E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetitë dietike dhe fitofarmacautike të manaferrës

Autori i Lajmit: red.
Në mjekësinë popullore përdoren frutat, gjethet, lastarët e njomë dhe rrënjët. Gjethet e reja mblidhen në qershor- korrik dhe thahen në hije në shtresa të holla.

Frutat e manaferrës konsumohen të freskëta pasi piqen mirë; me to përgatitet reçeli i cilësisë së mirë. Me frutat e manaferrës bëhet verë, uthull dhe raki. Vera ka vlera të mira mjekësore. Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, Vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%.
Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës si dhe në formë kompresash (leckash) me përdorim të jashtëm.
Gjethet e manaferrës kanë veti rrudhëse, djersitëse dhe qetësuese. Ato ndikojnë edhe në uljen e temperatures. Në këto raste përdoret infuzi, i cili përgatitet si vijon:
Merren 6-10 gramë gjethe dhe zhyten në një gotë me ujë të valuar, duke i lënë aty për 10 minuta. Gjatë ditës pihen 1-2 gota të tilla, në gjendje të vakët.
Ky infuz (ose i përgatitur në formë çaji) rekomandohet të pihet në rastet kur personi ndien djegje në stomak e në zorrë, në raste thartirash, diarresh si dhe në formë gargarash (shplarje e gojës dhe e grykës), kur ka djegie në gojë, në grykë, në mishrat e dhëmbëve. Ky çaj është shumë rezultativ dhe kundër hemorroideve (majasëllit) dhe në sëmundjen e sheqerit. Për të ndaluar hemorragjinë e hemorroideve, zbatohet këshilla:
Merren 100 gramë gjethe manaferrash dhe hidhen në një liter ujë. Këto zihen jo më shumë se 10 minuta. Nga çaji i përgatitur pihen tri gota në ditë, për tri ditë rresht.
Çaji i gjetheve, i sythave dhe i lastarëve përdoret me efekt edhe nga kardiakët (ata që vuajnë nga zemra), ata me sëmundje të stomakut bile për çdo njeri, qoftë edhe i shëndoshë, çaji i përmendur jo vetëm që është i parrezikshëm, por, përkundrazi, është shumë i dobishëm për organizmin e tij.
Gjethet e thara të manaferrës janë përdorur në sëmundjet e mushkërive për ndalimin e gjakut. Këto përdoren në formë dekokti, duke i dhënë të sëmurit nga 4-5 gota në ditë, me mjaltë ose me sheqer.
Kundër sëmundjes së sheqerit përdoret këshilla
Merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke.
Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta si dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.
Kundër dizanterisë përdoret kjo këshillë praktike:
Merren rreth një kg fruta manaferre dhe pasi shtypen, vihen të zihen për gjysmë ore në një enë ku është hedhur një gotë me ujë. Nga lëngu i fituar, pasi kullohet, merren 3-4 lugë gjelle në ditë.
Kundër astmës përdoret kjo këshillë:
Merren një sasi frutash manaferre dhe thahen. Pastaj, bluhen në mullirin e kafesë. Nga pluhuri i përfituar merren 2 lugë kafeje, esëll duke përcjellë me qumësht ose me ujë.
Pluhuri i formuar nga bluarja e manaferrave të thara përdoret edhe kundër hemorroideve: Merren tri herë në ditë, para buke, nga një lugë kafeje nga ky pluhur. Edhe reçeli me frutat e manaferrës ka veti të mira mjekësore, ai tretet mirë në stomak dhe shërben për pastrimin e gjakut, për ndalimin e tij në hemorragjitë e aparatit tretës dhe sidomos të hemorroideve. Çaji i përgatitur me rrënjët e manaferrës ka veti rrudhëse, antiartrike, diuretike, gjithashtu ndikon në uljen e tensionit të gjakut. Çaji me rrënjët e manaferrës është shumë i dobishëm për kurimin e diabetit. Në këtë rast zbatohen këshilla:30 gramë rrënjë manaferre zihen për gjysmë ore në 500 ml ujë. Çdo mëngjes para buke, pihet një filxhan nga ky çaj, i vakët ose i ngrohtë.
Në rastet e hemorragjisë a të tretjes me vështirësi të ushqimeve
Rekomandohet të përdoret këshilla që vijon: 100 gramë rrënjë zihen në 500 ml ujë derisa të avullohet gjysma e tij. Lëngu i përfituar, pasi filtrohet, përzihet me një sasi të barabartë vere të kuqe të vjetër. Merren 1-2 gota në ditë.
Në rastet e gingivitit (sëmundje e mishërave të dhëmbëve)
Në gjysmë litri ujë hidhen 100 ml. uthull. Në përzierjen uthull-ujë zihen për gjysmë ore 50-60 gram rrënjë manaferre. Me lëngun e fituar bëhen shpërlarje të gojës 2-3 herë në ditë. Filizat e reja dhe majat e manaferrës, të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulçerën e stomakut dhe të dymbëdhjethëgishtëzës.
Në rastet e diarresë përdoret këshilla praktike:
Merren maja manaferrash, filiza të njomë dhe pasi pastrohen, futen në gojë dhe përtypen, duke nxjerrë jashtë bërsitë dhe duke përcjellë lëngun.
Në rastin e fëmijëve:
Maja dhe filizat shtypen, shtrydhen dhe lëngu i fituar u jepet me nga një lugë kafeje në çdo dy orë.
Për mjekimin e zorrës së verbër këshillohet:
Merren 500 gram maja manaferre dhe zihen në 2 litra ujë. Nga lëngu i fituar , i sëmuri merr gjysmë gote çdo mëngjes duke qenë esëll, për një muaj rresht. Me përdorim të jashtëm kanë vlerë të gjitha pjesët e bimës, frutat, lastarët, gjethet e freskëta, të cilat në formë kompresash (leckash) ndikojnë në përtharjen dhe shërimin e plagëve.

