E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika e jashtme e Presidentit të ardhshëm të SHBA-së

Për djemtë e politikës amerikane,
ata të cilët synojnë që në zgjedh
jet e vjeshtës të shndërrohen në
njeriun më të fuqishëm të vendit,
muajt e ardhshëm sigurisht janë vendimtarë.
Gara presidenciale e këtij viti është
veçanërisht e veçantë, pasi që nga viti
1950 është hera e parë që një President
dhe një zv/president, që kanë aktualisht
mandatin, nuk synojnë të garojnë për të
vazhduar qëndrimin në Shtëpinë e
Bardhë. Njëherazi kjo garë presidenciale
është ndër më të hapurat e më konkurrueset
që prej dhjetëvjeçarësh. Në pikën
aktuale, secili prej 7 kandidatëve kryesorë
republikanë, apo demokratë, mund të
konsiderohet një President i ardhshëm.
Gjatë javëve në vazhdim, pjesa më e
madhe e fushatës do të përqendrohet te
taktikat, strategjitë, mbledhja e fondeve,
roli i medias në politikën amerikane,
sistemi zgjedhor, si dhe personalitetet e
kandidatët e fushatës. Shkurt, do të flitet
për gjithçka veç çështjes se çfarë do të
bëjnë kandidatët në rast se do të zgjidhen
si presidentë të vendit. Veçanërisht politika
e jashtme është një nga çështjet që të
gjithë kandidatët i shmangen më shumë.
Arsyet janë më se të qarta: është shumë
më interesante dhe zbavitëse të flasësh
për mënyrën se si qesh Hilari Klintoni, apo
për 400 dollarët që shpenzon Eduards sa
herë që shkon te berberi për qethjen e
radhës, ose edhe për refuzimin në distancë
që i bën Xhon Mekain, Mit Romnejt.
Për t‘iu rikthyer gjërave serioze, është fakt
se pas fushatave shkatërrimtare ndërkombëtare,
të ndërmarra nga administrata
e Presidentit Bush, vetë Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, dhe madje e gjithë
bota, nuk do të donin që të përballeshin
më me një President që ka nevojë të trajnohet
për detyrën e tij, ndërkohë që ka
marrë mandatin për ta kryer atë. Nuk është
shumë e vështirë që edhe në situatën
aktuale të marrësh me mend se cila do të
ishte politika e jashtme e secilit kandidat
nëse do të vinte në pushtet. Le t‘u hedhim
një vështrim të shpejtë qëndrimeve të
tyre të mundshme për çështjen e Iranit,
për shembull, sepse pavarësisht gjithë
qyfyreve të fushatës, në fakt për fatet e
Amerikës dhe botës është shumë e rëndësishme
se çfarë qëndrimi do të mbajë
Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara,
sidomos për çështjet jashtë territorit
amerikan.
Demokratët:
Hilari Klinton është ndër kandidatët
më të ashpër për sa i përket çështjes së
Iranit. Senatorja nga Nju Jorku, nëse do të
zgjidhej, së pari do t‘i gëzonte partnerët
evropianë duke theksuar faktin se Amerika
duhet të negociojë drejtpërsëdrejti dhe
në mënyrë të menjëhershme me Teheranin,
dhe sa më shpejt aq më mirë. Berlini,
Parisi dhe Londra do ta vlerësonin faktin
se ajo ka zgjedhur gjithmonë sanksionet
si mjetin e duhur për t‘u përballur me
mullahët. Klinton ka cituar vazhdimisht
shembujt e Koresë së Veriut dhe Libisë, të
cilët treguan se një regjim sanksionesh të
ashpra i detyroi vendet e mësipërme që
të hiqnin dorë nga ambiciet e tyre, që binin
në kundërshtim me komunitetin
ndërkombëtar. Por fjalët e bukura marrin
fund pikërisht në këtë pikë. Senatorja
Klinton e ka bërë shumë të qartë se ajo "do
të bëjë çdo gjë për të ndaluar Iranin që të
zhvillojë një armë bërthamore". Me fjalë
të tjera, përdorimi i forcës për Klintonin do
të ishte një opsion që nuk do të hiqej nga
tryeza. Ajo është e gatshme që të provojë
metodat e sanksioneve, të preferuara nga
evropianët, por nëse ato do të dështonin,
ajo nuk do ta kishte për gjë që t‘i bashkëngjitej
pozicionit aktual të "skifterëve"
të Shtëpisë së Bardhë.
