Nëse nuk je evropian, je i huaj
Revista angleze "New Muzical" sapo ka publikuar një artikull me temë interesante, sipas të cilit "Mbretëria e Bashkuar është e tejmbushur me të huaj. Është bërë një vend që i refuzon njerëzit dhe i bën që të largohen. Sa më shumë rritet fluksi i emigrantëve, aq më shumë venitet identiteti britanik". Edhe në një reportazh të transmetuar nga një televizion francez një zonjë borgjeze e lyer dhe e veshur mirë, ka shfaqur hapur inatin për ministren e Drejtësisë së vendit, Rakida Dati: "Le të largohet! Le të kthehet në vendin e saj". Vajza e një muratori maroken dhe e një nëne algjeriane, Rakida është me kombësi franceze, por për disa ajo vazhdon të ngelet një emigrante dhe e huaj. Për më tepër, një mbështetës i së djathtës ekstreme në Francë para disa ditësh deklaroi se me gjithë këta futbollistë me ngjyrë, skuadra kombëtare e futbollit nuk është franceze. Shembuj të tillë janë të pafundmë. Faktikisht jemi përpara një ndryshimi të pamohueshëm dhe sigurisht tejet të dukshëm. Shumë shpejt Britania e Madhe, Franca, Spanja, por edhe Italia do ta ndryshojnë ngjyrën e lëkurës, fytyrën dhe aparencën. Qytetërimi i vjetër judaiko-kristian i përbërë nga njerëzit me lëkurë të bardhë, ka ndezur tashmë dritën jeshile. Ai nuk është i përbërë më vetëm nga evropianë të brezave të vjetër. Dhe kjo sigurisht që nxjerr në dritë problemin e identitetit. Si mund ta përcaktojmë? Çfarë do të thotë sot të jesh evropian? Fluksi i madh dhe në rritje të vazhdueshme të vendeve të Magrebit, Afrikës apo Azisë po transformon dhe trazon jetën e përditshme të qytetarëve evropianë, që dikur jetonin të lumtur mes tyre. Por, duke pasur gjithmonë e më shumë nevojë për punë krahu për fabrikat e saj, Evropës së bardhë dhe të pasur, me ekonomi të shëndetshme, iu desh të thërriste miliona të huaj për të bërë që ekonomia e saj të funksiononte për së mbari dhe sigurisht për të mbajtur standardet e jetesës së mëparshme. Problemi qëndron se këta të huaj janë burra e gra dhe është më se e zakonshme që edhe ata të bëjnë dashuri e të lindin fëmijë në tokën evropiane, me një pasaportë evropiane dhe me emra të huaj. Këta fëmijë shkojnë në shkollë, rriten, studiojnë dhe shpesh janë edhe të suksesshëm në jetë. Për shembull, edhe pse pak janë njerëz me pushtet si Fadila Laanan, vajza me origjinë marokene, që mban postin e ministres së Kulturës në Belgjikën frankofone apo bukuroshja Rakida Dati, ministre e Drejtësisë franceze. Presidenti Nikolas Sarkozi, i mahniti të gjithë kur bëri atë që e majta nuk kishte guxuar kurrë ta bënte. I dorëzoi "çelësat" e një ministrie një gruaje të re, e lindur nga prindër me origjinë nga Magrebi. Rakida Dati ka qenë një luftëtare e vërtetë në jetë. Ka studiuar, ka luftuar shumë për të fituar pozicionin e saj dhe që sigurisht në fund ia doli mbanë, pavarësisht origjinës së saj. Në 1994-ën, në Francë doli një roman me titullin "Nadia", ku tregohej se si një vajzë emigrantësh me prindër algjerianë, që donte të merrte shtetësinë dhe identitetin francez, luftonte kundër të gjitha paragjykimeve për të treguar se kur ke vullnet mund të arrish të bësh gjithçka. Njëlloj si historia e Rakidës. Duhet thënë se për Francën