Pal Metaj në krye të Përmbarimit
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka bërë dje prezantimin e drejtorit të ri të përgjithshëm të Zyrës së Përmbarimit. Pal Metaj është kreu i ri i Përmbarimit, i cili do të pasojë në këtë detyrë Arben Sefgjinin, i cili kaloi pak kohë më parë në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Dje në një takim me drejtuesit e këtij shërbimi në rrethe, Alibeaj ka prezantuar Metajn, si dhe ka përfituar nga rasti për të ritheksuar domosdoshmërinë e zbatimit rigoroz të ligjit nga punonjësit e Përmbarimit.
Sipas burimeve të brendshme nga Ministria e Drejtësisë, Metaj është me profesion jurist dhe përpara mbërritjes në këtë pozicion ka qenë anëtar i grupit mbikëqyrës të kontrollit financiar të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë. Ai ishte emëruar në këtë detyrë me vendim të Kuvendit të Shqipërisë në qershor të vitit 2006. Ndërsa pak ditë më parë Kryeministri Berisha ka firmosur propozimin e bërë nga ministri i Drejtësisë për emërimin e Pal Metajt në krye të Zyrës së Përmbarimit. Ai është drejtuesi i tretë që emërohet në këtë detyrë që prej ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në korrik të vitit 2005.