E Diel, 1 Nëntor 2026

Pragfestë në vendin e masakrës

Jemi vetëm një ditë para festës së madhe që pritet të ndodhë të dielën në drekë. Që në orët e para të mëngjesit tashmë është mësuar lajmi: nga shpallja zyrtare nuk na ndajnë veçse pak orë. E gjithë Prishtina është thuajse e mbuluar me flamujt kuq e zi. Në "Grand Hotel" kolegët ndajnë punët. Në Prishtinë, Kuvendi e qeveria bëjnë përgatitjet e fundit. Jashtë rrugët janë të stërmbushura nga një lumë makinash pa fund. Shumë herë, ndërsa shihnim "detin" kuq e zi të zmadhohej para syve tanë na ishin kujtuar lajmet tragjike që mbërrinin në Tiranë nga zonat ku lufta nuk ishte më një gjakderdhje me rregulla, sipas asaj që jemi mësuar të njohim a të lexojmë, por një gjë ngjethëse me emrin masakër. Dhe kështu e marrim udhën drejt Rahovecit, qendrës së një komune, ku festa e së dielës do të ketë një kuptim krejt të veçantë. Më shumë se hare ajo do të jetë një përkujtimore dhe varret e shpërndarë anë e kënd kodrave do të mbushen me flamuj e lule.

Në fillim kalojmë një kryqëzim të madh, jo shumë kilometra larg aeroportit të Prishtinës. Vendasit e quajnë "Kryqi i Komoranit". Një nga miqtë tanë në Prishtinë na kishte rrëfyer me një lloj ngjethjeje: "Ah po! Po shkoni në Rahovec, atëherë, rrugës së Pejës do të ktheni majtas disa kilometra pasi të keni kalue kryqzimin. Ka qenë nji vend i tmerrshëm. S‘ka mujt kush me kalue pa u keqtrajtue e pa u rrahë prej milicisë e ushtrisë serbe…". Mundohemi të gjejmë ndonjë shenjë të mbetur nga postblloku i dikurshëm. Në vend të thasëve me rërë dhe ndonjë shenje tjetër, që të kujton luftën, gjejmë vetëm shtëpi të reja dhe flamuj që tunden në erën e fortë, e cila mbërrin nga Veriu. Por nuk do të vonojë shumë dhe "era" e masakrës do të nisë të ndjehet. Në skaj të rrugës, një djalosh i ri ende e mban uniformën e UÇK-së. Pamja e tij na afron edhe më me kohën kur këtyre anëve bridhte lufta. Ndërsa udhëtojmë përmes një peizazhi me kodra të buta na bën përshtypje numri i madh i ndërtimeve të reja. Duket sheshit se shtëpitë e këtyre anëve nuk kanë veçse pak vjet që janë ngritur. Në makinën tonë diskutohet nëse këtyre anëve kanë ardhur banorë të rinj, apo nëse shtëpitë e reja janë ndërtuar në vend të atyre që dikur u përzhitën nga lufta mizore. Vetëm pak minuta më pas do të mësojmë se këto janë "bash" ato, shtëpitë e ringritura në krah të varreve të shumtë. Hasim në një memorial që përkujton dëshmorët e UÇK-së.

Na bën përshtypje mosha e re, mbiemri i njëjtë, data e njëjtë e vdekjes. Tani kemi hyrë krejt e në kujtimet e luftës së para 9 vjetëve. Pastaj ndalojmë sërish e sërish dhe nisim të numërojmë vargun e gjatë të viktimave të luftës në anë të rrugës. "Një, dy, tre, katër, pesë…", dikush prej nesh më në fund lodhet. Thuajse e tërë rruga deri në Rahovec, Malishevë (një tjetër qendër e martirizuar) është e mbushur me lapidare, mbi të cilët valon flamuri kuq e zi.

Në Rahovec gjejmë gjallëri. Ky qytet prej 20 mijë vetash është qendra e një komune që përmbledh afër 60 mijë banorë. Qyteti u bë qendër jo vetëm e qëndresës, por edhe e luftës vetëm një ditë pasi NATO nisi bombardimet mbi territorin e ish-Jugosllavisë. Shumëkush prej nesh kishte kërkuar me zor të gjente ndonjë "plis", sikurse u thonë këtej qelesheve të bardha tradicionale të kosovarëve. Në pazarin e Rahovecit gjejmë plot "plisa" që sillen në rrëmujën e përgjithshme që ka mbështjellë këtë të shtunë paradite pazarin e qytetit. Diku më lart, në anë të rrugës shikojmë një grup të madh njerëzish. Në një dyqan të vogël shiten flamuj dhe pankarta kuq e zi me mbishkrimin "Gëzuar Pavarësia". Çdo festë është burim fitimi.

