E Martë, 3 Nëntor 2026

Guardiola: Lufta në Gaza, kaq e dhimbshme

MANCHESTER, 11 qershor /ATSH/ – Trajneri i ”Manchester City”-t, Pep Guardiola tha se ishte i frikësuar nga lufta e dhimbshme në Gaza, sipas BBC.

Kanë kaluar 20 muaj që kur Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza në përgjigje të sulmit të paprecedentë ndërkufitar të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1 200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng.

Të paktën 54 880 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.

Guardiola, 54 vjeç, po fliste ndërsa merrte titullin Honoris Causa nga Universiteti i Manchesterit.

“Është kaq e dhimbshme ajo që shohim në Gaza. Më dhemb gjithë trupi”, tha Guardiola në fragmente të fjalimit të tij të shpërndara në mediat sociale.

“Le të jem i qartë, nuk ka të bëjë me ideologjinë. Nuk ka të bëjë me faktin nëse unë kam të drejtë apo ti e ke gabim. Ka të bëjë vetëm me dashurinë për jetën, me kujdesin për fqinjin tënd… Ne duhet të mendojmë për këtë… Më vjen keq, por unë i shoh fëmijët e mi, Marian, Mariusin dhe Valentinën. Kur shoh çdo mëngjes që fillon makthi për foshnjat në Gaza, jam shumë i frikësuar”, theksoi ai.

Guardiola nuk ka pasur kurrë frikë të shprehë pikëpamjet e tij politike, duke folur shpesh për mbështetjen e tij për pavarësinë pro Katalonjës.

Në vitin 2018, ai u gjobit me 20 000 paund nga Federata britanike e Futbollit për “mbajtjen e një mesazhi politik” pranë fushës – një fjongo të verdhë për të mbështetur politikanët e burgosur në Katalonjën e tij të lindjes, pasi më parë ishte paralajmëruar se kishte shkelur rregulloret.

Një vit më parë, ai iu bashkua mijëra protestuesve në Barcelonë që kërkonin pavarësi në rajon./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›