E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: “Votuesit do të zgjedhin mes së majtës dhe së djathtës”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët nuk tërhiqen nga varianti i tyre për të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me koalicione të përbëra. Nënsekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në PS dhe përfaqësues i PS në grupin e ekspertëve pranë Komisionit të Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri shpjegoi dje se kjo mënyrë paraqitjeje është më e mira, sepse siguron një garë reale mes së majtës dhe së djathtës, por dhe mes partive të njërit koalicion. Ai shpjegon se me këtë koalicion, çdo parti merr vetëm atë që i japin votuesit. “Pra, në thelb partitë konkurrojnë me siglat, lista dhe programet e tyre dhe në fund të votimit marrin aq mandate sa u takojnë. Është një mënyrë që lejon koalicione të cilat bëjnë që votuesi të zgjedhë alternativën: mes së majtës e së djathtës. Më tutje, edhe brenda vetë alternativës votuesit i mundësohet të zgjedhë atë alternativë që i duket më e përshtatshme dhe që e ka më për zemër, për tradita, merita apo arsye të caktuara”, - sqaron ai. Lidhur me formulën e llogaritjes së mandateve, eksperti socialist sqaron se kjo bëhet në bazë të votave që merr çdo kolalicion dhe më pas në bazë të përqindjes që merr çdo parti brenda koalicionit. Por ai pohon gjithashtu se, nëse mbetet një mandat i paplotë, ky i shkon asaj partie që ka mbetjen më të madhe të votave. Pikërisht kjo është dhe pika që kundërshton ashpër Lëvizja Socialiste për Integrim duke e konsideruar koalicionin e përbërë si koalicion bishtash. Gjiknuri sqaron gjithashu se koeficientët e qarqeve do të llogariten në bazë të listës së zgjedhësve ose popullsisë, pra, numri i përgjithshëm total i deputetit do të ndahet në sa qarqe ka Shqipëria dhe sa është popullsia e qarkut tek lista zgjedhore dhe në bazë të kuotës që do t i takojë. Për specialistin e PS-së, edhe administrata zgjedhore do t u kushtojë shumë pak shqiptarëve dhe t u ofrojë një shërbim shumë më cilësor ditën e zgjedhjeve e në periudhën paszgjedhore. Lidhur me listat, ai pohoi se ato do të jenë një ekstrakt i regjistrit elektronik të gjendjes civile, ku sanksionohet përfundimisht se zgjedhësi voton vetëm aty ku ka vendbanimin e tij, apo thënë ndryshe, ku ka gjendjen civile. Gjiknuri konfirmoi gjithashtu se çështjet e miratuara deri më tani nga komisioni dhe që nuk janë më pjesë e debateve politike janë parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit dhe shpërndarja e tyre, caktimi i QV dhe i komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve si dhe procedura e votimit. Mbeten akoma për t u diskutuar nga komisioni i Kodit Zgjedhor edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e kompozimit të administratës zgjedhore, regjistrimi i koalicioneve dhe subjekteve zgjedhore, mënyra e ndarjes së mandateve, dhe procedurat e ankimit dhe pavlefshmërisë së zgjedhjeve.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›