E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria treg i lakmuar banesash për spanjollët

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Pas agjencive britanike, agjencitë spanjolle zbulojnë tregun më të lirë të shtëpive në Europë
Ekspertët: Këtë fitim nuk ua ofron asnjë bankë, me asnjë lloj norme interesi
Agjencitë imobilare në Europë: Blini në Shqipëri shtëpi, pas pesë vitesh keni fitim 100%.

Pas agjencive britanike që shënojnë interesin më të madh për shtëpitë dhe banesat shqiptare, tashmë janë edhe spanjollët që ia kanë kthyer sytë tregut shqiptar. Kështu, Shqipëria është kthyer tashmë në një arenë, ku ndeshja e investitorëve ka ndërtuar ”arenën” e tregut të banesave, shumë tundues e ende pak të njohur në botë. Për këtë treg që po zbulohet vrullshëm, janë në garë perëndimorët, vendasit e kamur dhe tek-tuk ndonjë emigrant me mendje pas. Por nuk është vetëm një cështje e thjeshtë biznesi e gjitha kjo...Një e përditshme shqiptare në Britani shkruan se ”Në këtë arenë është tashmë fati i vetë shqiptarëve, fati i banesave të tyre, që mund të shiten për një grusht para dhe pastaj të riblihen me thasë. Sidoqoftë lajmi vjen disi ogurbardhë.... Sipas një prej agjencive kryesore të konsulencës lidhur me të pasuritë e patundshme në Spanjë, mësohet se janë publikuar këto ditë ofertat më të fundit për klientët e saj, ku bie në sy një vëmendje e theksuar për zhvillimet në Europën Lindore”. Ndërkohë, sipas “Kategora Investments S.L.”, me qendër në Bilbao, zona baske e Spanjës, veç të tjerave, Shqipëria përbën një treg me leverdi në këtë drejtim për arsye të ndryshme.
Çmimi
Së pari, sipas ekspertëve imobiliarë, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në “kontinentin e vjetër” në të cilin ende mund të gjesh apartamente që kushtojnë duke filluar nga 25.000 euro. Agjencia citon dy raste konkrete, të ndërtimeve të kohëve të fundit, ku ende ka hapësira të lira për t u shitur, të cilat në fakt, ndodhen në rajonet periferike të kryeqytetit ku çmimi i metrit katror të apartamentit të përfunduar me gjithë rifiniturat është 400-450 euro. Për spanjollët, por jo vetëm për ta, çmime të tilla janë të paimagjinueshme. Fjala është për komplekse rezidenciale, në Farkë dhe Kashar, pra në dy nga komunat jashtë vijës së verdhë të Tiranës, por që janë ngjitur me të, që ndodhen pranë selive të administratës qendrore, por edhe plazhit apo aeroportit ndërkombëtar. Sipas të dhënave të vetë kësaj agjencie, çmime të tjera të leverdishme banesash mund të gjenden në Rumani, por duke filluar nga 1.100 euro/metri katror, madje jo në kryeqytet, por në Kluzh.
Rishitja
Së dyti, agjencia e konsideron blerjen e apartamenteve të tilla, kryesisht si një mundësi të mirë investimi me fitim të lartë. Sipas ”Kategora Investments”, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur në mënyrë konstante me 15-20% në vit. I nxitur nga kërkesa e emigrantëve, çifteve të reja, që janë me shumicë, në një vend me popullsi të re, migracioni nga zonat rurale drejt qyteteve kryesore, ky treg, sipas vlerësuesve spanjollë, ka tendencë të mbetet i tillë edhe për shumë kohë. Kush blen tani, me këtë çmim, ka shansin të shesë pas pesë vjetësh, me përfitim 100%. Asnjë bankë nuk të ofron një normë kaq të lartë interesi dhe janë të pakta investimet në sektorë të tjerë që të afrohen. Duket tashmë se interesi për banesat shqiptare është një lloj rime me dy mënyra sublime. E para i hyn në punë biznesit të banesave, që kanë ngelur bosh këto kohët e fundit dhe i dyti vetë shtrenjtimit të tyre.

Sipas ”Kategora Investments”, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur në mënyrë konstante me 15-20% në vit. I nxitur nga kërkesa e emigrantëve, çifteve të reja, që janë me shumicë, në një vend me popullsi të re, migracioni nga zonat rurale drejt qyteteve kryesore, ky treg, sipas vlerësuesve spanjollë, ka tendencë të mbetet i tillë edhe për shumë kohë

Agjentët britanikë hapin zyrë në Shqipëri
“Fresh Property Co” është agjencia e parë që ka hapur zyrat e veta në Tiranë

Kompania britanike me qendër në Londër “Fresh Property Co” është agjencia e parë britanike që ka hapur zyrat e veta në Shqipëri. Që nga fillimi i muajit Korrik, kjo kompani do të mbajë hapur zyrën e saj në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dhe më tej në Sarandë, qytetin e bukur bregdetar, jo shumë larg nga ishulli i Korfuzit në Greqi. “Ne jemi shumë të gëzuar që të hapim zyrën tonë në një kohë kur tregu i banesave në Shqipëri po tërheq vëmendjen e mjaft klientëve”, - ka thënë drejtoresha e kompanisë, Fiona Bosticky. Më tej ajo ka sqaruar se duke patur njerëzit e punësuar dhe zyrat e veta, do të jetë më në gjendje të plotësojë nevojat e klientelës. Që nga koha kur u lëshuan për shitje banesat shqiptare në vitin 2007, interesimi nga investitorët e huaj ka qenë tepër i lartë. Kjo kompani ofron portofolio investimi në Tiranë dhe në zonat bregdetare në Durrës, Vlorë dhe Sarandë.

Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›