"Kuvend, Topalli shpenzon 95% të buxhetit"
Socialistët pretendojnë se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka udhëtuar 0.5 bilionë kilometra jashtë vendit në dy vite. Deputeti Alfred Dalipi analizoi dje axhendën politike dhe diplomatike të kryeparlamentares nisur nga vizitat e saj të fundit në Katar, Kuvajt dhe Egjipt. Dalipi tregoi një hartë me dhjetëra flamuj, duke sqaruar se ata nuk janë për vendet ku do të udhëtojnë shqiptarët pa viza, por janë flamujt ku në dy vjet e gjysmë Kryetarja e Kuvendit ka shpenzuar taksat e shqiptarëve. Socialistët shprehen se në hartën e Evropës dhe të botës ka shumë pak vende që nuk janë shkelur nga Kryetarja e Kuvendit. "Mund t‘u them që në harkun e dy vjetëve që nga Holanda, Belgjika, Norvegjia, Rumania, Çekia, Polonia, Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe deri në cepin tjetër të botës në Pekin, Kryetarja ka shpenzuar taksat e qytetarëve", u shpreh Dalipi. Ai konstatoi se në këto veprime gjen shpjegim fakti se përse ky institucion është anatemuar nga shoqëria civile, nga publiku si një institucion që shpenzon më shumë këto taksa. Në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë, zëri i shpenzimeve të Kryetares në dy vjet e gjysmë zë 95%, që bëjnë të gjithë deputetët e Kuvendit. Ndërsa, sipas socialistëve, në harkun e këtyre dy viteve Kryetarja e Kuvendit ka udhëtuar përqark globit në 0.5 bilionë km dhe po kaq janë bërë nga Kryeministri. "Ne na shqetëson jo axhenda politike apo axhenda diplomatike, por na shqetëson axhenda e shpartalluar dhe diplomacia e çoroditur, që ka politika shqiptare", insistoi Dalipi. Duke vënë në dukje se në këtë institucion asnjë nuk ka akses se si shpenzohen taksat e shqiptarëve. "Asnjë nga ne në Kuvend nuk mund të kontrollojë se si shpenzohen paratë nga Kryetarja", tha ai. "Shpenzimet më të mëdha janë kryer nga Kryetarja e Kuvendit, ndërkohë që numri dy i delegacionit ka qenë bashkëshorti i saj", argumentoi Dalipi. Në dy vjet, shtoi ai, Kryetarja ka kryer udhëtime sa kanë kryer udhëtime 4 kryetarë kuvendesh, Islami, Gjinushi, Dokle dhe Pëllumbi. PS insiston se asnjëri nuk mund të japë motiv se pasi ka qenë Kryeministër i vendit në konferencën islamike dhe në Egjipt për të bërë apel për çështjen e Kosovës, të shkojë Kryetarja e Kuvendit. "Asnjëri nuk mund të japë motiv se pasi do të udhëtojë një javë në kontinentin afrikan, në fund të muajit, do t‘i drejtohet sërish këtij kontinenti, por për të udhëtuar drejt Arabisë Saudite, sidomos në vende edhe me sensibilitet për shkak të përkatësisë fetare", u shpreh Dalipi.