Barak Obama, si edhe shumë kandidatë
të tjerë presidencialë, në çështjen e
Iranit është partizan i qëndrimit të evropianëve.
Ndërsa shpreh mendimin se Irani
nuk duhet lejuar që të ndërtojë armë
bërthamore, senatori i Ilinoisit nuk është
shumë i qartë në lidhje me mjetet që duhen
përdorur për ta bindur Iranin. Deri
tani ai ka përsëritur variantin standard të
evropianëve, i cili nënvizon rëndësinë e
bisedimeve mes komunitetit ndërkombëtar
dhe Teheranit. Ndryshe nga senatorja
Klinton, Obama do të merrte pjesë
personalisht në tryezën e dialogut, nëse
do të zgjidhej President. Ai në mënyrë
eksplicite është shprehur se Shtetet e
Bashkuara të Amerikës duhet të diskutojnë
me çdo lloj vendi dhe për çdo lloj
çështjeje, duke qenë se dialogu është e
vetmja rrugë për të zgjidhur problemet
ndërkombëtare. Ndër të gjithë kandidatët
ai është më pranë idesë evropiane
të të zgjidhurit të çështjeve të mëdha dhe
delikate që u përkasin të gjithëve. Megjithatë,
amerikanët duket të jenë më të interesuar
për rezultatet e një veprimi, se sa për
mënyrën se si arrihet rezultati dhe në këtë
aspekt Obama nuk është shumë i qartë në
lidhje me veprimin që do të pasonte në
rast të një dështimi të dialogut me Iranin.
Me fjalë të tjera, ai është i paqartë, ndërsa
senatorja Klinton, pavarësisht llojit të
idesë, e ka atë të qartë dhe të artikuluar.
Nga kjo del se retorika e Obamës është për
t‘u lavdëruar, por për sa u takon ideve, ato
duhet ende të formulohen.
Republikanët
Rudi Xhuliani nga perspektiva evropiane
mund të konsiderohej një monstër e
Frankeshtajnit. Ish-kryetari i Bashkisë së
Nju Jorkut mund të konsiderohej si një
version shumë më kompetent i Presidentit
aktual Bush. Në thelb mbetet një bushist.
Nuk është një rastësi që këshilltarët e
tij më të afërt të politikës së jashtme të jenë
ndoshta krijuesit dhe mbrojtësit e doktrinës
së dështuar të neokonservatorizmit,
të tillë si i famshmi Norman Podhoretz.
Ky i fundit mezi ka arritur të dalë
gjallë në breg, pas shtrëngatave të njëpasnjëshme
që pësoi gjatë presidencës së
Bushit me këshillat që i dha këtij të fundit,
sidomos për sa i përket luftës në Irak e
qëndrimit të ashpër ndaj Iranit. Për sa i
përket Iranit, Xhuliani është i prerë dhe i
qartë. Ai në asnjë lloj rrethane nuk do ta
linte Iranin që të krijonte armën
bërthamore. Është tërësisht skeptik se
diplomacia mund të funksionojë ndonjëherë
si mjet për zgjidhjen e konflikteve,
veçanërisht atij me Iranin. Xhuliani ka të
drejtën e tij që të përqeshë ata të cilët besojnë
vetëm te karota, duke përjashtuar
shkopin, por evropianët i druhen faktit se
mungesa e tij te rrugët e dialogut, diplomacisë,
pra ato paqësore, po kthehet në
një mënyrë veprimi për amerikanët. Administrata
e Bushit e demonstroi një sjellje
të tillë të njëanshme në rastin e sulmit
ndaj Irakut, kur aleatët ndërkombëtarë
dhe vetë institucionet ndërkombëtare
nuk u morën fare parasysh dhe në konsideratë.
