E Diel, 1 Nëntor 2026

"Franc Nopça" do të quhet sheshi te stacioni i trenit

Jo vetëm një pamje e re, por edhe një emër i ri për zonën e stacionit të trenit. Sheshi përpara këtij stacioni është quajtur dje "Franc Nopçka". Albanologu i shquar hungarez, baroni Franc Nopça, është nderuar në Tiranë. Pllakati në nderim të këtij personaliteti u zbulua nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, dhe kryetari i Bashkisë së Budapestit, Gabor Demszky. Kjo, pas vendimit për emërtimin e këtij sheshi, marrë në mënyrë unanime të premten nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, me propozim të kryebashkiakut Edi Rama. Ky shesh është ndër më kryesorët në Tiranë, me një popullsi mjaft të madhe dhe lëvizje automobilistike, pasi kryqëzohen rrugë të rëndësishme, si bulevardi "Zogu I" dhe Unaza e Tiranës.

Rruga e Unazës, që sapo është rikonstruktuar, i ka dhënë një pamje krejt tjetër stacionit të trenit. Por tashmë pllakati me emrin e albanologut i jep një dimension të ri. Nopça është një emër i njohur i historisë së gjuhës dhe traditës shqiptare. Lista e publikimeve të Nopçës përmbledh 186 punime, kryesisht në fushën e paleontologjisë, gjeologjisë. Në rreth 54 prej këtyre studimeve ai lidhet veçanërisht me Shqipërinë. Nopça kaloi shumë nga koha e tij në veriun e Shqipërisë, duke u interesuar jo vetëm për objektivat studimorë dhe personalë, por në të njëjtën kohë duke u interesuar për politikën, duke u kthyer në mbështetje për Ministrinë e Jashtme të Austrisë. "Në lidhje me Shqipërinë, Nopça ka qenë i njohur kryesisht si etnolog, por ishte edhe një gjeolog, gjeograf dhe paleontolog me famë", kështu shkruan një tjetër albanolog, Robert Elsie, në kujtimet e tij për Nopçën. Librat e tij paraqesin Shqipërinë e viteve 1897 deri më 1917-ën. Para Luftës së Parë Botërore Nopça kishte blerë një shtëpi në Shkodër ku jetonte, pranë maleve dhe malësorëve të Veriut, që i donte aq shumë. Ishte ndër të huajt e parë që kanë depërtuar Malet e Veriut dhe që i kanë mbijetuar udhëtimit. Ai u shqua gjithashtu si figurë publike dhe politike e kohës së tij. Ai dinte me siguri më shumë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e Veriut se çdo austro-hungarez tjetër. Pas Luftës së Parë Botërore ai u tërhoq nga jeta politike dhe jetoi në Vjenë e në Budapest, ku për një kohë ishte drejtori i Institutit Mbretëror Hungarez të Gjeologjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›