Një flamur i madh kushton 5 euro, një pankartë e vogël prej letre vetëm gjysmë euro. Neve sigurisht që na i falin ato pankartat e vogla. "Ju keni ardhë prej Tiranet", buzëqesh shitësi dhe vazhdon të shesë. Përballë nesh mbi një kodër është shkruar me gurë të bardhë: "Me fat Pavarësia!" Na bën përshtypje një vargan njerëzish, të cilit i prijnë burra në moshë me "plisa" mbi krye. Eshtë një ceremoni varrimi sipas zakonit të vendit. Vdekja e zakonshme në këtë pragfeste kalon shpejt dhe njerëzit vazhdojnë të kryejnë punët e tyre. "I shkreti - dëgjojmë t‘i thotë një shoku një kalimtar pranë nesh - sikur të kishte duru edhe nji ditë…".

Ndër dyqanet e vogla, apo ndër kafenetë e stërmbushura vazhdojnë të ngjiten pa pushim shenjat e festës. Ngado i presin me gëzim targat tona të Tiranës. Dy djem fare të rinj nisin të na tregojnë se si ishin ditët e luftës në kohën kur ata ishin ende fëmijë. "Kena ndejtë me muaj të fshehur ndër bodrume bashkë me familjarët tanë", thotë njëri prej tyre - ndigjoshim lajme, por prindërit tanë nuk kanë dashtë me ikë. Vetëm kur kena dalë që janë larguar serbët, atehrë e kena kuptue mirë se nga çfarë tmerri kena shpëtu. Po ma mirë jua tregon baba". "Baba" është Nexhat Duraku, drejtor shkolle që prej 19 vjetësh. "Rahoveci ka vujtë shumë. Vetëm këtu ka pasë 270 viktima. E kuptum se po vinin ditë të këqija sapo dogjën xhaminë - bën me shenjë nga një ngrehinë e re që ka nisur të rindërtohet - pastaj kanë nisur masakrat. Hynin nëpër shtëpia plaçkitnin, vrisnin. Vetëm nga një familje, ajo Sharku, ka pasë 9 të vramë. Ne si familje nuk po donim me e lshue vendin. Jemi strehue diku ma nalt ndër bodrume të improvizume duke ba roje me radhë në pritje se mos na vishin e na vritshin".

Në një lagje të Rahovecit kanë mbetur ende një komunitet serbësh. Drejtori është anëtar i një komiteti që mundohet të krijojë besim mes dy komuniteteve.

"Nuk është se kemi pasur probleme të rënda me ta deri në 1988 - thotë drejtori - por pas ndryshimit të Kushtetutës nisën problemet e para që u acaruan nga politika e Milosheviçit. Pas ardhjes së NATO-s shumë prej tyre janë larguar, por shumë edhe janë rikthyer. Tashti nuk mund të them se çdo gjë ka kaluar. Kontaktet tani i kemi vetëm ndër mbledhje të organizuara dhe ata bëjnë një jetë të mbyllur, megjithëse askush nuk i ngacmon. Megjithatë…". Drejtori duket se e ka ndër mend edhe përgjigjen për të ardhmen. "Duhet me mendu për të ardhmen, por mos me e harru të shkuarën…", një përgjigje që duket njësh me atë të diplomatëve e të politikanëve. Pastaj drejtori, që është edhe një ndër organizatorët e festës, tregon me detaje se si do të jetë e diela e pavarësisë. Ndërsa ne vazhdojmë të bisedojmë, një autoblindë austriake vazhdon të bëjë xhiro pareshtur në rrugën e ngushtë. Shikimi i ushtarëve të huaj është i fshehur pas syzeve të trasha, por qëndrimi i rreptë duket se ka mbetur po ai i fillimit.

Kalojmë me radhë një varg lagjesh dhe fshatrash ku janë të pandashme varret që mbajnë datën fatale 1999. Në këto anë nuk i ndajnë më të rënët e UÇK-së nga viktimat e shumta civile. Logoja "Shqip" mbi makinën tonë dhe targat tona të Tiranës vazhdojnë t‘i entuziazmojnë njerëzit që na përshëndoshin pa reshtur me përzemërsi. Ngado duken shenja feste, por edhe shenja të një trishtimi të madh që ngjall prania e kujtimeve të përgjakshme.

Në Krushë të Madhe mbërrijmë vetëm pak minuta pas Rahovecit. Krusha është një fshat i madh, dikund me 6 mijë banorë. Tani jemi mes Prizrenit dhe Pejës, në Anën e Drinit, në krahinën e madhe të Rrafshit të Dukagjinit. Fshati, deri para lufte ishte i njohur si vendlindja e Bajram Currit. Tash është i njohur për nga trishtimi, për nga varret e shumtë, për nga të zhdukurit, mes të cilëve edhe një emër shumë i njohur i Kosovës: Ukshin Hoti.

