E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusmali: “Më 2009 vetëm me karta identiteti dhe pasaporta”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ekspertët kanë diskutuar gjatë për mënyrat e formulimit të koalicioneve, po ende nuk na kanë dhënë produktin përfundimtar. Në 10- ditëshin që vjen, besoj se ata do të kenë formulimet konkrete për koalicionet dhe për sistemin elektoral në tërësi se është komponent i kapitullit për komisionin”

Zgjedhjet në vitin 2009 do të realizohen vetëm me karta identiteti dhe me pasaporta. Ky vendim tashmë është zyrtarizuar edhe në Kodin Zgjedhor gjatë mbledhjes së djeshme që ka zhvilluar komisioni i posaçëm parlamentar. Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Kodit Zgjedhor, Ilir Rusmali, pohoi dje se në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët nuk do të votojnë më me certifikata duke eliminuar në këtë mënyrë dhe të gjitha problemet që rridhnin prej tyre. Ai sqaroi se anëtarët e Komisionit ranë dakord që votuesit të përdorin si mjete identifikimi vetëm kartat e identitetit që pritet të jenë gati deri më 2009, dhe pasaportat. Gjatë mbledhjes së djeshme është diskutuar gjerësisht dhe për procedurat e votimit. Anëtarët kanë rënë dakord që të merren të gjitha masat teknike që votimi të jetë i mundur për çdo zgjedhës. Kjo, sipas Rusmalit, do të bëhet në bashkëpunim me administratën lokale dhe vetë zgjedhësit. Për sa u përket koalicioneve të përbëra, ai sqaroi se, megjithëse ekspertët kanë diskutuar gjatë për këtë çështje, zyrtarizimi në kod i kësaj pjese do të mund të bëhet vetëm në 10-ditëshin e ardhshëm.
Mbledhja
“Komisioni miratoi formulimet e ekspertëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më votime me certifikata. Në përgjigje të procesit të reformimit, që po ndodh në institucione të tjera, ne konsiderojmë që certifikatat e kanë mbyllur periudhën e tyre të suksesit, por edhe të dështimit, siç ishte rasti i zgjedhjeve lokale të vitit 2007”, - tha për mediat bashkëkryetari demokrat i komisionit, Ilir Rusmali. Ai theksoi se sot shqiptarët janë futur në një fazë kur shumë shpejt parashikohet të kenë dokumente identifikimi të nivelit dhe të cilësisë më të lartë evropiane. “Ne kemi shumë besim dhe siguri që në të ardhmen zgjedhësit shqiptarë të mund të identifikohen në komisionet e qendrave të votimit vetëm nëpërmjet kartave të identitetit dhe pasaportave”, - pohoi ai. Në mbledhjen e sotme komisioni miratoi dhe një element tjetër të rëndësishëm, në kuadër të Reformës Zgjedhore, që lidhet me zgjedhësit që kanë vështirësi në kryerjen e procedurave të votimit, siç është kategoria e të verbërve. Bashkëpunimi mes këtyre zgjedhësve dhe administratës lokale, e cila do të ofrojë asistencën e nevojshme, do t u mundësojë personave me aftësi të kufizuar të ushtrojnë të drejtën e votës. “Ne do të ecim në traditën tonë më të mirë, të garantojmë për zgjedhësit, si për shembull të verbrit, mjetet e nevojshme që ata të ushtrojnë vetë procedurat e votimit si dhe t i kërkojmë administratës publike që të marrë përsipër që të garantojë aksesin e lirë për gjithë zgjedhësit që nuk mund të paraqiten lirisht në qendrat e votimit”, - tha ai. Rusmali sqaroi se kjo do të bëhet mes bashkëpunimit të zgjedhësve dhe administratës lokale. Lidhur me koalicionet e përbëra ai sqaroi se kjo çështje nuk ka qenë në rendin e ditës së djeshme, por do të miratohet brenda 10 ditëve. “Nga informacionet që kam, ekspertët kanë diskutuar gjatë për mënyrat e formulimit, po ende nuk na kanë dhënë produktin përfundimtar. Në 10-ditëshin që vjen, besoj se ata do të kenë formulimet konkrete për koalicionet dhe për sistemin elektoral në tërësi se është komponent i kapitullit për komisionin”, - tha ai. Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Kodit Zgjedhor mendon se janë të gjitha mundësitë që ky proces të përfundojë brenda 30 shtatorit. Edhe pse ai nuk shprehet i bindur në këtë pikë, pohon se nuk mund të parashikohen vullnetet politike të palëve. “Unë nuk mund të parashikoj dot vullnetet politike, nuk mund të them kush është vizioni i palëve se ato mund të jenë të ndryshme, pavarësisht se thonë se ne jemi për përfundimin brenda shtatorit. Komisioni do të punojë intensivisht deri në përfundim të këtij mandati që i është dhënë dhe shpresojmë se do të mund ta realizojmë produktin tonë si komision”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›