ASNJE NUK KERCENOHET NGA ASKUSH
17 shkurti dhe postpavarësia u përcollën me kërshëri dhe padurim të madh nga një kategori e caktuar, që priste ato ditë ndonjë kërcitje arme a dhune, e cila do të njolloste bukurinë dhe rëndësinë e kësaj dite. Pikërisht kur të interesuarit dhe skeptikët prisnin të dëgjonin krismat që ndjellin tersin, erdhën një pas një deklaratat e para që njihnin zyrtarisht shtetin e ri. SHBA, Anglia, Franca etj., njohën menjëherë shtetin e ri ashtu siç kishin paralajmëruar dhe lista e shteteve që njohin Kosovën shtohet nga ora në orë. Pas çdo deklarate të tillë, ata, të interesuarit për destabilizim vraponin në meshat e kishave të Beogradit për t‘u lutur që Kosova të mos u ikë përfundimisht nga duart. Përpjekje pati, por fatmirësisht të dështuara, për ta prishur gëzimin e një ditë të tillë. Mitrovica veriore sërish ndezi zjarre që dogjën, por sidoqoftë nuk mundën ta zbehin imazhin e krijesës së re që sapo kishte lindur në zemër të Evropës. Liderët serbë në vend që të zbusin zemërimin me deklaratat e tyre, e nxisin atë. Naiviteti i disa njerëzve të indoktrinuar në shekuj me urrejtjen për shqiptarët, nuk është vetëm i turmës. Edhe Presidenti, edhe Kryeministri apo ministri i Jashtëm vazhdojnë të tregohen naivë me qëllim. Ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë se Kosova tashmë u ka ikur nga duart, se nuk kanë mbi të asnjë të drejtë dhe se me qëndrimin që po mbajnë ndaj shteteve që e njohën atë, s‘po bëjnë gjë tjetër, veçse po izolojnë veten. Është naivitet apo përpjekje e fundit të "të mbyturit" për shpëtim, kjo nuk ka rëndësi. Ajo që duhet të kuptohet, është se deklaratat e tyre janë pika e ujit që të sëmurit nuk duhet t‘i jepet në shtratin e vdekjes. Nëse këtë s‘e kuptojnë mendjet e nxehta në Beograd aq më keq për ta. BE dhe SHBA ua ka bërë të qartë se ka vetëm një rrugë; ajo e integrimit në të cilën s‘mund të ecësh me makinat e djegura.
Duket se bashkëjetesa me shqiptarët i ka bindur serbët për vërtetësinë e proverbave tona të lashta dhe duke iu referuar fjalës së urtë shqiptare "Fol, fol, se diçka do mbetet", edhe krerët e Serbisë nuk rreshtin me deklarata duke besuar se diçka prej tyre nuk do të ikë në erë. Por s‘mund ta besojë kush ministrin e Jashtëm serb, Jeremiç, i cili i bën thirrje KFOR të mbrojë serbët në Kosovë.
Do të ishte më i saktë ministri, nëse do të sqaronte se nga çfarë u rrezikuan serbët. Le t‘i përgjigjej në fillim pyetjes se kush i sulmoi pikat kufitare në Jarinje në Leposaviq dhe Banjë në Zubin Potok, kush u vuri zjarrin makinave të ndërkombëtarëve etj., si këto...
Do të doja shumë që serbët e Kosovës, ata që me vite kanë bashkëjetuar paqësisht me shqiptarët, që kanë qenë vetë dëshmitarë të masakrave serbe mbi bashkëqytetarët e tyre të etnisë tjetër, të kuptojnë më në fund se janë përdorur dhe do të vazhdojnë të keqpërdoren. Krerët e Beogradit do vazhdojnë ta menaxhojnë këtë situatë, të paktën për të mos konsumuar edhe më shumë kapitalin e tyre politik, sepse nuk e besoj se do të fitojnë tjetër.
Serbët e Kosovës duhet të kuptojnë se pavarësia e këtij vendi, do t‘i bëjë edhe ata më të pavarur, edhe më shumë zot të pronës dhe shtëpive të tyre, qytetarë të një shteti të vërtetë.
Le të provojnë vetëm një herë të lënë mënjanë deklaratat e nxehta të Koshtunicës dhe Jeremiçit, e të dëgjojnë me sensin e mirë atë që sigurojnë qeveritarët e shtetit të ri, për bashkëjetesë paqësore mes shqiptarëve dhe serbëve, për siguri të jetës së tyre, sepse në fund të fundit ky është edhe një nga premtimet që Kosova e re ka bërë në sy të botës, respektimi i pakicave dhe ecja në rrugën e integrimit të vërtetë në Evropë. Asnjë nuk rrezikohet nga askush në Kosovë! Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të saj dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta bërë jetën tonë më të mirë. Tadiç, Koshtunica, Jeremiç e kompani le të mbajnë fort Beogradin, aty ku ka ende veshë që dëgjojnë e mendje që u besojnë deklaratave, të cilave edhe ata vetë e dinë se u ka ikur koha.