E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësia zbriti në 8,4% në tremujorin e parë 2026

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Shkalla e papunësisë në Shqipëri zbriti në 8,4% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke shënuar një përmirësim krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), niveli i papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 0,3 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025. Megjithatë, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025, papunësia u rrit lehtë me 0,1 pikë përqindje.

Referuar të dhënave, pjesëmarrja e qytetarëve në tregun e punës mbetet e lartë. Në tremujorin e parë të vitit 2026, 76,2% e popullsisë së grupmoshës 15-64 vjeç ishte aktive në tregun e punës, si e punësuar ose në kërkim të një vendi pune. Ky tregues shënoi një rënie prej 0,5 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, por u rrit me 0,3 pikë përqindje në raport me tremujorin paraardhës.

Ndërkohë, shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart rezultoi 58%. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, punësimi u ul me 0,3 pikë përqindje, ndërsa në raport me tremujorin e katërt të vitit 2025 shënoi një rënie prej 0,5 pikë përqindje. /j.p/

1 nga 2

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›