"Gjuetia" e "doktor vdekjes"
Ishte viti 1945 dhe Evropa i ngjante sheshit të një krimi gjigant. Lufta më shkatërrimtare e historisë së saj kishte lënë qytete të rrënuara, refugjatë të pastrehë, por e keqja nuk mbetej këtu. Kampet e përqendrimit nazist sapo kishin nisur të zbuloheshin me gjithë të vërtetat e tmerrshme që fshihnin pas mureve të tyre dhe pak e nga pak emra të tillë si Aushvic, Buhenvald, Mathauzen, Sobibor, Treblinka nisën të dëgjohen gjithnjë e më shpesh. Gjyqet e Nurembergut që pasuan, i dërguan njerëzit e afërt të Hitlerit pas hekurash për një kohë të gjatë, por shumë të tjerë arritën t‘ia mbathnin. Krejtësisht në qetësi, pa u ndjerë, shumë kriminelë lufte iu shmangën rrjetit të të akuzuarve të Nurembergut dhe me dokumente false bënë gati valixhet e kaluan Atlantikun për të gjetur "paqe" në "parajsën" me emrin Amerika Latine. Kjo ikje e madhe dhe e heshtur u pasua nga legjenda po aq të mëdha. Në ato kohë dolën historitë e nëndetëseve gjermane, që të mbushura me arin e nazistëve pas një udhëtimi të gjatë nga Evropa, zbarkuan në portet e Patagonisë. Shumë romane dhe filma folën për bashkëpunëtorët e Rajhut të Tetë, që, sipas tyre, gjallonin xhunglave të Amazonës duke vazhduar kultivimin e ndjenjave dhe taktikave naziste. Pati edhe nga ata që e bënë Hitlerin të gjallë, madje disa thoshin se e kishin parë Fyhrerin diku në Panama. Realiteti, në fakt, ishte shumë më pak poetik dhe tepër i mbrapshtë. Qindra, ose edhe mijëra hitlerianë arritën t‘ua mbathnin e të gjenin diku larg strehë, pavarësisht se kërkoheshin për krime makabre. Me kalimin e viteve, disa prej tyre u kapën. Adolf Einchman, një arkitekt i Holokaustit, u grabit nga agjentët izraelitë në Argjentinë në vitin 1960. Klaus Barbie, "Kasapi i Lionit" u ekstradua nga Bolivia në vitin 1983. Erich Priebke, një kapiten SS u ekstradua nga Argjentina në vitin 1995. Këta janë vetëm disa nga emrat me të cilët u mbyll shekulli i kaluar. Me ardhjen e mijëvjeçarit të ri u duk se edhe gjuetia ndaj nazistëve mori fund, por jo plotësisht. Qendra "Simon Wisenthal" së fundi bëri një lajmërim të papritur. Gjuetia ka rinisur. Grupi hebre i të drejtave të njeriut deklaroi se po ndërmerrte edhe një përpjekje të fundit për të gjetur nazistët që ende janë gjallë e fshihen në Amerikën Latine. Përpjekja quhet "Operacioni Shansi i Fundit". Pas vitesh të tëra indiference, këtë herë duket se qeveritë e rajonit kanë vendosur të tregohen më bashkëpunuese. Janë mbledhur fonde private e publike dhe shumë informacione e media të vendeve të tilla si Argjentina, Kili, Uruguai etj., janë më bashkëpunuese në këtë proces të fundit. Për organizatorët e "gjuetisë", numri i madh i nazistëve që ikën e u fshehën në Amerikën Latine është shans për kapje të shumta. Sipas një psikologu, tendenca natyrore e kriminelëve të ikur ishte që me të mbërritur në vendin e strehimit të shndërroheshin në njerëz të dashur, të mirë e simpatikë për komunitetin, pra krejtësisht ndryshe nga sa ishin në të vërtetë, sepse ata janë të fundit në këtë planet që meritojnë t‘u jepet simpati. Amerika Latine është e madhe, një kontinent thuajse dyfishi i Evropës që shtrihet nga Karaibet drejt Andeve nga Amazona drejt Tokës së Zjarrtë. Përfshin 13 vende, mijëra qytete, 370 milionë banorë. Nëse do të ishit nazistë, ku do të qëndronit? Zgjedhjet do të ishin të pafund. Ka në fakt një vend të veçantë. Ai quhet San Carlos