E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja me prindërit, takimi i dështuar me mësuesit

Kur shkon në shkollë për të pyetur për fëmijën, njihesh vetëm me notat e tij. Sjellja, progresi mësimor, mungesat dhe mbi të gjitha personaliteti i nxënësit mbeten gjithnjë pyetje pa përgjigje. Prindërit dhe mësuesi kujdestar mblidhen çdo fundmuaji në një mbledhje ashtu nxitimthi, ku para regjistrit shohin notat e secilit nxënës. Kjo është panorama që të ofrohet të premten e fundshkurtit, në një nga shkollat e mesme të kryeqytetit. Por kjo shkollë nuk është aspak e ndryshme nga të tjerat. Kështu ndodh në çdo gjimnaz të Tiranës. Fakt të cilin e pranon edhe Ministria e Arsimit.

Specialisti i këtij dikasteri, Fatmir Bezati, shprehet se "një nga arsyet që dështon mbledhja me prindërit është mungesa e informacionit të mësuesve për çdo nxënës, por edhe mungesa e standardeve të këtij lloj informimi". Më tej ai shton se "merreni me mend, një mësuese që jep një lëndë me dy orë në javë, që të plotësojë ngarkesën mësimore i duhen të paktën 10 klasa mësimore dhe me 35 nxënës për klasë, minimalisht 350 nxënës. Në këto kushte takimi me prindër është kthyer nga njëra anë në një stres për mësuesin dhe, nga ana tjetër, ka tendencën të shndërrohet në një formalizëm të dyanshëm prindër-shkollë".

Mbledhja me prindërit zhvillohet një herë në muaj. Mësuesi kujdestar, përmes nxënësve, njofton prindërit për orën, që është kryesisht pas përfundimit të mësimit. Kjo është një praktikë që ndiqet prej vitesh pa asnjë lloj ndryshimi. Ndërsa janë bërë trajnime me mësuesit për aspekte të ndryshme, për organizimin e "takimit me prindër" nuk kanë marrë asnjë lloj leksioni dhe këtë e pranojnë vetë protagonistët, mësuesit. Sipas tyre, mbledhja me prindërit është një nga detyrimet e tyre të punës dhe asgjë më tepër. "Mësuesi kujdestar e ka për detyrë të zhvillojë mbledhjen me prindërit. Ne hapim regjistrin dhe u japim rezultatet", shprehet një mësuese në Tiranë.

"Nga të gjitha vëzhgimet të bie në sy një situatë e tillë. Një mësuese, e cila është e rrethuar nga prindërit rreth tavolinës së

saj dhe që mundohet t‘u japë përgjigje të gjithë prindërve me radhë, si për progresin mësimor ashtu dhe për progresin edukativ. Ndërkohë, prindërit që presin në radhë për t‘u takuar e për të marrë një përgjigje pozitive nga mësuesja. Radha është e gjatë dhe për pasojë një pjesë e prindërve të lodhur nga radha largohen". Ky është konstatimi i specialistit të MASH-it, Bezati.

Raporti i mësuesve me nxënësit, apo aspekte të tjera të sjelljes së adoleshentëve, janë mjaft problematike, por që nuk ceken fare në këto mbledhje. "Ne thërrasim prindër të veçantë, kur kemi nxënës problematikë dhe i njohim me sjelljen e fëmijës", sqarojnë mësuesit, ndërsa shtojnë se "e kanë totalisht të pamundur të fiksojnë gjithë nxënësit dhe të raportojnë te prindërit për secilin prej tyre".

Mbledhja me prindër nuk është më "frika e nxënësve". Kur prindi shkon në shkollë, asnjë nuk shqetësohet nëse ai mëson "të fshehta". Askush nuk tregon nëse "nxënësi është konsumator i duhanit, apo ndonjë lënde të lehtë narkotike, apo nëse nxënësi ka sjellje jo të rregullt me bashkëmoshatarët". Këto detaje janë pjesë e sekreteve të moshës dhe aspak probleme që duhen trajtuar nga mësuesit dhe prindërit për t‘u eliminuar. Mësuesit dhe prindërit bëjnë sikur takohen në fund të muajit, pa i shërbyer progresit të nxënësve dhe sjelljes së tyre në shkollë.

Receta komunikimi

Si duhen zhvilluar takimet me prindër?

"Takimet me prindër duhet të kenë një qartësi metodike ashtu si dhe një orë mësimi". Kështu shprehet specialisti i MASH-it, Fatmir Bezati. Ai u sugjeron mësuesve disa shprehi, që duhet t‘i përdorin gjatë këtyre takimeve. "Prindërit mund të kenë vështirësi ekonomike dhe probleme sociale, si edhe probleme të ndryshme të menaxhimit të sjelljeve me fëmijët e tyre në shtëpi. Ata mund të ndihen të pafuqishëm për të ndihmuar fëmijët. Nisur nga eksperiencat jo pozitive të tyre, ata mund ta fajësojnë vetveten për problemet e fëmijës së tyre. Ndaj mësuesi duhet të përdorë këtë standard komunikimi: Më vjen mirë që ju takoj. Është shumë e rëndësishme për neve të flasim për fëmijën tuaj. "Fëmija juaj është shumë i mirë në...". Duhet që mësuesi të zbulojë anët pozitive të çdo nxënësi dhe kjo është absolutisht

e mundur. Më tej: çfarë thotë fëmija juaj për shkollën?

Unë shqetësohem se fëmija juaj ka disa probleme në... Kam vërejtur... (shpjego sjelljet specifike). Dhe në fund planifikimi i detyrave për secilën palë. Çfarë do të bëjë mësuesi, duke u shprehur: "Unë do të bëj…" Çfarë do të bëjë prindi: "Ju do të bëni...". Planifikohet takimi i radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›