Bllokohen 13 vula në banesat e të arrestuarve
Të arrestuarit e dy ditëve më parë nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre për abuzime me pronat në Tiranë. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka deklaruar zyrtarisht se gjatë operacionit të koduar "Furtuna" u arrestuan gjashtë persona, ku katër prej tyre kishin masë sigurie nga gjykata, ndërsa dy të tjerë u prangosën me urdhër të prokurorit. Fillimisht, policia antikrimi ekonomik arrestoi tre punonjës të Pasurive të Paluajtshme dhe një sekser. Arrestimi i tyre u bë mbi bazën e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë të dy ditëve më parë, e cila kishte vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për veprat penale të "Korrupsionit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Falsifikim dokumentesh" të kryera në bashkëpunim. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit u bë ndalimi i Dali Hakores, me punë oficer policie i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Ndalimi i tij u bë për veprën penale të "Falsifikimit të dokumenteve", "falsifikimit të formularëve, stampave dhe vulave", "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personit që ushtron funksion publike". Edhe ky person dyshohet se ka bashkëpunuar me personat e tjerë për të mbivendosur prona të paluajtshme. Por, ai nuk e ka pranuar një akuzë të tillë. Ndërsa, Halil Hima ishte personi i cili kishte ofruar para në këmbim të shërbimeve nga punonjësit e Hipotekës. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se pas një hetimi disamujor, duke përdorur metodat speciale, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale që kanë kryer këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin. "Konkretisht, kanë kryer veprime të kundërligjshme për regjistrimin e pronave dhe lëshimin e certifikatave të falsifikuara të pronësisë për një numër të konsiderueshëm shtetasish, në këmbim të marrjes së parave si përfitime të paligjshme dhe përvetësimin e pronave padrejtësisht", deklaroi Policia e Shtetit. Gjatë kontrollit të banesave të personave të mësipërm, grupi hetimor arriti të gjejë 13 vula të institucioneve të ndryshme, si hipotekë, bashki, noter, avokat. Gjithashtu, u gjetën dokumente shkresore, që implikon plotësisht të arrestuarit në aktivitetin kriminal. Materialet hetimore i kanë kaluar Taks-Forcës në Prokurorinë e Tiranës.