E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kod" i ri për trajtimin e zemrës, tensionit, astmës, diabetit

Mjekësia familjare, sëmundjet e tensionit, zemrës, diabetit dhe astmës do të kenë një metodë të re trajtimi. Kjo do të vendoset nga një grup specialistësh, duke u bazuar në përvojën e tyre dhe në metodat bashkëkohore. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka nisur krijimin e një platforme të hartimit dhe zbatimit të udhëzuesve të shkruar të praktikës klinike më të mirë. Ato do të jenë tekste të përpiluara në mënyrë periodike për të ndihmuar mjekët dhe pacientët, në marrjen e vendimeve të sakta në lidhje me shëndetin e tyre, në situata të përcaktuara.

Për aspektet konkrete të diagnozës, terapisë dhe riaftësimit të hartohen nga vetë personeli mjekësor, akademikët dhe specialistët më të mirë. "Kjo do të thotë se udhëzuesit e praktikës klinike do të japin rekomandime eksplicite, me qëllim që të ndikojnë në ato që bëjnë klinicistët. Mungesa e pjesshme e udhëzuesve në praktikën tonë mjekësore e vështirëson kujdesin e duhur mjekësor dhe monitorimin e cilësisë e performancës së tij", tha Isuf Kalo. Ndryshe nga praktika e deritanishme e hartimit të udhëzuesve klinikë, që është kryer përmes spontanitetit të profesionistëve, Ministria e Shëndetësisë po merr për herë të parë përgjegjësitë organizative, koordinative dhe financuese për hartimin e udhëzuesve të tillë, në nivel kombëtar.

Në konferencën e parë kombëtare për udhëzuesit e praktikës klinike të bazuar në evidencë, u diskutua se puna për hartimin dhe rishikimin e udhëzuesve klinikë do të nisë fillimisht me fushat më imediate. Në vendin tonë është planifikuar që të fillojë njëherë përgatitja e pesë udhëzuesve: si mjekësia familjare, sëmundjet ishemike të zemrës, hipertensioni, diabeti dhe astma. Pas përfundimit me këto fusha, puna do të vazhdojë hap pas hapi me patologjitë e tjera.

"Risia e iniciuar për udhëzuesit e praktikës klinike do të bazohet në kriteret dhe politikat e posaçme të rekomanduara nga Këshilli i Evropës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për qeveritë dhe ministritë e Shëndetësisë të vendeve anëtare, me qëllim që të ndërtohet një politikë dhe metodologji e unifikuar kombëtare për rishikimin e udhëzuesve klinikë, duke adaptuar modele të referencës ndërkombëtare", tha Edmond Stojku, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›