Në Drenicë, në kullën legjendare të Jasharajve
Në majën e një kodre të vogël në fshatin legjendë të Kosovës, ndodhet i betonuar një flamur i madh kuqezi, me shqiponjën dykrenore, i cili është dekoruar me thekë ngjyrë floriri. Një rrugë e vogël e saporregulluar të çon në pikën më të lartë mbi Prekaz, ku si ndodhet "monumenti" për të cilën kujdeset Komuna e Skënderajt, kryeqendra e krahinës së Drenicës. Para dhjetë vjetësh, pikërisht më 6 mars të vitit 1998, në atë pikë ishte instaluar artileria e rëndë e divizionit ndëshkimor të ushtrisë serbe, e cila bombardoi papushim një ndërtesë që ndodhej përballë saj, poshtë në fushë: kullën legjendare të Jasharajve. Familjen që ishte jo vetëm simboli, por edhe bërthama organizative, logjistike dhe operacionale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zenel Gashi, një 62-vjeçar, i cili ka bërë rrugë të gjatë vetëm për të bërë homazhe në varrezat e martirëve të Jasharajve, thotë se ndërsa luftonte nga kulla me forcat e shumta serbe, Adem Jashari u thërriste shkjajve me zë të lartë, se "shpejt atje ku jeni ju do të valëvitet njëherë e përgjithmonë simboli kombëtar shqiptar".
"A nuk është tamam si ai që Ismail Qemali ka ngritur në Vlorë më 28 nëntor të 1912-ës, ja edhe thekët i ka të verdhë", thotë Zeneli, që përulet në varrin e Bacë Ademit, pranë së cilit bëjnë roje nderi dy ushtarë të gjatë të trupave të Mbrojtjes së Kosovës, të veshur me kostumin ceremonial, që mban edhe ai ngjyrat kuq e zi. Qëndron një moment, përkulet sërish, dhe më pas, duke drejtuar gishtin tregues në majën e kodrës, thotë: "Ai është simboli i Kosovës së pavarur, atij i faleshin dhe Jasharajt, e ajo harta e kaltër me ca yje..., ku po e di unë", ironizon me delikatesë burri i moshuar. Në Prekaz bën mjaft ftohtë, temperaturat kanë arritur nivelet e minus 10 gradëve, një erë e fortë fryn nga veriu, ndërsa një borë e imët porsa ka filluar të bjerë.
Por sheshi para memorialit të Jasharajve është plot me njerëz që kanë ardhur nga të gjitha anët. Sapo mbërriti edhe një grup burrash nga Dibra e Kërçova. Përqafohen me banorët e fshatit, e më pas nisin ritin e nderimit të varrezave të familjes Jashari, e cila humbi plot 50 pjesëtarë të saj. Nga momenti në moment pritet ardhja e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili vjen me dy misione në Prekaz: të nderojë para shpalljes së pavarësisë pikërisht martirin që vuri themelin e saj, por edhe për të ftuar në festën zyrtare që mbahet sot në mbrëmje në Pallatin e Sportit në Prishtinë, Rifat Jasharin, vëllain e komandantit të parë të UÇK-së. Një banor i Skënderajt, duke qeshur, thotë që Kuvendi i Kosovës më mirë do të ishte të mbante seancën pikërisht te memoriali dhe të lexonte deklaratën solemne. "Do të ishte më bukur", përsërit ai. Agneza 10-vjeçare (e cila i pëlqen të thotë "dhjetë" e jo me dialekt", thotë se do t‘i kërkojë Kryeministrit një autograf që t‘i shkruajë në dorë datën 17, kur do të shpallet pavarësia. Një ironi e hollë e një fëmije me telenovelën që përcolli fjala "datë". Nuk kalon ora 13:30 dhe eskorta e Kryeministrit mbërrin pikërisht pranë memorialit.
Thaçi, sa zbret nga "Mercedes"-i i zi 4x4, përqafohet me një mik të vjetër të tij, Sami Lushtakun, një nga ish-komandantët e parë të UÇK-së, aktualisht kryetar i Komunës së Skënderajt. Më pas merr një tufë me lule dhe e vendos te varri i Adem Jasharit, nderon dhe përshëndet banorët, që i thërrasin me emër dhe e përqafojnë një nga një. "Kjo është vizita ime e fundit jashtë Prishtinës deri në shpalljen e pavarësisë. Dhe nuk mund të ishte kund tjetër veçse në vendin ku pavarësia u kërkua me gjakun e familjes legjendare, jemi në momentet e fundit", thekson Thaçi, i cili më pas mbërrin në kullën, ku e pret Baca Rifat, i cili duke folur ngadalë i uron Kryeministrit shëndet dhe punë të ndershme. Thaçi thekson se po ministrat e Partisë Demokratike të Serbisë të Kryeministrit Vojisllav Koshtunica kërkuan leje nga UNMIK-u që të dielën të shkojnë në Kosovë, në të kundërt paralajmëruan "vizitë private".