ky i Rakidës ishte një rast i rrallë dhe shpesh fakti për t‘i besuar detyra politike me origjinë të huaj është konsideruar si një alibi apo si një simbol. Kjo, sepse identiteti francez është shumë herë më i "çmuar" se ai anglez dhe është shumë e vështirë që të arrish ta marrësh. Protestat në periferitë franceze të tetorit të vitit 2005 dhe nëntorit të 2007-ës treguan hapur për indinjatën e thellë kundrejt njohjes së munguar nga ana e Francës, të qindra të rinjve të lindur në territorin e saj nga prindër emigrantë. "Është një problem identiteti", ishte shprehur ish-presidenti Zhak Shirak, kur e kishin pyetur rreth kësaj çështjeje. Atëherë lind pyetja se përse Shiraku, edhe pse qëndroi në pushtet për 12 vjet apo paraardhësi i tij, edhe ai socialist nuk bënë asgjë? Identiteti i lëkurës me ngjyrë, i quajtur shpesh i padrejtë edhe ai i të zinjve, e ka të vështirë të futet në mentalitetin evropian. Por çfarë është në të vërtetë identiteti evropian? Kujt i ngjan dhe nga se është i përbërë? Në të vërtetë koncepti i identitetit përzien një raport me një lidhje tjetër. Një psikoanalist dikur pati thënë se edhe një fëmijë i sapolindur zhvillon në vetvete ankthin e të qenit i huaj, prandaj refuzon erën e një njeriu tjetër, sidomos atë të qumështit të nënës. Vetëm në muajin e tetë të jetës krijon një lidhje jofamiljare. Për këtë mjafton t‘u mësosh fëmijëve se identiteti i tyre nuk është i pandryshueshëm, që ngjyra e tyre nuk është definitive dhe që është e mundshme të pranosh fytyrat dhe aparencat e tjera. Nuk dihet nëse fëmijëve në shkollat e kontinentit të vjetër u mësohet se identiteti evropian është në lëvizje të vazhdueshme. Prova më e mirë për këtë janë vetë shkollat. Është një konstatim që na çliron nga çdo lloj ankthi, Evropa e të nesërmes do t‘i ngjasojë klasës së një shkolle, ku fëmijët e emigrantëve do të trajtohen njëlloj si ata të evropianëve të vjetër. Identiteti evropian përparon dhe transformohet me ndryshimin e historisë. Në të vërtetë, është diçka e trishtuar, portreti njerëzor ndryshon pavarësisht dëshirave dhe vullnetit tonë. Jeta është në evolucion të vazhdueshëm. Asgjë nuk është e përcaktuar, vetëm vdekja ngurtëson dhe ndalon gjithçka. "Ngrirja" e tij (identitetit) dikur u bë nga regjimet totalitare, si fashizmi, ndërsa sot nga integralizmi islamik. Identiteti i "përcaktuar" nga Hitleri ishte një identitet "i pastër", edhe pse ai e dinte mirë që kjo nuk ekziston. Në fakt, racizmi është një identitet në kërkim të kësaj pastërtie, që nuk pranon asnjë lloj përzierjeje, por kjo është një ëndërr e pamundur. Identiteti evropian fatmirësisht është i gjallë. Mjafton ta njohësh dhe t‘i gëzohesh atij. Duhet mësuar që të vlerësohen avantazhet që të jepen nga kontaminimet dhe gjithashtu të kuptosh pasurinë dhe përmirësimet që sjellin. Bashkëjetesa nuk është e lehtë. Duhet të mësojmë të jetojmë me të tjerët dhe të pranojmë faktin se nuk jemi dhe as nuk kemi për të qenë kurrë vetëm. Për këtë është e nevojshme që rregullat dhe ligjet në të cilat bazohet shoqëria të respektohen. Për këtë duhet një sforco dhe punë e madhe për të ndërtuar identitetin evropian në lëvizje të vazhdueshme dhe që do të jetë vazhdimisht i tillë.