E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr i qëllimshëm në Lezhë, digjen 10 ha me pisha

Lezhë- Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pyjet me pishë të fshatit Manati të komunës së Kolshit në Lezhë. Sipas burimeve të shërbimit pyjor të Lezhës zjarri ka rrezikuar dhe disa ndërtesa që ndodhen rrëzë këtij pylli. Flaka përfshiu një brez të tërë me pisha të mbjella para 30 vitesh për mbrojtjen nga erozioni të shpatit malor të kësaj zone.

Edhe pse në ndihmë të punonjësve të shërbimit pyjor janë nisur dhe zjarrfikëset e këtij shërbimi nga Lezha, ka qenë e pamundur hyrja për tek vatra e zjarrit të rënë befas pasi nuk ka asnjë rrugë. Më pastaj kanë ndërhyrë punonjës të shërbimit pyjor dhe ata të policisë të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, por sapo ata janë larguar, vatra e zjarrit është shaqur sërish i favorizuar nga era e fortë që frynte në drejtim të bllokut masiv të pishave.

Madje sipas punonjësve të shërbimit pyjor në këto momente kanë filluar të pëlcasin granata, duke shkaktuar panik. Mendohet që fishekë të shumtë dhe granata të jenë lënë në këtë pyll që në vitin 1997 me hapjen e depove ushtarake.

Bëhet e ditur se zjarri u është afruar disa shtëpive në fshatin Manati, ndaj janë shtuar forcat e emergjenccës si nga policia, shërbimi pyjor, dhe banorët e fshatit të cilët po punojnë bashkërisht për të hapur një rrugë që të shkojë në mes vatrës së zjarrit ku të mund të bëhet një ndërhyrje me zjarrfikëse.

Bëhet e ditur se deri më tani janë djegur mbi 10 hektarë pisha, ndërkohë që e vetmja ndërhyrje eficente sipas shërbimit pyjor mund të jetë vetëm nga ajri.

Deri tani si shkak i zjarrit mendohet të jetë vënia me dashje e ndonjë personi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›