E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesilia vendos të hakmerret: "Në shitje" sekretet e Presidentit

Në oborrin "mbretëror" francez surprizat nuk kanë të sosur. "Mbreti" e ka pranuar tashmë se një dashuri e re i ka marrë zemrën dhe shumë shpejt pritet edhe dasma, ndërsa, sipas shumë zërave që qarkullojnë, "princesha" pret një fëmijë. Nga ana tjetër, mbretëresha që e njeh mbretin më mirë se çdo njeri tjetër, pasi ka kaluar pranë tij një pjesë të mirë të jetës, ka vendosur të hakmerret. Ajo ka vendosur të zbulojë gjithçka dhe të nxjerrë në shitje të gjitha sekretet e ish-bashkëshortit të saj, ose Presidentit vetëm 1-vjeçar të Francës. Vërtet që Balzaku dhe Duma do të kishin ç‘të shkruan në këtë vend që "zien" nga thashethemet dhe të vërtetat çdo minutë e çdo orë. Modelja bukuroshe tashmë ka vendosur të jetojë në Elize, madje, sipas "Le Figaros", ish-modelja dhe këngëtarja, banorja më e re e pallatit presidencial ka në dispozicion edhe një studio të veçantë për të krijuar muzikë në qetësi (Karla thotë se muzika është pasioni më i madh i saj në jetë). Në novelën e bukur të Presidentit mungojnë vetëm dy persona, një psikoanalist dhe një politolog. I pari për të shpjeguar ngjashmërinë e jashtëzakonshme mes Karla Brunit dhe Sesilia Sarkozisë, zgjedhjen e Presidentit për t‘i dhuruar shoqes së re një unazë "Dior" në formë zemre (me diamant të kuq dhe ar të bardhë, me një vlerë prej 20 mijë eurosh) tërësisht të ngjashme me atë që i pati dhuruar të dytës. "Një zgjedhje befasuese kjo e Presidentit", shkruajnë gazetat. Për më tepër, psikoanalisti është tërësisht i nevojshëm për të analizuar me kujdes nevojës e Sarkozisë për të thirrur Sesilian te koka në dhomën e spitalit, vetën tri ditë pas shpalljes së divorcit. Nga ana tjetër, politologu mund t‘i shpjegonte shumë mirë pasojat mbi besueshmërinë e projektit politik dhe rënien e popullaritet të menjëhershëm, për shkak të "efektit Karla", të avokatit që dëshiron të bëhet mbret. Por, psikoanalisti duhet të ketë shumë punë për të bërë edhe me Sesilian. Gruaja që i tha lamtumirë pushtetit dhe me shumë mjeshtëri edhe bashkëshortit të saj disa muaj më parë, pasi ka dëgjuar Presidentin se po bënte gati përgatitjet për dasmën me Karlën, ka menduar se ky është momenti më i mirë për t‘u hakmarrë, për të kthyer kokën pas dhe për të bërë me kujdes llogaritë. Ish-zonja e parë e Elizeut "godet" dhe vendos t‘i tregojë të gjitha sekretet e të vërtetat publicistëve më të besuar, siç ndodh gjithmonë në raste të tilla. Nikolas Sarkozi i pëlqen simbolet, si në histori ashtu edhe në politikë e në ekonomi. Ndoshta është kjo arsyeja që i dhuroi mikeshës së tij të re si unazë fejese të njëjtin model që kishte vendosur në gishtin e ish-bashkëshortes së tij: unazën e markës "Dior" në formë zemre. Vetëm pak ditë më parë, Sarkozi u fotografua me të fejuarën dhe djalin e saj në mrekullitë e Petras, në të njëjtin vend ku ish-bashkëshortja e tij ishte arratisur në një mënyrë spektakolare me zviceranin Riçard Atitias. Çfarë koincidence? Me Sesilian, Sarkozi ngjiti shkallët presidenciale dhe ndoshta për ta harruar është e nevojshme që, edhe pse simbolikisht, ta "vrasë", ta "poshtërojë". Por, edhe Sesilia, nga ana e saj, di të tregohet e pamëshirshme. Kështu, nëse aventurat e tij mbushin faqet e para të gazetave, ajo ka zgjedhur një tjetër mënyrë për t‘u bërë e "famshme". Askush më mirë se Sesilia nuk i di sekretet e tij, ndaj është pikërisht ajo personi i vetëm që mund ta zbërthejë pak e nga pak, sepse në marrëdhënien në çift ishte ajo që i mësonte hiletë e komunikimit me të tjerët. Ish-zonja e parë e Francës tashmë është rikthyer në krahët e Riçardit: "Njeriu që kam dashur më shumë në jetën time, para tij nuk kisha dashuruar kurrë, është burri i jetës sime, ashtu siç jam edhe unë njeriu më i shtrenjtë për të". Si një grua e zgjuar dhe me finesë, nuk ka shkuar tek argjendari, por në librari, një mënyrë që kushton më pak dhe sigurisht që ngelet më gjatë në kujtesën e njerëzve. Sot është edhe dita e parë e hakmarrjes së saj. Nëpër raftet e librarive të vendit dhe ndoshta në ato të të gjithë botës, do të renditet me krenari libri "Cécilia, la fache cachée de l‘Ex première dame", i shkruar nga Denis Demonpion dhe Laurent Leger, i mbushur me plot sekrete ngacmuese, që edhe pse pa dalë akoma ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe me siguri do ta kthejë në librin më të shitur të të gjitha kohërave.

