E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD depoziton kërkesën për shkarkimin e Peleshit-Kaso: Ka bërë shkelje të përsëritura, Kuvendi ka humbur rolin e tij


Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka bërë të ditur në Kuvend depozitimin e kërkesës së forcës politike ku ai bën pjesë për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Nga foltorja e Kuvendit, Kaso tha se kjo kërkesë është firmosur nga 36 deputetë të Partisë Demokratike që kërkon shkarkimin e Peleshit, pasi sipas Kasos ai ka kryer shkelje të rënda duke bërë që Kuvendi të humbasë rolin e tij.

“Kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion formal pa zë dhe pa dinjitet. Kjo vjen si rezultat i mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga kryetari i tij Niko Peleshi. Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura, të qëllimshme që nuk kanë pasur si qëllim vetëm mbylljen e zërit të opozitës në Parlament por kanë cenuar autoritetin e Kuvendit si organi më i lartë në një shtet demokratik”, tha Kaso.

Deputeti i PD-së theksoi më tej se ky aksion i opozitës nuk është ndaj një individi por është një përpjekje sipas tij, për të ndalur rrëshqitjen e Kuvendit drejt një modeli të zbrazur nga përfaqësimi i tij.

“Kjo nismë që paraqitet sot për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë apo një akt politik i zakonshëm. Kjo është një thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndalur rrëshqitjen e Kuvendit drejt një modeli të zbazur nga funksioni i tij përfaqësues. Ne kërkojmë që Kuvendi të rifitojë rolin e tij si garant i pluralizmit, si hapësirë për debat dhe si institucion që respekton Kushtetutën. 36 deputetë të Partisë Demokratike kanë paraqitur dhe është përcjellë pranë Këshillit të Legjislacionit shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi”, deklaroi Kaso.
/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›