E Diel, 1 Nëntor 2026

Peleshi: Për dosjen e SPAK për Ballukun po zbatojmë ligjin për ruajtjen e sekretit hetimor

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u shpreh sot gjatë seancës parlamentare, se materialet dhe provat për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nuk janë kyçur në sirtar, por po zbatohet ligji për ruajtjen e sekretit hetimor.

Peleshi iu përgjigj kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili i bëri thirrje Kuvendit që të ndajë me deputetët dosjen për çështjen e Belinda Ballukut, duke akuzuar Peleshin se e ka kyçur në kasafortë.

“E keni shpërndarë me një grup deputetësh, të cilët rastësisht nuk kanë thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë dosje. Përndryshe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushetuese dhe turpi do mbetet mbi ju, sepse jeni i vetmi kryetar i Kuvendit të Shqipërisë i cili ka fshehur një dosje kompromentuese të zv.kryeministres Belinda Balluku, është detyra juaj të nxirrni dosjen, të bëni transparencë”, u shpreh Shehaj.

Peleshi iu përgjigj deputetit duke thënë se nuk është e vërtetë që janë kyçur materialet dhe provat, por se të dhënat e saj nuk duhet të dalin, sepse janë sekret hetimor, edhe për deputetët që kanë tashmë akses në dosje.

“Në fjalën tuaj harruat togfjalëshin Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, është ky këshill që shqyrton materialet dhe i paraqet raportin seancës. Raporti i Këshillit të Mandatave do të vijë në seancë, ku do të përfshihen të gjithë opinionet e palëve apo deputetëve. Do votojë pasi të dëgjojë raportin e përgatitur nga deputetët anëtarë të Këshillit të Mandatit, Rregullores dhe Imunitetit”, tha Peleshi.

Në përgjigje të Shehajt, Peleshi nënvizoi se të gjithë deputetët që kanë tërhequr materialet duhet të mos i bëjnë publike, sepse bëhet fjalë për një sekret hetimor për të cilin është firmosur dhe deklarata përkatëse.

“Nuk është zgjedhje e Kryetarit të Kuvendit, është një urdhër i prokurorit të çështjes për të mos publikuar materialet dhe jam në zbatim të atij urdhri dhe ligji”, tha Peleshi.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›