E Martë, 3 Nëntor 2026

Park fotovoltaik 102 MW në zonat Mbreshtan dhe Banjëz

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar 102 MW do të ndërtohet në afërsi të fshatrave Mbreshtan dhe Banjëz, duke u shtrirë në dy bashki, Përmet dhe Kolonjë.

Projekti do të realizohet nga kompania Tekno Fire, e cila ka paraqitur pranë autoriteteve vlerësimin e ndikimit në mjedis, ku janë përcaktuar koordinatat dhe sipërfaqja totale që zë parku.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka publikuar raportin teknik të vlerësimit të ndikimit në mjedis për ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet prej 102 MW dhe veprave ndihmëse si linja elektrike 110 kV dhe nënstacioni 110 kV.

Për ndërtimin e parkut fotovoltaik, në raport thuhet se është marrë miratimi paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Parku fotovoltaik do të vendoset në një zonë kodrinore-malore pranë fshatrave Mbreshtan dhe Banjëz, në një sipërfaqe totale prej rreth 147.8 hektarë. Aksesi në terren bëhet i mundur përmes rrugëve ekzistuese të zonës, me hapjen e një pjese të trasesë dhe pjesën tjetër të aksesueshme për mjetet e rënda. Impianti dhe nënstacioni do të pozicionohen në Bashkinë Kolonjë, ndërsa linja elektrike do të kalojë përgjatë Bashkive Përmet dhe Kolonjë.

Projekti përbëhet nga 157,231 module fotovoltaike, me një sipërfaqe totale të moduleve prej 488,414 metra katrorë, sipas raportit teknik të vlerësimit të ndikimit në mjedis të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Ndërtimi i parkut është planifikuar të zgjasë dy vjet dhe do të nisë pas pajisjes me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Kohëzgjatja e operimit të impiantit do të jetë 50 vjet, me një ndryshim të moduleve fotovoltaike pas 25 vjetësh.

/a.gj/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›