Përplasen makinat, dy të vdekur, dy të plagosur
Shkodër- Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i një aksidenti automobilistik të ndodhur në autostradën Shkodër–Lezhë. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Plezhë, të komunës Bushat në Shkodër, kur dy autovetura që udhëtonin në drejtime të kundërta u përplasën me njëra-tjetrën.
Pëllumb Skea, 30-vjeç, agjent i SHKB-së ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe pas tij, Mark Thanxa, 41-vjeç, biznesmen në Shkodër. Ndërkohë që kanë mbetur të plagosur shtetasit Përparim Buçi dhe Gëzim Nikshiqi, të dy efektivë të policisë së burgjeve.
Sipas burimeve të policisë, automjeti tip Honda me ngjyrë të zezë dhe targa gjermane në të cilin udhëtonin tre efektivë policë dhe që lëvizte nga Lezha në drejtim të Shkodrës, gjatë një parakalimi është përplasur me automjetit tip Benz me ngjyrë të kuqe dhe targë SH 3043 E, që drejtohej nga biznesmeni shkodran Mark Thanxa 41 vjeç, dhe që lëvizte nga Shkodra në drejtim të Lezhës.
Përplasja ka qenë e fortë dhe autovetura tip Benz, sipas dëshmitarëve okularë që në atë moment kanë qenë duke lëvizur në autostradë, është rrotulluar tre herë në vend. Gjatë rrugës për në spital, si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën dhe Mark Thanxa , ndërsa Përparim Buçi dhe Guxim Nikshiqi, pasi kanë marrë ndihmën e parë në këtë spital, janë transportuar me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Policia ende nuk ka dhënë version zyrtar lidhur me aksidentit tragjik, por mendohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit të mjetitgjatë parakalimit nga drejtuesi i Hondës dhe kjo mund të ketë ndodhur dhe nga ndonjë defekt i çastit në sistemin e drejtimit.