E Diel, 1 Nëntor 2026

Abonetë urbane shiten me dyfishin e çmimit nga spekulantët

Radhë të gjata, njerëz që i hipnin në kurriz njëri-tjetrit dhe tregtarë "të zinj", që shesin me çmime më të larta. Ka qenë kjo pamja e djeshme, në thuajse të gjitha pikat e shitjes së aboneve urbane në kryeqytet. Edhe pse, sipas premtimit të drejtuesve të bashkisë, në treg u hodhën abonetë e reja me logon e pushtetit lokal kryeqytetas, telashi i kartelave të pajtimit duket se nuk është zgjidhur ende. Qytetarë të shqetësuar i janë sulur dje kioskave, ku shiten këto abone për transportin publik urban në Tiranë. Por, në një pjesë të madhe të tyre, ata nuk kanë mundur që t‘i blejnë ato me çmimin standard prej 600 lekësh. Ata kanë paguar deri në 1000 lekë për një abone mujore. Kaq ka qenë çmimi i vendosur nga më "të fortët", ata që kanë siguruar një numër të madh abonesh të reja për muajin mars dhe më pas i kanë shitur me gati dyfishin e çmimit për nevojtarët.

"Këto vonesa nuk janë normale", shprehet një grua që qëndron në fund të radhës së gjatë, në pikën e shitjes së aboneve në qendër të Tiranës, përballë Pallatit të Kulturës. "Kemi disa ditë që presim të marrim abonetë", thotë ajo, duke shtuar se "jemi çoroditur nga ajo që dëgjojmë përditë. Një herë do të bllokohen dhe pastaj do të shpërndahen abonetë. Jam gati ta blej edhe më shtrenjtë vetëm të marr një, se udhëtoj disa herë në ditë me urban". Të tjerë qytetarë ankohen, sepse një fenomen i tillë po përsëritet shpesh dhe, sipas tyre, në çdo fillim muaji kur abonetë vonohen, ata detyrohen që ose të shtyhen në radha ose t‘i blejnë ato me çmime më të shtrenjta nga spekulantët.

Ashtu sikundër premtuan disa ditë më parë drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, shpërndarja e kartelave të pajtimit të shërbimit urban në kryeqytet filloi ditën e hënë. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Eduard Shalsi, kjo u arrit në sajë të negociatave të përfaqësuesve të pushtetit vendor me drejtuesit e zyrës së tatimeve. Gjatë takimit u ra dakord që për muajin mars të shpërndaheshin abone të reja, të cilat të ishin të pajisura me logon e Bashkisë së Tiranës. Vetëm kjo mund të bëjë dallimin nga linjat e tjera urbane, siç është ajo e Kamzës. Ka qenë ky një ndër pretendimet kryesore edhe të Shoqatës së Shërbimit Urban Qytetas. Pak ditë më parë, ata kërcënuan se nuk do të shpërndanin më kartela pajtimi mujore për marsin, në rast se nuk do të ndërhyhej nga strukturat shtetërore për të zgjidhur këtë problem. Që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, telashet me shpërndarjen e aboneve dhe pretendimet për rritjen e çmimit të biletave në shërbimin urban në Tiranë vazhdojnë, ndërkohë që zgjidhjet që ofrohen vijnë vetëm si pasojë e presionit të qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›