E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, Task Forca kontroll automjeteve të shtrenjta

Një grup i Task Forcës, duke mbajtur në duar një listë të gjatë me marka automjetesh me numrat e shasive përkatëse, të cilat ua ka dhënë Interpol Tirana ka mbërritur paraditen e sotme me qëllim kontrollin e të gjitha makinave të shtrenjta në Fier. Lajmi konfirmohet nga shefi i Komisariatit të Policisë, Sajmir Muçaj. Ai ka pohuar se një grup prej gjashtë ekspertësh të Task Forcës në Ministrinë e Brendshme ka zbritur në Fier me qëllim bllokimin dhe verifikimin e të gjitha automjeteve luksoze. Që nga ora 10:00 e paradites së të enjtes e deri në orën 15:00 grupi i ekspertëve në bashkëpunim dhe me policinë e qarkullimit rrugor Fier kanë bllokuar më shumë se 100 automjete luksoze. Mësohet se këto automjete janë prodhime të tri viteve të fundit.

Sipas burimeve zyrtare policore fierake mësohet se pronarëve të automjeteve u është kërkuar i gjithë dokumentacioni që nga origjina deri në dokumentimin brenda vendit të makinës që kanë në pronësi. Gjithashtu atyre u është kërkuar flet-hyrja e automjetit në doganën shqiptare, zhdoganimi, targimi etj. Disa nga drejtuesit e makinave që kanë pasur dokumentacion të rregullt kanë mundur ta marrin pas disa orësh makinën e tyre, ndërkohë që ende të bllokuara në kuadër verifikimesh gjenden mbi 60 makina luksoze. Ndër markat më të preferuara për t‘u bllokuar e verifikuar kanë qenë kryesisht "BMW X5", "Volkwvagen", "Mercedez", "Tuareka" etj. Qyteti i Fierit është cilësuar si një nga qytetet kryesore në vend ku numri i automjeteve është shumë i lartë, ndërkohë që aty gjenden dhe makinat më të shtrenjta, madje dhe ato të prodhuara muajt e fundit. Praktika e aplikuar nga pronarët e makinave të shtrenjta në Fier është targimi i tyre kryesisht në qytetin e Tiranës, ndërkohë që muajt e kaluar automjetet kryesisht "BMW" kanë kaluar një fazë të tillë kontrolli të imtësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›