Papa anulon vizitën në "La Sapienca"
Vatikani ka anuluar vizitën e Papa Benediktit XVI në universitetin "La Sapienca" të Romës, me rastin e inaugurimit të vitit të ri akademik të tij. Në një deklaratë të Selisë së Shenjtë thuhet se, duke pasur parasysh zhvillimet e ditëve të fundit, është marrë vendimi për anulimin e vizitës. Ati i Shenjtë nuk do të marrë pjesë në ceremoni dhe do të dërgojë atje një përfaqësues. Lajmi i heqjes dorë nga vizita erdhi pikërisht në kohën kur ende nuk kish përfunduar dita e gjatë e tensioneve, pikërisht për shkak të vizitës së paralajmëruar. Lektorë dhe studentë të universitetit prestigjioz të "La Sapiencës", në Romë, kërkuan me ngulm anulimin e vizitës së planifikuar të Papa Benediktit, duke kundërshtuar qëndrimin e tij ndaj Galileos. Papa Benedikti XVI ishte ftuar të mbante një fjalim të enjten në universitetin "La Sapienca". 67 akademikë ndërkohë kishin firmosur një letër ku thuhej se këndvështrimi i Papa Benediktit mbi Galileon "na fyen dhe na poshtëron". Ata vinin në dukje se Papa justifikon gjyqin e 1633-shit dhe dënimin e Galileos për herezi. Astronomi kishte argumentuar se Toka rrotullohej rreth vetes dhe rreth diellit. Akademikët thonë se, nisur nga ky qëndrim, do të ishte e papërshtatshme që sezoni akademik i këtij viti, në universitetin prestigjioz, të hapej pikërisht me Papën. "Në emër të natyrës laike të shkencës, ne shpresojmë që ky eveniment jo i mirëpritur të anulohet", thuhej në letrën që i ishte drejtuar rektorit të universitetit, Renato Guarini. Ndërkohë, në një iniciativë të ndarë, studentët në "La Sapienca" kishin organizuar protesta që, sipas tyre, do të vazhdonin për katër ditë. Ndër banderolat që ata kishin vendosur në ambientet universitare, ishte edhe një ku shkruhej: "Dituria nuk ka nevojë për etër dhe as për priftërinj". Radio Vatikani kishte thënë ndërkohë se protesta në "La Sapienca" ka tone censure. Nga ana e tij, rektori i universitetit ishte mbrojtur duke thënë se ftesa drejtuar Atit të Shenjtë ishte e justifikuar me temën e ceremonisë, dedikuar angazhimit kundër dënimit me vdekje. Papa Benedikti ishte personi përgjegjës për doktrinën katolike-romane, në 1990-ën, kur si kardinali Ratzinger, komentoi gjyqin e Galileos në shekullin e 17-të. Ai është cituar të ketë thënë se gjyqi ishte i arsyeshëm dhe i drejtë. Inkuizitorët e Galileos pretendonin se toka ishte e palëvizshme. Galileo, një katolik i devotshëm, ishte detyruar të mohonte zbulimet e tij në publik. 15 vjet më parë, Papa Gjon Pali i Dytë, zyrtarisht pranoi se në fakt Toka nuk ishte e palëvizshme.