E Diel, 1 Nëntor 2026

Paga mesatare bruto u rrit me 9,6% në tremujorin e parë

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri arriti në 90,119 lekë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 9,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), aktivitetet ekonomike me pagat më të larta vijojnë të jenë ato financiare dhe të sigurimit, me një pagë mesatare prej 157,434 lekësh, si dhe sektori i informacionit dhe komunikacionit, me 131,747 lekë.

Rritja më e lartë e pagës mesatare është regjistruar në sektorin e ndërtimit, me 22,2%, ndërsa rritja më e ulët është shënuar në aktivitetet e arteve, argëtimit, çlodhjes dhe shërbimeve të tjera, me 5,5%.

Sipas grupeve profesionale, pagat më të larta mbi mesataren kombëtare u regjistruan te menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, me 136,213 lekë në muaj, si dhe te specialistët me arsim të lartë, me 116,074 lekë.

Ndërkohë, rritjen më të madhe të pagës mesatare e shënuan zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to, me 15,7%, të ndjekur nga punëtorët në profesionet elementare, me 15,3%.

Sipas raportit, në tremujorin e parë të këtij viti është rritur numri i të punësuarve si në kategorinë e pagës minimale, ashtu edhe në kategoritë me paga të larta. Shtimi i punonjësve me pagë minimale lidhet me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, nga 40 mijë lekë që ishte më parë. /j.p/

1 nga 2

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›