Pikërisht aty tregohet se si 21 tetorin e kaluar, në mënyrë të fshehtë Presidenti u shtrua në Spitalin Ushtarak të Parisit për një operacion në fyt, pasojë e një angine e pakuruar siç duhej. "Mjekët nuk e përjashtojnë mundësinë që është rënduar më shumë nga tensioni i javëve të divorcit", shkruajnë autorët. Por, për hir të së vërtetës, e para që shkoi me vrap në spital, e kërkuar me ngulm prej tij, ishte pikërisht Sesilia. Në fakt, Sarkozi, si kandidat në polemikë me paraardhësit e tij (Miterran u rizgjodh kur e dinte se ishte me kancer), kishte premtuar një transparencë të plotë absolute dhe për çdo çështje mjekësore e njoftime në mënyrë të vazhdueshme rreth shëndetit të tij. Një gënjeshtër tjetër e një Presidenti, që vazhdimisht përsërit se nuk do t‘i gënjejë kurrë francezët. Një gënjeshtër e "hidhur", që pas orësh të tëra "rrëmuje" dhe sikleti, Elizeja u ndie e detyruar ta pranojë. Por hakmarrja nuk mbaron këtu. Armiqtë i kundërpërgjigjen me një tjetër libër, që do të dalë së shpejti në librari me titullin "Sesilia". I shkruar nga gazetarja politike, Anna Biton, aty tregohen shumë nga sekretet konfidenciale të Sesilias, ashtu siç nuk e ka njohur njeri deri më sot. Ajo që të habit paksa është kërkesa në gjykatë e vetë Sesilias për të ndaluar nxjerrjen në qarkullim të librit. Një vendim i çuditshëm?!

Nëse do të lejohet që të dalë në qarkullim, me siguri që libri do t‘ia shtojë më shumë lezetin përgatitjeve të dasmës, ku me shumë "ëmbëlsi" Sesilia e konsideron ish-bashkëshortin e saj si "një burrë që nuk do as fëmijët e tij", "një njeri qesharak, që nuk di të sillet, që nuk është i denjë për të qenë President i Republikës dhe "koprac". Surprizat nuk kanë të sosur. Në një tjetër libër, i treti në radhë, me titullin "Rupture", ish-zonja Sarkozi tregon prapaskenat e kohës së saj të shkurtër në Elize dhe se aventura e madhe e "sarkozizmit", që duhet të shpëtojë Francën dhe ta kthejë atë në zemrën e shpirtin e rilindjes, për të cilën bota ka nevojë, në libër "bëhet një skenografi si ajo për filmat "western‘, brenda së cilës nuk ka asgjë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›