E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD kërkesë për Komision Hetimor për zgjedhjet e 11 majit

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zyrtarizuar sot kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor në Kuvend për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Në kërkesë evidentohet se, “siç ishte parashikuar nga katër rezolutat ndërkombëtare të miratuar nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjerësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025”.

Sipas grupit parlamentar të PD, “në këto dokumente ndërkombëtare, del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u komprometuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: shitblerjes së votës; intimidimit të zgjedhësve; shtetit elektoral; sistemit kriminal të patronazhimit; manipulimit të votës së diasporës; dhe finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit”.

Në kërkesë evidentohet gjithashtu, se “me qëllim marrjen e mandatit të katërt qeverisës dhe pamundësimin e rotacionit me çdo kusht, qeveria u angazhua në një abuzim sistematik të pushtetit dhe burimeve shtetërore për të manipuluar procesin zgjedhor dhe konkretisht në këto drejtime:

1) Keqpërdorimi i eventeve publike;

2) Kapja e institucioneve shtetërore;

3) Riaktivizimi i sistemit të patronazhimit;

4) Blerja e drejtpërdrejtë e votave;

5) Manipulimi zgjedhor përmes subvencioneve për fermerët;

6) Anulimi masiv i gjobave:

7) Miratimi i 138 licencave për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin;

8) Prokurime të paligjshme;

9) Abuzimi me lejet e legalizimit dhe të ndërtimit;

10) Punësime të paligjshme;

11) Përfshirja e grupeve kriminale në fushatë;

12) Kontrolli i medias;

13) Rrjeti i “Patronazhistëve” në ditën e zgjedhjeve;

14) Zyrat zgjedhore të paligjshme të Partisë Socialiste;

15) Blerja e Votave dhe Manipulimi Zgjedhor;

16) Konfiskimi i Kartave të Identitetit – Blerja e të Drejtës së Votës;

17) Keqpërdorimi i të Dhënave Personale;

18) Përdorimi i gjerë i badge të falsifikuara të stafit dhe vëzhguesve;

19) Shkelja e Fshehtësisë së Votës;

20) Manipulimi i Fshehtë i Fletëve të Votimit (“Treni bullgar”);

21) Zhdukja e 350 Kutive të Votimit dhe Shfaqja e Fletëvotimeve të Dyshimta;

22) Manipulimi i Votës së Diasporës dhe Parregullsitë e Ditës së Zgjedhjeve;

23) Mosfunksionimi i Sistemeve të Identifikimit Biometrik (PEI);

24) Bashkëpunimi Institucional dhe Rrëzimi e Ankesave”.

Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.

Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›