E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi vlerëson me “Medaljen e Mirënjohjes” punën e Policisë së Shtetit shqiptar në ditën e 95 vjetorit të krijimit të saj.

13 janar 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ishte sot i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Teatrin Kombëtar për të kremtuar 95-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar.

Pas ekzekutimit të hymnit kombëtar, shfaqjes së një dokumentari rreth krijimit, si dhe punës dhe kontributit të efektivave të Policisë së Shtetit në periudha të ndryshme historike të zhvillimit të shtetit shqiptar, përshëndetjeve të rastit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Kryeministri Sali Berisha si dhe vlerësimit të disa prej punonjësve të rendit për suksese të spikatura në kryerjen e detyrës, Presidenti Topi dekoroi Policinë e Shtetit me “Medaljen e Mirënjohjes”. Ky vlerësim i lartë i Kryetarit të Shtetit është në shenjë nderimi dhe respekti për arritjet e rëndësishme të Policisë së Shtetit në zbatimin e detyrave institucionale, duke bërë të mundur ngritjen cilësore të standardeve të rendit e sigurisë në vend, si dhe për rritjen e besimit të komunitetit tek Policia e Shtetit.

Në prani të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Premçi, Ministrave të kabinetit qeveritar, deputetëve, veteranëve të forcave të policisë, të efektivave të policisë të pranishëm në këtë veprimtari, si edhe përfaqësuesve të trupit diplomatik, po ashtu dhe të familjarëve të atyre që dhanë jetën në krye të detyrës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi vendosi medaljen mbi flamurin e Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse në përvejtorin e 95-të të Policisë së Shtetit, Presidenti Topi iu drejtuar të pranishëmve me këto fjalë:

“E nderuara zonja Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë,
I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar zoti Nishani,
Të nderuar zotërinj ministra, deputetë,

Zotërinj mjaft të nderuar, që me emrin tuaj, me pozicionin tuaj keni i dhënë forcës së Policisë së Shtetit këtë emër, që ne sot e cilësojmë si arma më e kualifikuar, që i jep siguri Shqipërisë dhe si një instrument me të cilin krenohemi në të gjitha sifdat e integrimit tonë, ju përshëndes me rastin 95 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit!

Të dashur oficerë, drejtues të lartë,
Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit,

Kam kënaqësinë e veçantë që t’ju përshëndes në ditën e 95 vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit shqiptar.

Policia e Shtetit, si një nga agjensitë e rëndësishme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, ka dhënë një kontribut të madh dhe të pazëvendësueshëm në arritjen e sigurisë, rendit dhe stabilitetit të jetës së qytetarëve, si dhe funksionimit të institucioneve të vendit.

Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian, realizimi i suksesshëm i reformave institucionale, ekonomike dhe sociale në vend, kërkojnë standarde të larta të rendit dhe të sigurisë.

Policia e Shtetit vjen në këtë 95 vjetor me një kontribut të madh dhe arritje të rëndësishme në përmbushje të misionit të saj. Rezultatet që keni arritur në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, sigurisë publike, luftës kundër korrupsionit, kontrollit të kufijve dhe shërbimit ndaj qytetarëve, përbëjnë një nga shembujt pozitiv të përparimit dhe funksionimit institucional me standarde të larta në Shqipëri.

Për të gjitha këto, unë ju përgëzoj!

Ne sot, në këtë përvjetor, nderojmë thellësisht të gjithë ata punonjës dhe oficerë policie, që në përballjet e tyre me krimin, në përpjekjet për të siguruar rend dhe qetësi për qytetarët e Shqipërisë, funksionimin normal të institucioneve të vendit, dhanë edhe jetën, gjënë më të shtrenjtë për njeriun.

Ne sot shprehim respektin edhe për familjet dhe fëmijët e tyre, në shenjë mirënjohjeje, për atë ç’ka prindërit e tyre bënë për Shqipërinë.

Të dashur efektiva të Policisë së Shtetit,

Unë dëshiroj njëkohësisht t’ju nxis në përpjekjet dhe kontributet tuaja për të garantuar një mjedis sa më të sigurt për komunitetin, rritjen e standardeve të ruajtjes së rendit, krijimit të një kulture bashkëkohore të komunikimit dhe arritjen e një infrastrukture të përparuar.

Qytetarët shqiptarë, institucionet e shtetit, partnerët ndërkombëtarë, ju kanë në qendër të vëmendjes dhe të vlerësimit për përmbushjen e vizionit tuaj në mbrojtje të rendit dhe të sigurisë publike, parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit, respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, menazhimin e integruar të kufijve, sigurinë rrugore dhe arritjes së modelit të një strukture të standardeve europiane.

Duke ju përshëndetur dhe uruar suksese në misionin tuaj fisnik, ju uroj: “Gëzuar 95 vjetorin e Festës tuaj!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›