Nëse Xhuliani do të vinte në krye
të Shtëpisë së Bardhë, është e qartë se ai
do ishte madje edhe më i avancuar se
Bushi në politikën e tij neokonservatore
dhe se në këtë rast marrëdhëniet euroatlantike
do të pësonin goditje të mëdha
që mund të çonin edhe në konflikt të
hapur.
Majk Hukabi çuditërisht, edhe pse
është një republikan i bindur, nuk është
ndjekës i verbër i linjës së administratës
së Presidentit Bush, siç janë Xhuliani apo
Xhon Mekejn dhe vetë Mit Romnaj. Së
fundmi madje ai e ka akuzuar Bushin dhe
ekipin e tij qeverisës për një "mentalitet
arrogant dhe hermetik". Sipas tij, e keqja
erdhi pas përfshirjes së Iranit nga ana e
Presidentit Bush në të ashtuquajturin
"aksi i djallit". Një retorikë e tillë, për hir të
së vërtetës, nuk është pjesë e "librit politik"
të republikanëve, por nga ana tjetër
ato janë qëndrime shumë të mirëpritura
në Evropë. Por Hukabi është i frikshëm në
një tjetër aspekt. Gjatë një konference për
shtyp ai u shfaq fare injorant kur e pyetën
në lidhje me raportin e vlerësimit të inteligjencës
ndërkombëtare në lidhje me
Iranin, duke thënë se nuk e kishte shumë
të qartë se çfarë thuhej në të. Veç kësaj, ai
ishte jashtë dijenisë për faktin se Presidenti
i Pakistanit, Musharaf, në mes të muajit
dhjetor hoqi gjendjen e jashtëzakonshme,
e cila e çoi vendin në prag të luftës
civile. Madje ai bëri edhe një gafë teksa po
mbante një fjalim në të cilin përmendej
Osama Bin Laden.
Në lidhje me ndodhjen e tij, që mendohet
të jetë Uaziristani, ai në vend që të
thoshte se krahina ndodhet në perëndim
të Afganistanit, tha se bëhej fjalë për lindjen
e tij. Nëse Hukabi do të jepte ndonjë
provim në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare,
nuk jam i sigurt nëse do të arrinte
ta kalonte atë apo jo. Nuk është se kandidati
është budalla, pasi nuk mund të arrish
të bëhesh njëkohësisht një biznesmen
i suksesshëm, një guvernator shteti, një
njeri i respektuar nëse je i metë. Përkundrazi,
Hukabi nuk i kushton shumë vëmendje
asaj që ndodh jashtë kufijve të
Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra
politikës së jashtme. Me pak fjalë, Hukabi
është deri diku i paparashikueshëm dhe
nëse do të zgjidhej President i Shteteve të
Bashkuara, veç gafave në intervista e deklarata,
ai mund të kishte edhe të metën e
madhe që, duke mos pasur një mendim
personal për atë çka ngjet në botë, mund
të ishte lehtësisht i influencueshëm. Nëse
ka diçka për të mësuar nga presidenca e
Xhorxh Bushit, ajo është se një President
i Shteteve të Bashkuara nuk mund dhe
nuk duhet lejuar të jetë injorant në politikën
e jashtme. Ndoshta është koha që
t‘u kujtohet amerikanëve se të parët e tyre
vunë përmes votës në krye të vendit njerëz
intelektualë të tillë si: Adams, Xheferson,
Linkoln, Rusvelt. Ka një arsye që ata e
bënë një gjë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›