Thana normalizon qarkullimin e gjakut
Kokrrat e thanës përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, vitaminë C etj. Thanat jo vetëm që hahen të freskëta, por ato bëhen komposto, prevede, marmelatë. Gjethet dhe lëvorja e thanës përmbajnë rreth 10-15% taninë. Iu këshillohet kryesisht personave që kanë probleme me diarrenë.

Kuron:
1-Diarrenë
2-Ekzemën
3-Normalizon qarkullimin e gjakut
4-Rregullon metabolizmin

Si përgatitet çaji:
Merren 1 kg. thana të pjekura dhe zihen me sheqer. Nga reçeli i përgatitur u jepen fëmijëve dy lugë kafeje në ditë. Për të shuar etjen te të sëmurët me asht (që kanë mbledhur ujë në bark), këshillohet të merren një grusht thana gjysmë të pjekura ose të thata dhe vihen të zihen në një litër ujë për një orë dhe pastaj kullohen. Ky lëng përzihet me lëngun e përfituar nga shtrydhja e shegëve të egra. Nga kjo përzierje lëngjesh të tharta, merret nga një lugë gjelle sa herë që i sëmuri ka etje për ujë.
Edhe bërthamat e frutave të thanës kanë veti të mira rrudhëse dhe ndalojnë të hequrit e barkut:
Merren 300 gramë bërthama të thanës dhe piqen si kafeja, derisa të marrin ngjyrë të zezë, bluhen në mullirin e kafesë. Mielli i përfituar përzihet me 1 kg sheqer. Fëmijëve u jepet tri herë në ditë 1/3 e lugës së kafesë, në formë pluhuri ose e tretur në ujë. Të rriturit marrin nga një lugë gjelle tri herë në ditë.
Edhe kërpudha e thanës (eshka) jep rezultate të mira kundër ekzemës së lëkurës: Merren 30 gramë eshkë thane dhe zihen në 200 ml. ujë. Lëngu i fituar pihet me nga një filxhan kafeje në mëngjes esëll.

Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›