Presidencialet amerikane, sondazhet: Në Ajoua prin Obama
Zgjedhësit në Ajoua kanë filluar të votojnë për Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara dhe sipas një sondazhi të fundit, Barak Obama kryeson kundrejt Xhon Eduardsit në kampin demokrat, ndërsa senatorja e Nju Jorkut, Hillari Klinton, mund ta shohë veten të bjerë në vendin e tretë. Sondazhi i kryer nga Reuters/C-SPAN/Zogby tregon gjithashtu edhe se republikani Majk Hakabee po thellon kryesimin kundrejt Mitt Romnejt, si kandidati më i mbështetur në primaret e Ajouas, në historinë e deri tanishme. Për fituesin në Ajoua, çmimi është një shtysë pozitive e të paktën edhe një pozicion, qoftë edhe i përkohshëm i pretendentit kryesor për nominimin e partisë. Gjithsesi, gjithçka mund të ndryshojë në garën e Nju Hempshajërit të martën e ardhshme. Duke iu kthyer sondazhit të agjencisë "Reuters", të kryer pak para primareve të Ajouas, shihet se Barak Obama ka fituar një kryesim prej katër pikësh kundrejt Eduards, respektivisht në kuotat 31 dhe 27 për qind. Ndërsa senatorja Klinton ka rënë në vend të tretë me 24 për qind. Për Klinton, që për muaj të tërë ishte shpallur si kandidatja më e mundshme për nominimin e demokratëve, një vend i tretë në Ajoua do të përbënte një goditje të rëndë, si dhe do të pasohej nga një presion i jashtëzakonshëm për fitore në Nju Hempshajër javën e ardhshme. Hakabee, ish-guvernatori i Arkansasit, në anën tjetër ka thelluar avantazhin e tij kundrejt Romney-t në garën republikane, nga 31 për qind në 25 për qind.