de Bariloche, një vend pushimesh në Patagoninë argjentinase. "Gjuetarët", pas hetimeve, kishin rënë në gjurmë të një austriaku 93-vjeçar me emrin Aribert Heim, i cili mund të jetë një nga nazistët më të kërkuar në tokat e Amerikës Latine. Ndryshe ai njihet edhe me emrin "Doktor vdekja". Sipas një hetuesi, kjo është gjuetia më e rëndësishme e këtyre 20 viteve të fundit. Nëse i shumëkërkuari do të përfundojë në duart e drejtësisë, do të jetë një sukses i vërtetë. Në fakt, "Doktor vdekja" është nazisti më i kërkuar pas Josef Mengele, i cili ndiqet nga qeveritë e Argjentinës, Kilit dhe Gjermanisë. Por cila është arsyeja që Heim kryeson listën e nazistëve më të kërkuar? Si një mjek SS në Mathauzen, kampi i përqendrimit në afërsi të qytetit austriak, Linz, ai fitoi reputacion për një mizori të pashoqe. Ata që arritën t‘u mbijetojnë torturave të kampit tregojnë se "Doktori" u injektonte të burgosurve naftë në zemër dhe pas kësaj maste kohën që u duhej atyre për të vdekur. Ky është vetëm një nga eksperimentet e tmerrshme që ai kryente ndaj qenieve njerëzore, pa asnjë lloj mëshire. Pas luftës, mjeku i ri nisi të vihej re nga hetuesit e gjyqeve të Nurembergut dhe për këtë u largua në Frankfurt, ku nisi punën si mjek gjinekolog, u martua dhe madje frekuentonte edhe lojën e hokejit në akull. Megjithatë, në vitin 1962, hetuesit austriakë po i afroheshin dhe ky është momenti kur Heim largohet përfundimisht nga vendi. Për vite me radhë u soll nga Egjipti, Uruguai, Kili dhe Spanja. Edhe hetuesit e gjurmuan për një kohë të gjatë nëpër këto vende dhe rajone të tjera, derisa tani e gjithë vëmendja është përqendruar te Bariloku. Heim ka një vajzë 64 vjeçe, Waltraud, e cila jeton në kufi të qytetit kilian të Puerto Mont. Ish e dashura e dikurshme e kriminelit, nëna e vajzës së tij, Gertrud Boser, ka vizituar Kilin 18 herë gjatë viteve 1979-1992. Ajo vdiq dhe e bija nuk dëshiron të flasë për të atin. Familja tjetër e Heimit, e përbërë nga gruaja dhe dy djem, jeton në Baden-Baden të Gjermanisë dhe e shoqja thotë se bashkëshorti i saj vdiq nga kanceri në Argjentinë në vitin 1993. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë a mund të thuhet se drejtësia është e vonuar në këtë rast për Heim? Një kolonel izraelit në pension ka publikuar një libër, në të cilin thotë se ka qenë pjesë e një skuadre që e ndoqi dhe e vrau kriminelin në Kaliforni në vitin 1982, e më pas trupi i vrarë u hodh në Paqësor. Hetuesit e organizatës hebrenje mohojnë gjithçka, duke thënë se ato janë thjesht fantazi dhe se ekzistojnë prova të forta që Heim është ende gjallë. Nëse "Doktori i vdekjes" do të kapet në qytetin e vogël në fjalë, atëherë ndoshta do të ndryshojë edhe mentaliteti për nazistët e fshehur, që nuk kanë mundur të kapen gjatë dhjetëra vitesh, edhe pse janë konsideruar si njerëzit më të kërkuar. Të tillë optimizëm, për shembull, përhapi rasti i kapjes së Erich Priebkes, oficerit SS që kishte marrë pjesë në masakrën e 355 të burgosurve në rrethinat e Romës në vitin 1944. Pas arrestimit ai u ekstradua në Itali, ku po vuan edhe dënimin me burgim të përjetshëm. Për sa i përket destinacionit më të preferuar të nazistëve, ai ishte Argjentina. Sipas studimit të një paneli qeveritar të dalë në vitin 1995, thuhet se rreth 180 nazistë që kanë procese të hapura për krime në Evropë ndodhen në Amerikën Latine. Bëhet fjalë për krerë të nazistëve dhe jo për