E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e përgjithshme paralizon Greqinë

Një grevë 24-orëshe kundër planit ekonomik dhe reformës së pensioneve të qeverisë greke ka ndërprerë transportin të mërkurën dhe ka pezulluar të gjitha shërbimet publike. Mijëra njerëz gjithashtu u mblodhën në Athinë për të protestuar kundër reformave që konservatorët në pushtet thonë se do ta bëjnë ekonominë e Greqisë më konkurruese dhe do të shpëtojnë sistemin e lodhur të pensioneve, që, sipas parashikimeve, pritet të rrënohet brenda 15 vitesh. Sindikatat e kundërshtojnë reformën. Dy ditë para se Kryeministri Kostas Karamanlis të shpalosë reformën e tij në Parlament, fluturimet për në dhe nga aeroportet janë anuluar, transporti publik është ndalur dhe anijet kanë qëndruar të ankoruara në porte, ndërsa trafiku është rënduar ekstremisht shumë në rrugët e Athinës. Rreth tetëmijë demonstrues, të mbështetur nga sektori publik dhe ai privat, nën ombrellën e sindikatave që përfaqësojnë plot 2.5 milionë punëtorë, marshuan paqësisht para Parlamentit dhe bllokuan rrugët kryesore. Duke lëshuar slogane antiqeveritare dhe duke mbajtur në duar banderola ku lexohej "Larg duart nga sistemi i pensioneve", demonstruesit i kërkuan qeverisë të heqë dorë nga plani për privatizimin e porteve kryesore të vendit dhe propozimeve për reformimin e pensioneve. "Kjo qeveri nuk kujdeset për të ardhmen tonë. Ajo kujdeset vetëm për bizneset e mëdha dhe shkatërron kështu fondet tona të pensioneve", tha Dimitra Hatzidaki, një punëtore nga Athina. Dhjetëra marshime të tjera janë organizuar në qytetet e Greqisë. Javën e shkuar, një zyrtar i lartë i qeverisë tha se ekzekutivi do të propozonte shkrirjen e dhjetëra fondeve të pensioneve në gjashtë fonde të mëdha, kryesore, si edhe rritjen e moshës së daljes në pension për disa kategori punësh e një seri masash inkurajuese për kë punon më gjatë. Sindikatat kanë akuzuar qeverinë, e cila fitoi një mandat të dytë katërvjeçar në shtator, se nuk i ka mbajtur premtimet për mosrritjen e moshës së daljes në pension, për mosuljen e pensioneve apo rritjen e kontributeve. "Miliona njerëz janë në grevë sot", tha zëdhënësi i sindikatës së sektorit privat, GSEE, Efstathios Anestis. "Ne presim që qeveria të marrë mesazhin e duhur dhe të ndryshojë politikat e saj". Mjekët në spitale kanë trajtuar vetëm emergjencat, programet informative në televizione janë ndërprerë, ndërsa bankat dhe shërbimet shtetërore u mbyllën. "Kjo e sotmja ishte një ditë e tmerrshme", tha një shofer, Nikos Gioutis, i bllokuar në trafik në qendër të Athinës. "Për gjatë një ore unë kam lëvizur vetëm disa metra", shton ai. Pavarësisht problemeve të mëdha, shumica e njerëzve e kanë pranuar situatën. "Sigurisht kemi pasur trazira, por unë mendoj se ata po luftojnë për të drejtat e tyre", thotë një banor i Athinës, duke shprehur solidaritet me grevën që paralizoi vendin për 24 orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›