Krusha e Madhe është e mbuluar nga qetësia. Vetëm disa flamuj që varen ndër ballkonet e shtëpive të ribëra na kujtojnë se në këtë vend kemi ardhur pikërisht vetëm disa ditë para një ngjarjeje, të cilën do të kishin dashur ta përjetonin shumë vetë të vrarë mizorisht.

Në 1999, u dogjën thuajse të gjitha shtëpitë e fshatit. 242 vetë u vranë brenda një dite nga ky fshat, mes të cilëve 5 gra dhe 7 fëmijë. Qetësinë që hasëm në peizazhin e trishtë mbushur me lapidare e lëmë pas porsa mbërrijmë në qendër. Këtu njerëzit na presin mirë. Ka diçka që përzihet fort në ajër: edhe një pritje e një feste, edhe një kujtim i përzishëm të cilën vetëm vendasit mund ta kuptojnë a ta shpjegojnë. "Pavarësia mirë, asht nji gja e madhe, por shpirtin tim nuk mundet me e qetësue. Do jem i qetë vetëm kur të bashkohemi me Shqipnin. Nëse ju prish punë mos e shkrueni. Nëse mund shkrueni, atëherë shënojeni emnin tem". Njeriu me të cilin porsa jemi njohur nuk është një fshatar i thjeshtë. Ai është bibliotekari i komunës, Bajram Nalli. Nga njerëzit e tij më të afërt janë vrarë plot 13 vetë, mes të cilëve dy djemtë, një vëlla, tre djem të vëllait të madh dhe pesë kushërinj të parë. E ka të vështirë të kujtojë atë ç‘ka ka ngjarë në fshatin dhe shtëpinë e tij. "Asht e vështirë me e kujtu atë kohë, por ma mirë me folë.

Njerëzit duhet ta dinë se ç‘ka kanë ba me ne". Bajrami nis të rrëfejë ngadalë: "Nji ditë pas bombardimeve të NATO-s, artileria serbe, që ishte vendosë në rrugën Gjakovë-Prizren, nisi të bombardojë shtëpitë tona. Shumë prej fshatarëve janë strehu në shtëpinë time, sepse është disi më lart në kodër. Në oborrin tem ka pasë nji ditë diku te 1500 vetë, pastaj disa të tjerë kanë ikë nga ana e Rugovës. Kur kanë mbërritë milicët dhe paraushtarakët serbë në mëngjes herët i kanë da meshkujt më vete dhe i kanë vënë përballë murit, ndërsa gratë i kanë grumbullu në nji xhami atje nalt dhe i kanë plaçkitë krejt mizorisht". Bajrami hesht një copë herë, sytë tashmë i ka të përlotur. Atmosfera e festës që vjen nga jashtë duket se nuk ka për t‘i shuar dot pezmin. "Pastaj - vazhdon pasi e ka marrë disi veten - kanë nisë me na zgjedhë. E mbaj mend për fytyrë policin që bënte ndarjen. Djemtë e mi dhe të tjerët nga shtëpia m‘i mbajtën. Nuk i kam parë kurrë ma për s‘gjalli". Dikush prej nesh çuditet me fuqinë e këtij njeriu që gjen forcë të tregojë një histori, që gati-gati është jashtë imagjinatës. Vijon një tregim ngjethës që nis me ndarjen e burrave në tri grupe, me vendet ku janë gjetur më pas të vrarë, me njerëzit që nuk u gjetën kurrë, me kufomat e djegura që u identifikuan vetëm me anë të ADN-së… "Djalin e kam njoftë vetëm nga veshja. Ishte sportist e kishte qejf me lujtë futboll. Nuk ia njofta trupin, por veshjen e asaj dite e kisha të ngulitun mirë", rreth Bajramit në anë të një sobe me dru janë mbledhur edhe bashkëfshatarë të tjerë. Secili prej tyre ka nga një histori të ngjashme. Brenda pak minutash rivendoset heshtja që prishet vetëm nga era që ka nisur të fryjë dhe nga kërcitja e druve në sobë. Jashtë disa fëmijë lozin me një plak me mustaqe, tipik kosovar me "plisin" mbi krye. Flamujt u valëviten mbi krye.

Marrim udhën e kthimit drejt Prishtinës, kryeqytetit të festës. U kalojmë edhe një herë pranë atyre monumenteve të përmortshme, mbi të cilat tani kanë nisur të bien flokë të rrallë dëbore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›