ekzekutorë të thjeshtë, numri i të cilëve mund t‘i kalojë mijërat. Në lidhje me mënyrën e ikjes së kriminelëve nazistë në tokat e jugut nuk është se mungon informacioni. Ka fakte që mbështesin variantin se ata u ftuan në këtë kontinent. Qeveria e Huan Peronit, në Argjentinë, ngriti rrugëkalime nga Evropa për kalimin e këtyre njerëzve. Me fillimin e Luftës së Ftohtë, Amerika, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik u munduan që të bënin për vete nazistët e talentuar, duke i ftuar në vendet e tyre, sigurisht të maskuar. Të njëjtën gjë bëri edhe Argjentina, vetëm se ajo përveç ftesës që u dërgoi personave me talente të veçanta nuk e kufizoi atë edhe për nazistët merita e vetme e të cilëve ishte mizoria e patreguar. Arsyet ishin nga më të ndryshmet. Kur Peron u dërgua në pozicionin e atasheut ushtarak në Itali, në vitet ‘39-‘41, argjentinasi ambicioz kultivoi një shije për madhështinë e fashizmit dhe efektivitetin e këtij regjimi. Vite më vonë thuhet se ai nuk kishte shumë konsideratë për gjyqet e Nurembergut, të cilat, sipas tij, gjykonin njerëz me pa të drejtë. Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara në Argjentinë, Evropë dhe Amerikë shihet qartë se si Buenos Aires u lidh me zyrtarë të Vatikanit për të shpëtuar jetë nazistësh dhe bashkëpunëtorësh nga situata e rrezikshme në Evropën e pasluftës II Botërore. Duke krijuar imazhin e një rrjeti që luftonte komunizmin u arrit që të siguroheshin dokumente false për njerëzit e afërt të Hitlerit, të cilët u nisën nga porti i Xhenovës drejt Buenos Airesit. Njëri ndër të parët që arriti bregun latin ishte një kolaborator belg me emrin Pierre Daye, i cili ishte dënuar me vdekje. Ai gjeti strehë në këtë vend dhe jetoi për shumë vjet aty nën dokumente false. Në të njëjtën kohë që Evita, bashkëshortja e Peronit po mbante lart moralin e turmave jashtë ballkonit të pallatit presidencial, burri i saj, Presidenti merrej me strehimin e nazistëve. Peroni autorizoi Daye që të krijonte një shoqëri në Argjentinë për pritjen e emigrantëve evropianë në një ndërtesë të madhe në pronësi të kishës katolike. Megjithatë, Argjentina ka qenë gjithmonë një vend që i ka ndaluar përpjekjet e shoqatave të ndryshme hebraike për të hetuar në lidhje me vendndodhjen e mundshme të kriminelëve nazistë që mendohen të fshehur në vend. Për sa i përket operacionit në fjalë: "Shansi i fundit", ai u lançua fillimisht në Lituani, Letoni dhe Estoni në vitin 2002. 5 vjet më pas rezultatet kanë nisur të shfaqen: dy ekstradime dhe 5 raste që mund të çojnë të dyshuarit në gjyq. Po cilat janë shanset e hetimeve në Amerikën Latine? Skema e aplikuar në vendet balltike nuk ishte plotësisht e suksesshme, ashtu sikurse shpresohej në fillim. Por jo për faj të drejtësisë, por për shkak të përpjekjes së vështirë për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike. 6 dhjetëvjeçarë pas masakrave ndaj hebrenjve në kampet e përqendrimit qendra "Simon Wiesenthal" u shqetësua se mos këto krime po harroheshin dhe mbi të gjitha faktorët e mbetur ende gjallë do të shkonin në atë botë pa u dënuar. Sipas atyre që kanë mbetur gjallë prej viktimave, kalimi i viteve nuk e ul tragjizmin e krimit. E keqja vazhdon të mbetet prezente dhe cilido rast nazisti që mund të dalë para drejtësisë dhe të dënohet, edhe pas kaq shumë vitesh do të ishte një fitore e madhe jo vetëm morale, për viktimat e një makabriteti të madh.