Nëpunësit e Hipotekës, 6 javë nën hetim
Për gjashtë javë, Prokuroria e Tiranës ka mbledhur fakte dhe prova bindëse për arrestimin e tre zyrtarëve të Hipotekës. Hetuesit dhe prokurorët e Task-Forcës kanë mbajtur nën përgjim dhe vëzhgim personat e arrestuar. Hetimet e prokurorisë po përqendrohen në mbivendosjen e pronave nga të arrestuarit, të cilët dyshohen e se kanë përfituar miliona lekë për këtë "shërbim". Gjithsesi, hetuesit e çështjes thanë se u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë dyshime se prona e tyre është mbivendosur, të denoncojnë rastet dhe personat përgjegjës në prokurori. Mësohet se aktualisht ka vonesa në regjistrimin e pasurisë dhe ka gabime në harta dhe kartela, pasi në formulimin e këtyre dokumenteve ka pasur ankesa të shumta, duke shtuar këtu edhe pasurinë e mbivendosur, apo kartelat e akt-shitjeve, ku për regjistrimin e një pasurie depozitohet një kontratë shitjeje dhe një vërtetim pronësie nga Hipoteka. Pikërisht këto shkelje do të bëhen objekt verifikimi dhe hetimi nga seksioni i Task-Forcës kundër informalitetit në Prokurorinë e Tiranës. Të gjithë personat e dyshuar do të japin shpjegime para grupit hetimor dhe nëse konstatohet se kanë shkelur procedurat ligjore atëherë dosja do të kopsitet dhe do të dërgohet në gjykatë.