E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti: Reforma zgjedhore të luftojë maskilizmin

Kreu i shtetit, Bamir Topi,
deklaroi dje se reforma
zgjedhore duhet të garantojë
të drejtën e votës së çdo
qytetari, pavarësisht sistemit që
do të zgjidhet. Ai vlerësoi se është
momenti të ngrihet një infrastrukturë,
e cila do të bëjë të mundur
që të mbrohet pikërisht vullneti i
çdo qytetari. "Kjo pa pasur lidhje
me sistemin elektoral që do të
zgjidhet, që është një e drejtë
ekskluzive e partive politike parlamentare,
është një e drejtë ekskluzive
e Parlamentit shqiptar",
tha Topi. Sipas tij, është më se e
nevojshme të garantohet e drejta
e marrjes pjesë në mënyrë të barabartë
në debate, në fushata, të
garantohet e drejta e votës. "Në
mënyrë që Parlamenti shqiptar
në të ardhmen, pavarësisht nga
sistemi, të ketë më shumë prani
të grave në Parlament, të cilat
për hir të së vërtetës në këto beteja
elektorale kaq të forta, kaq
maskiliste, në mjaft raste e kanë
të vështirë jo të arrijnë suksesin,
por e kanë të vështirë edhe të
futen në konkurrim", nënvizoi
Topi. Kreu i shtetit konstatoi se
ne duhet ta pranojmë këtë si një
realitet, i cili duhet të përballohet.
Parlamenti shqiptar, shtoi ai,
duhet në zgjedhjet e ardhshme
natyrisht të shkojë në standardet
që kanë jo vetëm vendet e rajonit,
por vendet me demokraci të
zhvilluar, që të krijojnë jo vetëm
kushtet për konkurrim, por të
kërkojnë patjetër nevojën për
një pjesëmarrje më të madhe të
grave. "Dhe unë besoj se të gjitha
gjërat janë të lidhura, nuk janë
spontane, nuk janë trajtime metafizike
segmentare, por të gjitha
vijnë edhe nëpërmjet reformimit
të ligjit dhe kontrollit të financimit
të fushatave, qoftë kjo edhe
në planin individual. Unë jam i
besimit se kjo gjë do të merret në
konsideratë, sepse kjo ka ardhur
dhe si një pjesë e shqetësimit nga
vetë partitë politike", nënvizoi
Presidenti Topi. Deri më tani
rezulton që situata në kuadër të
reformës zgjedhore është e njëjtë
me atë të pas zgjedhjeve lokale.
Ende komisioni i posaçëm parlamentar
për reformën zgjedhore
nuk ka dalë në vendime konkrete.
Përkundrazi, mandati i tij
është shtyrë prej Parlamentit deri
më tani tri herë. Kontaktet mes
aktorëve politikë kanë qenë shumë
të paktë në nivel zyrtar, për
të mos thënë jo ekzistente. Përtej
kësaj, Partia Socialiste ka paraqitur
pesë shtyllat kryesore, sipas së
cilës duhet të udhëhiqet puna në
kuadër të reformës. Demokratët,
nga krahu tjetër, nuk kanë bërë të
ditur propozime konkrete, duke
bërë deklarata kontradiktore, të
kushtëzuara ndoshta nga raportet
me aleatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›