhe evropiane të Maqedonisë sime dhe vendit fqinj Kosovës si shtet i ri, unë Ljupço Palevski, shtetas i Republikës së Maqedonisë, që nuk e çaj kokën për qëndrimet e pjesës së shumicës ose cilido qoftë vendi të BE-së, sot, menjëherë pa asnjë kusht e njoh KOSOVËN, si një fqinj i imi i ri dhe i mirëseardhur.
* Autori është ish-botues i javores START në Shkup